Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, ministrja e Jashtme: Normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve prioritet për sigurinë

23 Mars 2023, 16:06| Përditesimi: 23 Mars 2023, 16:28

  • Share

 

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në fjalën e saj në Kuvend është ndalur tek marrëveshja e arritur në Ohër në 18 mars mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin tha se ky është një lajm i mirë. Ministrja Xhaçka u shpreh se është optimiste për angazhimin konstruktiv e serioz të Qeverisë së Kosovës dhe atë të Serbisë. Xhaçka u shpreh se puna që duhet bërë deri në finalizimin e zbatimit të marrëveshjes, do të jetë komplekse, me sfida dhe do të kërkojë shumë përkushtim, seriozitet por edhe mbështetje nga partnerë e aleatë për të qenë e suksesshme.

'Marrëveshja e arritur në Ohër në 18 mars mes Kosovës e Serbisë është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin tonë. Prandaj, unë dua të marr një moment, të përgëzoj Kosovën, qeverinë e saj, për seriozitetin e treguar, por edhe për guximin e treguar, pasi natyrisht, arritja e një marrëveshje të tillë nuk është e lehtë. Dua po ashtu të falenderoj Bashkimin Europian, e posaçërisht Përfaqësuesin e Lartë Borrell dhe Përfaqësuesin e Posaçëm Miroslav Lajcak, për të gjithë angazhimin e pse jo, durimin e këmbënguljen, me të cilën punuan për arritjen e marrëveshjes. E padyshim, një mirënjohje e posaçme i shkon edhe Shteteve të Bashkuara dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit Escobar që dhanë padyshim një kontribut të pazëvendësueshëm në këtë proces.

Marrëveshja e arritur në Ohër është një lajm i mirë. Puna konkrete për zbatimin pritet të nisë pas afërsisht 1 muaji ndërkohë që shpresa është që gjithçka të jetë dakordësuar deri në fund të vitit. Sigurisht, që finalizimi do të kërkojë shumë punë. Djalli fshihet gjithnjë në detaje dhe mjafton të marrësh në konsideratë faktin që kjo marrëveshje u miratua përmes një procesi krejt sui generis, pa u firmosur, për të kuptuar se finalizimi nuk do të jetë aspak i lehtë. Duke thënë këtë nuk dua të jap shkas për pesimizëm. Unë personalisht jam shumë optimiste që me angazhimin konstruktiv e serioz të Qeverisë së Kosovës, atë të Serbisë, mbështetjen dhe monitorimin e BE dhe SHBA veçanërisht gjatë procesit delikat të implementimit, ekzistojnë të gjithë kushtet që kjo marrëveshje të çojë me sukses drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo që dua të them, është që puna që duhet bërë deri në finalizimin e zbatimit të marrëveshjes, do të jetë komplekse, me sfida dhe do të kërkojë shumë përkushtim, seriozitet por edhe mbështetje nga partnerë e aleatë për të qenë e suksesshme. Eshte koha per hapa te vendosur, jo per ambiguitet. Marreveshja dhe aneksi duhen zbatuar ne teresine e tyre, siç parashikon pika 2 e aneksit,  jo duke zgjedhur ca dispozita dhe injoruar disa te tjera:  nuk duhet te pengohet anetaresimi i Kosoves ne organizata nderkombetare, perfshire OKB; duhet te njihen dokumentat dhe simbolet kombetare te Kosoves

Shqipëria ka qenë vazhdimisht në mbështetje të dialogut. Shqipëria ka qenë po ashtu që në krye të herës në mbështetje të të ashtuquajturit plan franko gjerman i cili shërben si një pikënisje e mirë për dialogun. E padyshim, ashtu siç kemi bërë në çdo moment, edhe në luftë, edhe në paqe, ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën me të gjithë mundësitë që kemi. Përpjekjet tona sot do të vazhdojnë të fokusohen tek procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe tek procesi i njohjeve. Me arritjen e kësaj marrëveshje unë pres që këto procese të bëhen deri diku më të lehta dhe rezistenca të zbehet, pavarësisht se jemi të vetëdijshëm për pengesat që mund të krijojnë gjatë këtij procesi vende si Rusia apo ndonjë vend tjetër, që nuk e mbështesin dialogun dhe arritjen e një normalizimi të plotë mes Kosovës e Serbisë.

Por ajo që mund të them, është që falë performancës vërtet të suksesshme që ka pasur diplomacia shqiptare veçanërisht në vite e fundit, duke filluar me Presidencën e OSBE, me performancën vërtet dinjitoze në Këshillin e Sigurimit, me progresin në procesin e integrimit europian, me rritjen e angazhimit tonë pro-aktiv në favor të paqes, stabilitetit e bashkëpunimit në rajon, por edhe me fuqizimin e intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale me një sërë vendesh, Shqipëria ka sot mundësi më të mëdha e më konkrete për të mbështetur Kosovën, çka padyshim që do ta bëjmë në një koordinim të ngushte me Kosovën.

Mbështetja e Kosovës është sot, siç ka qenë jetë e mot, një prioritet kombëtar. Por sot më shumë se kurrë, në kontekstin e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës, normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është një prioritet për sigurinë dhe stabilitetin e mbarë rajonit edhe më gjerë, në Europë. Rajoni ynë, e sidomos situata si ajo që ekzistonte mes Kosovës e Serbisë apo ajo në Bosnje Hercegovinë janë në shënjestër të përpjekjeve ruse për të shkaktuar tensione e konflikt në Ballkanin Perëndimor. Përpjekje, të cilat duket tashmë qartë që kanë ndodhur edhe në Shqipëri përmes injektimit të fondeve ruse në politikë. Arritja e kësaj marrëvëshje, normalizimi eventual i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, do të shuajë një nga vatrat e mundshme të konfliktit në rajon. E padyshim, duke hapur rrugën për avancimin e të dy vendeve në procesin e integrimit europian, do të ndikojë ndjeshëm në konsolidimin e paqes, stabilitetit e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.'- tha Xhaçka.


Lajmi kryesor:

Kuvend, debat për inceneratorët, Berisha: Ahmetaj i fajshëm, por Rama është koka e krimit! Balla: 'Katran me bojë' të përjashtoi kandidati yt nga fushata e Tiranës


M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?