Foto gjatë takimit

Marrëveshja me Fondin e Kuvajtit për rrugën e Lumit të Vlorës, Denaj: Ndërlidhim rajonet, zhvillojmë ekonominë dhe turizmin

3 Mars 2020, 13:13| Përditesimi: 3 Mars 2020, 13:16

  • Share

Marrëveshja shtesë e huasë ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e projektit të rehabilitimit të Rrugës së Lumit të Vlorës, u nënshkrua sot në Ministrinë e  Financave dhe Ekonomisë.

Sipas zyrës së shtypit, marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe Drejtori i Menaxhimit të Projektit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ermir Omari, në praninë e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Kuvajtit në Shqipëri, Fayez Mishari M. Al-Jassim, Drejtorit të Përgjithshëm të FSHZH, Dritan Agolli dhe Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Ministrja Denaj tha  se projekti ka një komponent të rëndësishëm të ndërlidhjes lokale në zonën e jugut dhe vendos në shërbim të 175 mijë banorëve shumën prej 22 milionë dollarësh.

“Rëndësia strategjike e projektit të Rrugës së Lumit të Vlorës lidhet me përmirësimin e cilësisë së jetës së komuniteteve që jetojnë në këtë zone.

Ky projekt lidhet ngushtësisht me rritjen e mëtejshme të aktivitetit në këtë zonë, mbi të gjitha të turizmit, si parakusht për nxitjen e aktivitetit privat, rritjen e të ardhurave për familjet vendase, dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Objektivi i këtij projekti është lidhja e shumë fshatrave të Lumit të Vlorës me bregdetin e Shqipërisë”, u shpreh  ministrja.

Projekti parashikon punimet për rehabilitimin e infrastrukturës së kullimit, objekteve të sigurisë dhe ndriçimit, krahas trotuareve në qytezat kryesore përgjatë rrugës.

Lidhja e fshatrave të lumit të Vlorës dhe zonës së Tepelenës me zonën e bregdetit do të sjellë ndikim edhe në kontekstin e aktivitetit ekonomik, duke sjellë zhvillim të turizmit, jo vetëm detar por edhe malor, zhvillim të agroturizmit, intensifikim të blegtorisë dhe bujqësisë.

Projekti do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe punimet parashikohet të përfundojnë deri në fund të vitit 2022.

Nga ana e tij, Ambasadori i Kuvajtit tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje tregon edhe një herë mbështetjen e vazhdueshme ndaj qeverisë shqiptare për zhvillimin e projekteve të rëndësishme në infrastrukturë, si dhe për arritjen e standardeve.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryetari i Bashkisë Vlorë Dritan Leli, i cili tha se do t’i japë një hov të ri zhvillimit të zonës, turizmit të qëndrueshëm, por edhe qarkullimit më të shpejt të mallrave dhe banorëve nga zonat rurale drejt atyre urbane.

Aktualisht kanë përfunduar me sukses punimet në Lotin I – Bypass i Vlorës – Peshkopi – Gjorm me gjatësi 23.2 km, ku janë realizuar të gjitha punimet e parashikuara në kontratë. Prej Majit të vitit 2019 kanë filluar punimet në Lotin II – Ura e Gjormit – Brataj – Ura e Laskos me gjatësi 27.1 km.

Nëpërmjet marrëveshjes shtesë, do të financohen punimet e Lotit 3 për segmentin nga Ura e Laskos – Qeparo me një gjatësi prej 23.7 km.

Me përfundimin e Lotit të III-të vepra do të vihet në funksionim të plotë dhe do të realizojë qëllimin për të cilin është iniciuar pikërisht, lidhja e shumë fshatrave të lumit të Vlorës me bregdetin.

Përfundimi i rrugës Gusmar-Kuç, do të bëjë të mundur krijimin e një aksesi më shpejtë të zonës së Tepelenës me zonën e bregut.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?