Giovanbattista Fazzolari

Marrëveshja me Shqipërinë për pritjen e emigrantëve, zyrtari i qeverisë italiane: Nëse nuk përfitojnë azil, do të mbahen në qendra deri në 18 muaj

10 Nëntor 2023, 08:18| Përditesimi: 10 Nëntor 2023, 08:36

  • Share

Nënsekretari për zbatimin e programit të qeverisë në Itali, , Giovanbattista Fazzolari ka dhënë një intervistë për Bruno Vespën ku foli për marrëveshjen për pritjen e emigrantëve të arritur mes Shqipërisë dhe Italisë.

Ai tha se maksimumi i lejuar nga ligji italian që emigrantët të mbahen në qendrat e pritjes është 18 muaj dhe më pas riatdhesohen. Ai tha se për emigrantët që do të mbërrijnë në Shqipëri nga pranvera e vitit 2024 do të parashikohen procedura të përshpejtuara në mënyrë që brenda 28 ditëve qeveria italiane t’u përgjigjet kërkesës së tyre për azil. Nëse nuk e përfitojnë diçka të tillë, atëherë, do të mbahen në ato qendra të ngritura deri në 18 muaj.

“Kështu, për 3 mijë emigrantët që do të mbërrijnë nga Lampedusa në vitin 2024 në anën tjetër të Adriatikut, do të parashikohen “procedura të përshpejtuara” në mënyrë që “në 28 ditë – tha Fazzolari – të mund t’i përgjigjemi kërkesës. Më pas, megjithatë, ata që nuk kanë të drejtë mund të mbahen në paraburgim deri në 18 muaj në pritje të riatdhesimit"- u shpreh Fazzolari.

Mes të tjerash, zyrtari tha se qeveria është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën italiane për ta bërë marrëveshjen edhe më efektive edhe nëse kjo marrëveshje nuk kërkon ratifikim në parlament. Ai shtoi se të gjithë sulmet ndaj marrëveshjes në Itali po bëheshin nga forcat e majta.

“Debat parlamentar për marrëveshjen? Pse jo, ne jemi të gatshëm të mendojmë së bashku me të gjithë për ta bërë atë edhe më efektiv” edhe nëse nuk kërkon ratifikim parlamentar sepse nuk është një traktat i ri ndërkombëtar ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë. Breshëria e marrëveshjes erdhi vetëm nga e majta. Por juristë të rëndësishëm kanë thënë se ajo respekton plotësisht legjitimitetin dhe asnjë koment i veçantë nuk ka ardhur nga BE-ja”- tha Fazzolari.

Ditën e djeshme, kryeministri Edi Rama mohoi lajmin se Partia Demokratike italiane kërkonte përjashtimin e tij nga Partia Socialiste Evropiane. Por duke komentuar qëndrimin e Partisë Demokratike italiane mbi marrëveshjen, Rama tha se kënvështrimi i tij i vetëm është përpjekja për të ndihmuar Italinë në këtë situatë që ndodhet me emigrantët që vijnë nga Afrika.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e migrantëve të shpëtuar në det nga anijet italiane. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë, edhe pse do ketë lëvizje të vazhdueshme të tyre, ardhje dhe largime të reja.

Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët, ashtu sikurse do ndërtohet nga italianët edhe struktura për akomodimin e personelit shqiptar ndihmës. Shpenzimet do të përballohen nga Italia dhe sipas përllogaritjeve shteti fqinj do t’i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë eurove brenda një 3-mujori. Kohëzgjatja e marrëveshjes do jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll. Marrëveshja pritet të kalojë dhe në kuvend.

B.V/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shaban: 11/11/2023 14:15

    Pyetja është, nëse këta emigrantë nuk riatdhesohen në vendet e tyre sepse nuk i pranojnë, ku do vazhdojnë të qëndrojnë ?

    Përgjigju
  • miri: 10/11/2023 09:11

    me kete kerkohet ti tregoje italise qe shqiperia eshte si vendet e tjera te europes, dhe pret refugjate nga gjithe bota sikurse vendet e tjera te komunitetit dhe qe refugjatet shqiptare ne europe nuk jane tjeter vecse emigrante ekonomike

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?