Një grup i ri emigrantësh po transferohen nga Italia drejt Shqipëri. Anija Spica e Marinës Ushtarake italiane, me rreth 30 migrantë në bord, është nisur nga porti i Brindisit drejt Qendrës së qëndrimit për riatdhesim (Cpr) në Gjadër. Në bord ndodhen persona me kombësi të ndryshme, të cilët pritet të mbërrijnë nesër.
Një transferim i mëparshëm nga Brindisi ka ndodhur më 11 prill. Me mbërritjet e fundit, numri i personave të pranishëm në strukturën shqiptare do të arrijë në rreth 50.
Më parë transferimi në Shqipëri lejohej vetëm për emigrantët e ndaluar jashtë ujërave territoriale italiane apo të vendeve të tjera të BE-së, shpesh pas operacioneve të shpëtimit.
Por me ndryshimet e reja ligjore, edhe personat ndaj të cilëve janë dhënë vendime të vlefshme për ndalim ose që u janë zgjatur afatet e ndalimit, mund të dërgohen në strukturat në Shqipëri. Këto struktura janë të barasvlershme me ato të parashikuara në legjislacionin italian, pra me qendrat e pritjes (hotspot) dhe qendrat e qëndrimit për riatdhesim (Cpr).
Komente
