Marrëveshja me Italinë, deputeti i PS-së: Puna në terren nisi në maj! Kapaciteti 3000 i emigrantëve u përcaktua nga ne! Gështenja: Skandaloze që askush s’kishte informacion

6 Dhjetor 2023, 21:32| Përditesimi: 7 Dhjetor 2023, 07:05

  • Share

Marrëveshja me Italinë për emigrantët i gjendet BE-së dhe e ndihmon BE-në për kontrollin e kufijve, shprehet deputeti i PS-së Denis Deliu. Por sipas deputetit të PD-së Gështenja, tha se marrëveshja është në shkelje të Kushtetutës.

I ftuar në emisioni Repolitix në 'Report Tv', deputeti socialist zbuloi detaje në lidhje me marrëveshjen. Deliu tha se puna në terren për marrëveshjen ka nisur që në muajin maj.

‘Kjo marrëveshje ka nisur para se të prezantohet. Ka pasur një grup pune ndër institucional. Shkresat kanë nisur në muajin maj. Nga muaji maj drafti përfundimtar është përfunduar në tetor. Pasi kanë rakorduar është bërë publike. Sot fluksi migrator është një shqetësim shumë i madh të cilat janë mes përgjegjësisë për të vepruar dhe përgjegjësisë që atyre që nuk veprojnë. Shqipëria është një vend që aspiron BE dhe Shqipëria iu gjet pranë Italisë. Në terren kanë filluar përgatitjet në terren. Ka pasur rreth 5 muaj’- tha Deliu.

Deliu tha po ashtu se numri 3000 është propozuar nga agjencitë ligjzbatuese, pasi kaq është kapaciteti maksimal që vendi mund të mbaj brenda një muaji.

‘Numri 3000 ka dalë nga agjencitë ligjzbatuese, pasi kaq është kapaciteti maksimal që mund të mbaj vendi ynë. 3000 veta brenda një muaji. 36 mijë persona në vit.’- tha Deliu.

Por për deputetin e PD-së, Lefter Gështenja, është skandaloze mënyra si kanë vepruar socialistët, pasi duhet të kishte pasur informacione në lidhje me marrëveshjen.

‘Nga muaji maj deri në konferencën për shtyp të Ramës jam i bindur se asnjë shqiptar ka pasur informacion lidhur me këtë marrëveshje. Është skandaloze që një kryeministër e trajton republikën e Shqipërisë si pronë personale. Ne nuk jemi kundër qeverisë italiane, por kundër marrëveshjes si është proceduar. Sot është depozituar kërkesa e një grupi deputetësh dhe kërkojmë që kjo akt-marrëveshje mos të implementohet. Është në shkelje flagrante me të gjitha ligjet dhe kushtetutën e Shqipërisë.’- tha Gështenja.

Nga ana tjetër Tritan Shehu, i vetmi deputet nga radhët e Rithemelimit që doli kundër dërgimit të marrëveshjes për emigrantët me Italinë në Gjykatën Kushtetuese, në emisionin Repolitix tha se kjo marrëveshje nuk do të implementohet, e shtoi se është vetëm një shou i kryeministrit Rama.

Sipas Shehut nëse Gjykata Kushtetuese e rrëzon nuk do të cenojë aspak marrëdhëniet Shqipëri-Itali. Duke u ndalur tek qëndrimi i Berishës, për gazetarin Denis Minga, Shehu tha se Berisha i ka premtuar Tajanit vetëm faktin se nuk do të organizojë protesta kundër Italisë.

‘Berisha i ka thënë Tajanit se unë nuk do të organizoj protesta kundër Italisë, pasi Italia është aleatja e madhe e Shqipërisë me një histori mijëra vjeçare në raportet tona. Që mos të krijojmë asnjë ndjenjë anti-italiane në Shqipëri. I qëndroj mendimit se është një shou i Ramës një veprim i Ramës i cili për të kaluar vështirësitë e këtushme kërkon që të krijojë ca elementë të vërteta që nuk kontribuojnë në marrëdhënien Shqipëri Itali. Investimet italiane janë në pikiatë. Kjo marrëveshje është marrëveshje që nuk forcon aspak marrëdhëniet reale mes Shqipërisë dhe Italisë. Kjo marrëveshje nuk krijon asgjë pozitive, nuk duhet të implementohet. Nëse GJK do të rrëzojë këtë marrëveshje, nuk besoj se do të rrëzohet dhe as të implementohet. Nëse rrëzohet nuk cenon aspak marrëdhënie Shqipëri Itali. Kjo marrëveshje nuk besoj se do të realizohet.’- tha Shehu.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?