Lulzim Basha

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, PD zbardh kërkesën për interpelancë me Ramën! Basha: Do e çojmë në Kushtetuese

7 Nëntor 2023, 16:13| Përditesimi: 7 Nëntor 2023, 19:37

  • Share

Partia Demokratike ka depozituar kërkesë për interpelencë urgjente me kryeministrin Edi Rama për marrëveshjen me Italinë.

Nënkryetari i PD-së, Kreshnik Çollaku bën me dije se për të njëjtën çështje dhe objekt do t'i drejtohen dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për të vlerësuar përputhshmërinë me ligjet e Kushtetutën e vendit, të marrëveshjeve të tilla me një impakt kaq të gjerë social.

“Me datë 06 Nëntor 2023 nëpërmjet një konference të transmetuar drejtpërdrejt nga media jemi njohur me faktin se Shqipëria, e përfaqësuar nga Kryeministri, nënshkroi një marrëveshje ne Italianë për emigrantët.

Në baze të deklaratave publike për objektin e marrëveshjes rezulton se Shqipëria do të kthehet në një bazë, (mediat informojnë për dy kampe të mëdha me kapacitet jo më pak se 3.000 persona) ku do të strehohen emigrante nga Afrika Veriore të mbërritur në mënyrë të paligjshme në kufirin jugor të Italisë.
Marrëveshja e nënshkruar sot duket se është diskutuar mes dy kryeministrave, italian dhe shqiptar, për një kohë të gjatë.

Çështja e emigrantëve është prej kohësh shqetësim për vendin fqinj dhe po ashtu është çështje debati politik jo vetëm në Itali, por edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian Çështja e emigrantëve sjell shqetësime të mëdha për çdo vend anëtar të Bashkimit Europian, jo vetëm për përballimin e situatës humanitare por edhe të sigurisë kombëtare të secilit prej tyre. Siç është bërë e ditur në Portin e Shëngjinit do të ngrihet qendra për pritjen e refugjatëve që do të jetë nën juridiksionin e Italisë, dhe një tjetër strukturë do të ngrihet në Gjadër për akomodimin e tyre.

Kjo qendër parashikohet që të jetë gati në pranverën e ardhshme, pikërisht kur nis dhe sezoni turistik. Ky lajm vjen si surprizë në Shqipëri, pasi nuk ka pasur asnjë debat politik apo publik për një çështje kaq sensitive për qytetarët dhe për mbarë vendin. Me te drejtë opinioni publik është i shqetësuar pasi flukse të tilla njerëzore sjellin në mënyrë të logjikshme lëvizje të ekuilibrave social dhe ekonomik të zonave ku këta refugjate do të vendosen.

Po ashtu krijon pasiguri në kapacitetet e qeverise shqiptare për të përballuar këtë fenomen pa krijuar probleme të sigurisë, stabilitetit ekonomik apo social të brendshëm. Për sa më lartë me qëllim marrjen e informacioneve dhe për të bërë transparencë, përpara qytetarëve shqiptarë të arsyeve që kanë çuar Kryeministrin e Shqipërisë në këtë vetëofrim, pa asnjë kosultim publik, kur vendet europiane e kanë refuzuat atë, pavarësisht kapaciteteve për të menaxhuar këtë fluks emigrantësh, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 80, pika 1 të Kushtetutës dhe të nenit 96 pika 1 dhe 2 të Rregullores së Kuvendit, kërkoj zhvillimin e një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama.”-thuhet në kërkesën e PD-së.

Edhe kreu i PD Lulzim Basha thotë se marrëveshja me Italinë për emigrantët u bë pa u konsultuar dhe në mungesë transparence. Ai thotë se Rama duhet t’i përgjigjet interpelancës së kërkuar nga PD në Kuvend lidhur me detajet e kësaj marrëveshje.

