TIRANË - Ekspertët e ekonomisë Fatos Çoçoli dhe Ergis Sefa folën në ‘Studio Live’ lidhur me marrëveshjen e Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe për energjinë e rinvoueshme dhe shtrimin e kabujve nënujorë drejt Italisë për transmetimin e energjisë.
Fatos Çoçoli theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe janë një vend me rezerva të mëdha nafte dhe gazi, por janë të orientuar drejt energjive të rinovueshme dhe jo të mbështetur vetëm në naftë. Ai e vlerësoi EBA-në si një partner të rëndësishëm dhe foli për marrëveshjen 1 miliard euro që Shqipëria ka me Masdar, një strukturë shtetërore të EBA-së. Sipas Çoçolit, kjo marrëveshje do të mbështesë ndihmën për shtrimin e kabujve nënujorë dhe zhvillimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri, me synimin që vendi të bëhet një eksportues i energjisë elektrike.
'Është një vend mik, i shtati në botë për rezervat e naftës dhe gazit natyror. Vend i pasur. Është një vend i vetmi në Lindjen e Mesme që ka thënë nuk mbështes stekën e zhvillimit të vendit tim mbi naftën, ka caktuar 30 mld dollarë strukturës shtetërore Masdar që të shfrytëzojnë edhe jashtë UAE. Çfarë mund të marrim ne nga 30 mld? Kjo është ideja. Ardhja e njëshit. Njeri i rëndësishëm, e gjithë qeveria. Kemi një marrëveshje KESH-MASDAR. Marrëveshje 1 mld euro trepalëshe. Shtet i rëndësishëm që do nxjerri fonde për Shqipërinë. 1 mld euro për të shtruar kabullin nënujor dhe për energjinë e rinovueshme në Shqipëri. Është dhe qëllimi i qeverisë për të qenë vend eksportues i energjisë elektrike.'
Ergis Sefa e vlerësoi këtë marrëveshje si një mundësi të shkëlqyer, duke theksuar pasurinë e Shqipërisë në energji diellore. Ai theksoi se një problem i madh për prodhuesit është kapaciteti i transmetimit të energjisë, dhe lidhja me Italinë është një hap i rëndësishëm, pasi Italia aktualisht importon 40% të energjisë së saj. Sefa vlerësoi mundësinë që Shqipëria, duke u bërë eksportuese e energjisë, mund të arrijë deri në 5-6 miliardë euro të ardhura nga eksporti i energjisë. Ai shtoi se kjo mund të çojë gjithashtu në uljen e çmimit të energjisë brenda Shqipërisë.
'Kemi diell me shumicë. Problem i madh i prodhuesve është ku do ta transmetojnë dhe çojnë këtë energji. Kjo linjë me Italinë është një lajm fantastik. Italia sot që flasim importon 40% të nevojave të veta të energjisë. Janë 530 mld euro që importon çdo vit. Nëse ne kthehemi në eksportues nëse 1/10 të këtij tregu të kapim, janë 5 -6mld euro në vit. Çmimi i energjisë në vend duhet të bie. Do kemi prodhim me bollëk dhe të ardhura të jashtëzakonshme. Ka mundësi të ulet dhe më shumë.'
Çoçoli gjithashtu përmendi se janë 55 kontrata në pritje për energji fotovoltaike, duke filluar nga zona e Fierit, dhe kjo nismë do të përfshijë edhe rajone të tjera të Shqipërisë. Ai theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të energjisë rinovueshme në Shqipëri.
'Janë 55 kontrata që presin për energji fotovoltaike. U vendos në Sheqin e Fierit. Nuk do jetë vetëm Fieri, por edhe zona të tjera.'
Të dielën e kaluar, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Zayed Al Nahyan vizitoi Shqipërinë për disa orë ku u finalizua marrëveshja me Shqipërinë në fushën e zhvillimit të energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe një marrëveshje tjetër që kishte të bënte me Projektin e Qytetit Inteligjent e nënshkruar me Presight Al Ltd.
Komente
