Vjosa Osmani dhe kryeministri Edi Rama

REAGIMET/ Marrëveshja Kosovë-Serbi, Osmani: Reciprocitet e barazi! Rama: Dialogu, në nivel të ri! Begaj: Mirënjohje SHBA-BE

27 Gusht 2022, 19:43| Përditesimi: 27 Gusht 2022, 22:09

  • Share

Politika shqiptare ka përshëndetur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për mjetet e identifikimit. Teksa e konsideron një lajm të bukur zgjidhjen me dialog të lëvizjes së lirë mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Edi Rama uron që ky dialog të kalojë në një nivel të ri. për të mos humbur kohë dhe energji pafund.

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka shprehur mirënjohjen për dialogun që çon në rezultate konkrete, dhe thotë se të gjithë qytetarët do të përfitojnë nga kjo marrëveshje, ndërsa nuk lë pa përmendur edhe kontributin e SHBA-së dhe BE-së.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani falenderon SHBA-në dhe BE-në për rolin e tyre mbështetës dhe thotë se Kosova do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke.

Sali Berisha nga Rithemelimi i PD-së, ka vlerësuar kontributin e të deleguarve të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Enkejeld Alibeaj se meritë kanë drejtuesit e shtetit të Kosovës që treguan këmbëngulje, qetësi e maturi në një kohë tensioni e gjaknxehtësie në Ballkan.

Ndërsa kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, teksa përshëndet arritjen e marrëveshjes, thotë se vetëm vetëm vijimi i dialogut sjell njohjen reciproke të dy shteteve.

Sipas marrëveshjes së arritur, të dyja vendet kanë lëshuar pe duke hequr dorë nga dokumentet shtesë që ishin aplikuar prej kohësh në Serbi dhe do të lëshoheshin nga Kosova në kuadër të reciprocitetit, në rast të hyrje-daljeve në kufi.

Gjatë kësaj jave, Escobar dhe Lajçak qendruan në Kosovë dhe Serbi, ku diskutuan me liderët shtetërorë dhe partiakë për çështjen e dokumenteve dhe targave. Ata thanë se palët duhet të zotohen se do të shmangin dhunën më 1 shtator.

Ndërkohë që ende nuk ka një marrëveshje për çështjen e targave. Kujtojmë se pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e reciprocitetit për targat dhe dokumentet serbe, pati tensione në veri në Kosovës, gjë që e shtyu qeverinë e Kurtit të shtynte zbatimin e marrëveshjes.

 

Ora 22:38
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje, Abazoviç: Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi Dritan Abazoviç ka reaguar për arritjen e një marrëveshje të re midis Kosovës dhe Serbisë për të njohur dokumentet e identifikimit të njëra-tjetrës në kufi.

Abazoviç shkruan se dialogu është një mënyrë për të kaluar çdo krizë.

“Qeveria e Malit të Zi mirëpret marrëveshjen ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Dialogu është zgjidhja e vetme e mundshme për të kapërcyer çdo krizë. Ne duam paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor. Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen”, shkruan Abazoviç në Tëitter.

Ora 21:25
Marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit, Basha: Kosova e pavarur është realitet i pamohueshëm

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha  ka reaguar lidhur me arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për të njohur dokumentet e identifikimit të njëra-tjetrës në kufi.

“Marrëveshja e sotme është lajm i mirë për qytetarët e  Kosovës  dhe Serbisë. Mirënjohje për kontributin e Shteteve të Bashkuara dhe  Bashkimit Evropian! Kosova e pavarur është realitet i pamohueshëm. Dialogu dhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë si dy vende te pavarura i kontribon paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik në rajonin tonë.”, shkruan Basha në Twitter.

 

Ora 21:19
Haradinaj: Marrëveshjet një nga një strategji e Serbisë për të vonuar njohjen e Kosovës

Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet hyrëse-dalëse. Ai shkruan se marrëveshjet një nga një janë në interes të Serbisë, për ta vonuar Kosovën. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj shkruan se Kosovës i duhet një marrëveshje përfundimtare që sipas tij, arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Dakordimi që të zbatohet një marrëveshje për dokumentet, e arritur qysh në vitin 2011, është një shenjë e mirë e vetëdijësimit se marrëveshjet duhet të zbatohen. Është për keqardhje që është dashur të pritet kaq gjatë e të shpenzohet kaq mund e energji për zbatimin e një marrëveshjeje që mundëson lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Marrëveshjet një nga një janë strategji e Serbisë për të blerë kohë e për ta vonuar Kosovën.

Interesi shtetëror, nacional e qytetar i Kosovës është marrëveshja përfundimtare për njohje, e cila mund të arrihet vetëm me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën e të cilës nuk do të fillonte as zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit. Kanë kaluar njëzetë e sa vjet ç’prejse është krijuar një realitet i ri në Kosovë dhe mbi katërmbëdhjetë vjet qysh Kosova është shpallur shtet sovran dhe i pavarur. Tash është koha e duhur që dialogu të kalojë në një nivel tjetër dhe Serbia ta njohë Republikën e Kosovës", shkruan ai. 