Sot Partia Demokratike ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë me zotin Rama, për të shpjeguar para shqiptarëve këtë rrufe në qiell të hapur. S’ka pasur asnjë indikacion, asnjë tregues, që tregon se Shqipëria përmes qeverisë së saj, ishte e gatshme të merrte refugjatë të paligjshëm në territorin e vet.  Përkundrazi, ka reagime publike të zotit Rama që në Shqipëri nuk do të ketë kampe refugjatësh, dhe papritur kemi këtë angazhim i cili merret në titull personal, pa asnjë debat publik, pa asnjë diskutim me qytetarët, pa snjë diskutim me përfaqësuesit e qytetarëve në parlamentin e Shqipërisë. Interpelanca ka për qëllim të ofrojë transparencë, çfarë po bëhet, me çfarë kushtesh po kërkohet të merren këto njerëz, çfarë kushtesh ofron Shqipëria, pse po bëhet kjo?Por e gjitha ka një kontekst shumë të dhimbshëm, ndërkohë që shqiptarët largohen, ndërkohë që kjo qeveri përzë shqiptarët, nga ana tjetër po kërkon të mbush vendin, apo të mbush kampet me emigrantë të paligjshëm. Në një vend ku sundimi i ligjit është problematik dhe ku prania e emigrantëve të paligjshëm mund të kthehet në një burim rreziku për interesat e qytetarëve shqiptarë, e më tej burim rreziku për emigracionin e paligjshëm drejt Bashkimit Europian.  Nuk do të mjaftohemi vetëm me interpelanca, ndërkohe që do marrim informacionin e nevojshëm, do të përgatisim që këtë çështje ta dërgojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Askush nuk mund të marrë vendime të tilla, pa u konsultuar me shqiptarët, qoftë përmes institucioneve, por pse jo edhe përmes referendumeve”, – shprehet Basha në deklaratën e tij.

Një ditë më parë (6 nëntor) Shqipëria dhe Italia nënshkruan një memorandum shumë të rëndësishëm mirëkuptimi në menaxhimin e flukseve migratore. Kjo u bë me dije nga në një konferencë të përbashkët për media, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni.

Marrëveshja ka tre objektiva: të luftojë trafikimin e paligjshëm, parandalimin e flukseve të parregullta dhe mirëpritjen e atyre që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes. Shqipëria do të japë mundësinë e përdorimit të dy zonave në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër, në të cilat Italia do të mund të krijojë dy qendra për menaxhimin e emigrantëve të paligjshëm me shpenzimet e saj dhe nën juridiksionin e saj.

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

Ora 14:32
Marrëveshja me Italinë për emigrantët, reagon Basha: E papranueshme, Rama nuk ka mandat për të negociuar diçka të tillë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar për marrëveshjen e firmosur mes Italisë dhe Shqipërisë për ndërtimin e 2 qendrave ku do të strehohen emigrantë të paligjshëm të ardhur nga Afrika.

Basha e cilësoi si një marrëveshje të papranueshme, duke u shprehur se Rama do të përballet me interpelancë në Kuvend sapo të kthehet nga Italia. Ai tha se nuk mundet që një vend të cilit po i largohen të rinjtë dhe profesionistët të hapë dyert për emigrantë të paligjshëm.

“Detyra e parë është të vijë të bëjë transparencën kush i ka dhënë mandat të negociojë? Nuk mundesh nga njëra anë të përzësh shqiptarët nga ana tjetër të hapësh kufijtë për emigrantë të paligjshëm. Mbi çfarë baze? Parimi i parë i qeverisjes është transparenca, sepse kështu garantohet që marrëveshje të tij mos të shkelin interesat kombëtare për interesat personale të një politikani në hall kushdoqoftë ky edhe kryeministri. Sapo të kthehet do të përballet me interpelancë në Kuvend, të japë llogari çfarë është kjo marrëveshje që as nuk u debatua. Si mundet që një vendi që po i largohen qytetarët për shkak të keqqeverisjes dhe të hapësh kufijtë për emigrantë të paligjshëm? Kjo është e papranueshme”- shprehet Basha.  

PD dorëzoi dje një kërkesë urgjente për interpelencë me kryeministrin pas publikimit të marrëveshjes së firmosur me Italinë, në kuadër të së cilës  Italia do të financojë ndërtimin e dy qendrave në Shqipëri për të menaxhuar emigrantët pa leje qendrimi. Këto struktura fillimisht do të presin jo më shumë se 3 mijë persona që do të qëndrojnë aty kohën e nevojshme për të shqyrtuar kërkesat për azil. Do të qarkullojnë në vit deri në 36 mijë persona, natyrisht jo njëkohësisht, pasi kapaciteti maksimal i dy qendrave do të mbetet deri në 3000 persona. 

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 08/11/2023 02:39

    Rama duhet te beje doreheqjen per kete ,por duke mos bere avokatin e Djallit,nje pyetje kisha per Bashen: Po ti dhe Berisha kishit mandat kur negociuat detin me Greqine pa pyetur asnjeri?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?