Ekonomi

Marrëveshja me Italinë për prodhimin e anijeve, Hysa: Do të plotësohen nevojat e forcave detare! Kemi kërkesa edhe nga kompani të huaja

10 Prill, 15:19| Përditesimi: 10 Prill, 15:30

  • Share

Më 8 prill, u nënshkrua marrëveshja mes Fincanterit, kompanisë së prodhimit të anijeve me bazë në Itali, dhe KAYO -s, kompanisë shtetërore për sigurinë, që do përfshijë prodhim anijesh, si për nevojat e flotës shqiptare, ashtu edhe në të ardhmen për mundësitë e eksportit.

Drejtori juridik i KAYO, Ardit Hysa, në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, se kjo marrëveshje tregon vullnetin e të dyja palëve për më shumë bashkëpunim. Sipas tij, kjo ndërmarrje e përbashkët do të funksionojë edhe në përputhje me legjislacionin shqiptar, dhe do të plotësojë nevojat e Forcave të Armatosura, por edhe të krijojë mjete të tjera si për shembull për policinë, apo për eksport jashtë vendit.

“Është një memorandum mirëkuptimi që tregon vullnetin e të dyja palëve për të krijuar një ndërmarrje të përbashkët e cila do të funksionojë në përputhje me legjislacionin tonë. Do të plotësojë nevojat e Forcave të Armatosura, të kemi një prodhim lokal të aseteve të nevojshme të FA, në rastin konkret për forcat detare, dhe pse jo të kemi mundësi që të zgjerojmë këtë bashkëpunim me mjete edhe për palë të reja si në Shqipëri. Pra mjete që mund t’i shërbejnë strukturave të policisë, por edhe për eksport. ”, u shpreh ai.

I pyetur për mënyrën se si do të funksionojë, si do të financohet dhe ndahen të ardhurat, ai tha se do të vendoset nëpërmjet negociatave.

“Modalitetet se si do të funksionojë bashkëpunimni do të vendoset pas një negociate që do të jetë substanciale. Ajo që mund të konfirmoj është që Shqipëria dhe KAYO  do të vënë në dispozicion vendndodhjen ku do të zhvillohet puna, do të garantojnë sigurinë juridike, dhe më pas modaliteti i financimit se sa do të financojë njëra palë apo tjetra, se si do të ndahen të ardhurat e krijuara, do të jenë pjesë e negociate që do të fillojë së shpejti”, shtoi Hysa.

Kur të fillojë?

“Neve tani kemi marrë memorandumin dhe të dyja palët janë duke parë nevojat për investime të menjëhershme. Nëse ka mundësi që të fillohet edhe me një prodhim të pjesshëm ose trajnimi i punonjësve, të punohet me shpejtësi maksimale. Kush janë nevojat që ka ky lokacion, ata imediate, afatmesme dhe afatgjata. Që të kemi një fazë tjetër ku të prodhohen mjete lundruese për ne edhe për palët e tjera.”, tha ai.

I pyetur për bazën detare të Pashalimanit, ai shtoi:

“Memorandumi ka disa klauzola dhe nuk jam i sigurt që mund ta ndaj, por është në optikën e mundësive”.

Hysa zbuloi se KAYO ka marrë një sërë kërkesash për bashkëpunim, nga kompani vendase edhe të huaja. Ai tha se mundësitë janë të mira për të krijuar një prodhim lokal në aspektin afatshkurtër. I pyetur për bashkëpunim me Kosovën, ai tha se aktualisht po adresojnë vetëm kërkesat që kanë marrë deri tani.

“Në moment KAYO është duke analizuar se jemi shoqëri e re, ato kërkesa që i janë adresuar KAYO-s dhe kanë qenë kryesisht nga kompani të huaja ose vendase dhe kemi detyrim ligjor që t’i japim përgjigje kërkesave që jemi investuar. Për momentin do të mundohemi të realizojmë të arrijmë në finish të kërkesave që na kanë ardhur. Për momentin nuk kemi kërkesa për kompani nga Kosova, por mënyra se si është rritur KAYO, nuk kemi kufizime në bashkëpunimin me partnerët”, përfundoi Hysa.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?