Ora 21:02
Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbisë, Nikolla: Hap premtues drejt avancimit të dialogut

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ka reaguar lidhur me marrëveshjen e arritur sot mes Kosovës  dhe Serbisë.

Nikolla shprehet se kjo marrëveshje është një hap premtues drejt avancimit të dialogut mes dy shteteve.

“Përshëndes marrëveshjen mes Kosovës  dhe Serbisë. Mirëkuptimi dhe vullneti i mirë garantojnë zgjidhje të qëndrueshme. Marrëveshja e sotme është një hap premtues drejt avancimit të dialogut. Mirënjohje për Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme të BE, Borrell, dhe të dërguarit e ShBA, Escobar dhe BE, Lajçak, për kontributin dhe afrimin e qëndrimeve mes dy shteteve.”, shkruan Nikolla në Facebook.

 

Ora 20:30
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje, Alibeaj: Meritë për drejtuesit e Kosovës, treguan qetësi e maturi

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Enkejeld Alibeaj ka reaguar pas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për mjetet e identifikimit. Alibeja  thotë se meritë kanë drejtuesit e shtetit të Kosovës që treguan këmbëngulje, qetësi e maturi në një kohë tensioni e gjaknxehtësie në Ballkan.

"1/1 Marrëveshja e sotme mes Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e reciprocitetit duhet përshëndetur dhe shpresojmë të ketë rezultate pozitive për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe stabilitetin e rajonit.

1/2 Meritë për këtë kanë dhe drejtuesit e shtetit dhe qeverisë së Kosovës që falë këmbënguljes dhe përpjekjeve arritën në këtë marrëveshje të rëndësishme me Serbinë. Ata treguan qetësi e maturi në një kohë tensioni e gjaknxehtësie në Ballkan.

1/3 Një falënderim të veçantë për BE dhe SHBA që me përpjekjet e tyre afruan Kosovën e Serbinë në këtë marrëveshje të rëndësishme.", shkruan Alibeaj në Twitter.

Ora 20:20
Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi, Begaj: Mirënjohje për mbështetjen e BE dhe SHBA

1661243883_Screenshot2.jpg

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka reaguar pas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për mjetet e identifikimit. Begaj thotë se marrëveshja është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve.

‘I kënaqur kur dëgjova lajmet për marrëveshjen që lehtëson udhëtimin mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve. Mirënjohje për dialogun që çon në rezultate konkrete dhe mirënjohës për mbështetjen BE dhe SHBA-së.'- shkruan Begaj.

Ora 20:01
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje, Meta: Vetëm vijimi i dialogut sjell njohjen reciproke të dy shteteve

1661373296_Screenshot1.jpg

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për arritjen e një marrëveshje të re midis Kosovës dhe Serbisë për të njohur dokumentet e identifikimit të njëra-tjetrës në kufi.

‘I mirëpritur dhe pozitiv lajmi i dhënë sot nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell sipas të cilit “Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe’.

Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve”.

Ora 19:56
Marrëveshja Kosovë Serbi, Berisha: Hap i rëndësishëm mes dy vendeve

1661514744_Sequence03.00262516.Still054.jpg

Ish-kryeministri Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

‘Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur!

Të dashur miq, Kosova dhe Serbia ranë dakord për zgjidhjen e problemit të dokumentave bazuar mbi parimin e barazisë dhe reciprocitetit të kërkuar nga qeveria e Kosovës dmth njohjen respektive të dokumentave të njëra tjetrës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Partia Demokratike ka mbështetur pa lekundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.

Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë per dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të medha midis dy vendeve.

Vetëm nje Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurtë në BE dhe NATO! Sb’- shkruan Berisha.

Ora 19:49
Arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi, Osmani: Do të vazhdojmë angazhimin drejt njohjes reciproke

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pas marrëveshjes Kosovës Serbi. Osmani falenderon SHBA-në dhe BE-në për rolin e tyre mbështetës.

‘Reciprocitet e barazi. Liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet. Falënderime Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për rolin e tyre mbështetës. Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin drejt njohjes reciproke.’- shkruan Osmani.

Ora 19:34
Marrëveshja Kosovë-Serbi, Rama: Ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri

1661592034_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas marrëveshjes Kosovë-Serbi.

'Lajm i bukur zgjidhja me dialog e çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës, e bashkë me urimet për të dy palët uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot'- shkruan Rama.

Ora 19:11
Arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, Xhaçka: Lajm i mirë për të gjithë rajonin! Dialogu është gjithmonë rruga

Ministrja e Jashtme Olta Xhacka ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes  mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e mjeteve identifikuese. Ajo e konsideron një lajm të mirë jo vetëm për dy shtetet, por për të gjithë rajonin teksa ka falënderuar dhe BE-në lehtësimin e dialogut.

"Një lajm shumë i mirë për rajonin. Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje nga e cila përfitojnë si shqiptarët ashtu edhe serbët. Dialogu është gjithmonë rruga. Urime të dy liderëve dhe mirënjohje BE për lehtësimin e dialogut", shkruan Ministrja në Tëitter.

Postimi i Ministres së Jashtme Olta Xhaçka
M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbërori: 28/08/2022 10:58

    Për ty ska gjë më me randsi se serorusia o tradhtar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?