Marrëveshja Kosovë-Serbi në Ohër, Ramabaja në Report Tv: S’është më e mira e mundshme por është pozitive! U shmang një Republika Srpska të dytë

20 Mars 2023, 09:03| Përditesimi: 20 Mars 2023, 09:30

  • Share

KOSOVË- Drejtori i Institutit shqiptar për gjeopolitikë, Sadri Ramabaja e ka cilësuar marrëveshjen Kosovë-Serbi në Ohër si jo më të mirën e mundshme, por pozitive tani për tani. Në një intervistë në “Shtypi i ditës dhe Ju” me gazetarin e Report Tv Andi Kapxhiu, ish anëtari i Vetëvendosjes, u shpreh se marrëveshja gjithsesi nuk është më e mira e mundshme përsa kohë nuk përfshin njohjen de jure të shtetit të Kosovës.

“Nuk është marrëveshja më e mirë e mundshme, por ësytë pozitive, më e mira deri tani. I hap rrugë Kosovës për integrim dhe në organizatat ndërkombëtare. Praktikisht Kosova barazohet me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia po futet në rrathët shtrëngues të BE, pranimi i Kosovës edhe de jure do të krijonte frymëmarrje të lirë për trupin e Beogradin. Në rrafshin shtetëror për popullsinë serbe, do të thotë shumë. Do e kuptojë shumë shpejt qytetari serb se ëndrra është tjetër dhe realiteti është tjetri.”- tha ai.

Ai foli edhe për qasjen e Perëndimit në këtë marrëveshje, e cila mundësoi shmangien e një Republikë Srpska, të dytë në rajonin e Ballkanit.

“Kanë hequr dorë për herë të parë nga ëndrra serbe për t’u kthyer me dhunë në Kosovë. Është suksesi i kryeministrit Kurti që hoqi nga rendi i ditës marrëveshjen e disfavorshme të Asociacionit në 2013.

Faktori ndërkombëtar i rikthehej 2015 që de facto promovonte njohjen shtet mbi shtet. Por Kosovën e shpëtoi edhe njëherë SHBA dhe qasja e Britanisë një Republika Srpska e dytë.”- vijoi ai në Report Tv.

Kujtojmë se Kosova dhe Serbia u përballën me një sërë kritikash nga opozitat e tyre edhe pse në thelb, nuk pati një marrëveshje të nënshkruar. Megjithatë, edhe Presidenti serb Vuçiç edhe Kryeministri i Kosovës, Kurti e kanë paraqitur si sukses. Normalizmi nëpërmjet dy vendeve është një ndër çështjet më të nxehta në Ballkan. Në Ohër, palët u pajtuan për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt. Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?