Marrëveshja Kosovë-Serbi/ Pse është i rëndësishëm liqeni i Ujmanit?

5 Shtator 2020, 17:43| Përditesimi: 5 Shtator 2020, 17:45

  • Share

Një nga pikat më të diskutuara në marrëveshjen Kosovë-Serbi të firmosur dje në Shtëpinë e Bardhë, është ajo ku flitet për liqenin e Ujmanit.

Të dy palët ranë dakord të pranojnë të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe të tjera ente qeveritare amerikane për të kryer studime fizibiliteti në lidhje me ndarjen mes tyre të liqenit të Ujmanit, si një burim i rëndësishëm për ujë dhe energji.

Në fakt, liqeni i Ujmanit ishte shndërruar prej kohësh në mollë sherri mes Kosovës dhe Serbisë.

Po cila është rëndësia e këtij liqeni?

Dikur i ndërtuar mbi lumin Ibër për një shtet më të madh, liqeni i Ujmanit (Gazivodës) ka një gjatësi prej 23 metra dhe me një sasi uji prej 380 milionë kub. Dy të tretat e liqenit gjenden në territorin e Kosovës e një e treta në Serbi. Mbushja megjithatë vjen nga Serbia dhe Mali i Zi.
Ndërtimi i tij ka filluar në vitin 1972 dhe ka përfunduar në vitin 1977, ndërsa ndërtimi i hidrocentralit ka zgjatur prej vitit 1983 deri 1986. Projekti është financuar nga Banka Botërore.
Argumenti i Serbisë bazohet në faktin se pjesa më e madhe e infrastrukturës së hidro sistemit “Ibër-Lepenc” gjendet pikërisht në territorin e komunës Zubin Potok në të cilën shumica e banorëve janë serbë. Pastaj, ndërtimi i hidro sistemit i financuar nga kredia e Bankës Botërore është paguar nga buxheti i ish-Jugosllavisë. Prandaj qeveria në Beograd konsideron se ka legjitimitet për fatin e kësaj ndërmarrjeje.
Serbia pretendon se shfrytëzimi i tepërt i rrjedhës së ujit në lumin Ibër, mund të rrezikojë ekonominë e saj në hapësirën e Rashkës dhe Kralevës. Serbia planifikon të ndërtojë mini hidrocentrale në Rashkë dhe Kralevë, e nëse ulet sasia e ujit dhe shfrytëzohet në Kosovë, atëherë askush nuk do të investonte në këto projekte në Serbi.
Por nga ana tjetër, pa këtë liqen nuk ka ekonomi në Kosovë. Pa këto resurse ekonomia ndalet dhe jo vetëm ekonomia e industrisë elektrike në Obiliq, sepse uji shfrytëzohet atje për ftohje në centralin Kosova B, por ky ujë shfrytëzohet edhe për industrinë në Feronikël, Trepçë dhe për bujqësinë në vend.

Komento

Komente

  • Iris: 06/09/2020 01:51

    Po ta lexoni me vemendje duket qe fituesit e vertete te liqenit jane firmat energjitike amerikane ,por te dy palet,serbet e kosovaret po morren ndonje kocke nga shfrytezimi I tij do jene me fat.Sa per llogjet e Serbise se digat u ndertuan ne kohen e Jugosllavise,mund tu jepja nje keshille kosovareve:perdorni argumentin qe perdorin greket per Camerine qe se njohin egzistencen e saj,gjithashtu perdorni dhe argumentin e Turqise qe thote qe masakrat kunder armeneve ,si bene turqit por otomanet.Duket ne pamje te pare sikur nuk kane lidhje liqeni me masakrat,por ne thelb eshte I njejti argument.Edhe ju nuk keni pse t'i njihni te drejten mbi liqenin Serbise,pasi shpenzimet e digave u bene nga Jugosllavia, nje shtet qe nuk egziston me e si rrjedhim, Serbia nuk gezon kurfare te drejte, mbi cdo lloj trashegimie te Jugosllavise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?