Ruajtja e sigurisë, lufta kundër krimit dhe terrorizmit janë baza kryesore e një marrëveshjeje të firmosur mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Marrëveshja që Report Tv e disponon, aktualisht është në formën e një projektligji dhe ka në thelb shkëmbimin e informacioneve për të parandaluar apo zbuluar veprat penale të shtetasve në 2 vendet reciproke.
Terrorizmi, krimet e rënda kundër personit dhe pronës, korrupsioni, krimet e organizuara transnacionale, prodhimi dhe trafikimi i paligjshëm i armëve, trafikimi i personave dhe drogës, pastrimi i parave, e më gjerë janë veprat penale për të cilat kanë rënë dakord që dy vendet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën vetëm në kuadër të shkëmbimit të informacionit. Në marrëveshjen e firmosur janë përfshirë edhe trajnime të përbashkëta apo shkëmbime përvojash, por pjesë e saj nuk është ekstradimi i shtetasve shqiptarë që janë rezidentë atje.
Është kjo njëra nga arsyet se pse Dubai është kthyer në strofullën ku fshihen emra të njohur të botës së krimit, në kërkim ndërkombëtar. Mungesa e një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe e bën të pamundur kthimin e tyre në atdhe për t’u përballur me drejtësinë. E thënë ndryshe, firmosja e bashkëpunimit të informacionit reciprok midis dy vendeve për sigurinë nuk shqetëson aspak emra si Plarent Dervishaj, Ramazan Rraja, Eldi Dizdari apo Florenc Çapja, të cilët prej kohësh strehohen të qetë në Dubai.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë pjesë e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër krimit të organizuar, por për ekstradimin e subjekteve pa pasur një marrëveshje mund të veprohet vetëm me reciprocitet. Praktikisht Shqipëria duhet t’u dorëzojë një të kërkuar për llogari të drejtësisë së tyre dhe në këmbim, të tërheqë një nga shqiptarët e kërkuar që jetojnë atje.
Ngërçe në ekstradimin e shqiptarëve në Dubai kanë pasur edhe shtetet e Bashkimit Evropian. Pak muaj më parë Italia dështoi të ekstradojë Eldi Dizdarin, i cili është në kërkim për trafikim narkotikësh. Në muajin shkurt Emiratet e Bashkuara Arabe refuzuan ta ekstradojnë atë bashkë me një anëtar të Camorra-s, Rafaele Imperiale.