Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Lauka: Nuk është një hap historik, çështjet ekonomike nuk sjellin njohjen reciproke

5 Shtator 2020, 12:07| Përditesimi: 5 Shtator 2020, 12:21

  • Share

TIRANË- Takimi i Kosovës me Serbinë ditën e djeshme në Washington u konkretizua me një marrëveshje ekonomike me vlerë 13 mld dollarë mes dy vendeve, një marrëveshje e cila forcon lidhjen mes tyre.

Nga kjo marrëveshje Kosova ka marrë njohjen e Izraelit ku kryeministri Hoti ka biseduar me Presidentin Netanyahu. Por për ish-ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, kjo nuk është  një marrëveshje përfundimtare që dërgon më afër drejt njohjes reciproke me Serbinë.

Në një intervistë për Report Tv, ai thotë se nuk është një dokument historik. Lauka u shpreh se aty u nënshkruan dy dokumente të ndara dhe jo një të përbashkët.

"Nuk e quaj marrëveshje. Nuk është përfundimtare. Politika dhe diplomacia amerikane dhe kosovare e quan marrëveshje historike, një kapitull të ri. Por mesa kam lexuar unë 16 pikat, kjo mund të jetë një dokument por jo shumë historik. Unë e quaj një deklaratë politike. Që të quhet marrëveshje duhet që ajo të nënshkruhet nga dy palë. Në rastin konkret nga Kosova dhe Serbia. Janë dy letra të ndara. Në rast se do të ishte marrëveshje atëherë flasim për detyrime juridike ndërkombëtare. Secili kanë nënshkruar një letër të veçantë. Duke qenë letra të nënshkruara veç e veç ato nuk i nënshtrohen ratifikimit të parlamentit. Atëherë ato nuk mund të konsiderohen dokumente detyruese ndërkombëtare" - tha Lauka

Gjithashtu ish-ambasadori e lidhi këtë dakordësi mes dy vendeve me zgjedhjet presidenciale në ShBA që do të zhvillohen në nëntor. Ai shprehet se është një strategji e fushatës së Trump për të ndërmjetësuar konfliktet mes vendeve.

"Kjo deklaratë u bë në Washington 2 muaj para zgjedhjeve presidenciale. Është e lidhur shumë administratën e Trump. Ky është një dokument, ujdi e mirë për Trump dhe administratën e tij. Këtë ai e vendosi në funksion të fushatës së tij. Para 4 viteve Trump ka pasur parrullën të mbyllë konfliktet e hapura të presidentëve para tij. Kthimin e trupave në atdhe. Mesazhi i Trump është i qartë se është ai që ka premtuar se do të mbyllë konfliktet dhe e mbaj fjalën" - u shpreh ambasadori.

Lauka u shpreh se normalizimi i marrëdhënieve ekonomike nuk do të sjellë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë por vetëm normalizimi politik.

"Nëse e keni parë marrëveshjen, shumica e pikave për ekonominë flasin për angazhim të firmave të kompanive të departamenteve amerikane. Të gjitha janë për sigurinë e pranisë së firmave amerikane këtu. Në të gjithë dokument shkon fill i kuq interesi i kompanive amerikane. Këto firma me çfarë buxheti do të punojnë, me buxhet që do ta japë ShBA apo me buxhetin e Kosovës, Serbisë apo dhe me ndonjë tjetri. Nuk e konsideroj një hap të rëndësishëm që çon drejt njohjes reciproke. Mua nuk  më duket e drejtë qasja e Grenell që thotë se normalizimi ekonomik i cili do sjellë normalizimin politik dhe që do sjellë njohjen. Unë mesa e njoh konfliktin unë e konsideroj politik. Zgjidhja e problemeve ekonomike ka dëshmuar edhe më parë se nuk ka sjellë normalizimin e konfliktit ndaj jam skeptik dhe këtë herë. Unë nuk jam i sigurt se edhe këto nuk mund të realizohen. Fushata zgjedhore ka shumë elemente propagandistike dhe këto mjete financiare kush i paguan. Kosova dhe Serbia nuk i kanë këto mjete" - tha diplomati.  

Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në ShBA u përshëndet edhe nga figura të larta të politikës shqiptare

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?