«Mund ta them: kjo gjë më bën pothuajse të qesh», – thotë Antonio Tajani, duke komentuar vendimin e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, e cila përcakton se për sigurinë e vendeve të kthimit të emigrantëve vendosin gjykatësit.
Të qeshësh? Në qendrën e djathtë, ai është i vetmi që e sheh me këtë qetësi…
«Po, sigurisht… si mund të mendohet që një gjyqtar të vendosë nëse një vend është i sigurt? Për hartimin e listës së vendeve të sigurta punojnë gjatë gjithë vitit shumë persona që analizojnë parametra të ndryshëm, në bashkëpunim me ambasadat dhe diplomatët. Nuk është një vendim individual, as një ministër nuk vendos vetë. Është rezultat i punës së ministrive, Pallatit Chigi, Ministrisë së Brendshme, ambasadorëve, funksionarëve… Tani duam të vendosim një gjykatës në Ministrinë e Jashtme? Vetëm në diktaturat gjyqësore të gjithë janë të kritikueshëm, përveç gjykatësve. Kjo është mendësi jakobine. Gjyqtari duhet të zbatojë ligjin, jo të zgjedhë se cilat janë destinacionet e sigurta. Kjo nuk është siguri juridike, por pasiguri».
Nëse gjithçka shkon sipas planit, Pakti i ri evropian për migracionin dhe azilin do të hyjë në fuqi vetëm në qershorin e ardhshëm. Deri atëherë, çfarë ndodh?
«E ka thënë edhe Pallati Chigi: ne kemi ndërmend të ecim përpara. Gjithashtu ekziston mundësia që Komisioni të vendosë për përshpejtimin e zbatimit të tij...».
Presidenti Mattarella dhe kryeministrja Meloni kanë folur me tone të ashpra për situatën në Gaza. A do ta njohë edhe Italia shtetin palestinez?
«Kemi diskutuar edhe ditët e fundit për këtë temë. Njohja është një akt formal me rëndësi, dhe ne jemi në parim dakord. Por sot nuk ekzistojnë kushtet konkrete për një shtet palestinez. Duhet të ndërtojmë së pari kushtet për një shtet që e njeh Izraelin dhe njihet prej tij. Ndërsjelltësia nuk është e dorës së dytë. Gaza dhe Bregu Perëndimor duhet të ribashkohen. Kombet e Bashkuara mund të drejtojnë një mision të paqeruajtësve nën udhëheqje arabe për të garantuar stabilitetin në Rripin e Gazës, dhe Italia është e gatshme të marrë pjesë».
Po tani, një “por”?
«Por nuk mund të njohim diçka që në fakt nuk ekziston. E përsëris: njohja duhet të vijë në fund të një procesi, kur të jenë plotësuar të gjithë “përbërësit” kushtetues të një shteti. Në shtator, në Asamblenë e OKB-së do të diskutohet gjerësisht për këtë, por ndërkohë duhet të arrihet një armëpushim dhe lirimi i pengjeve».
Deri atëherë, ndihmat humanitare vazhdojnë?
«Sigurisht. Dhe jemi në gjendje ta bëjmë këtë vetëm falë marrëdhënieve tona me Izraelin. Të jeni të sigurt: dënimi ynë për atë që po ndodh është i qartë – e kanë theksuar edhe Mattarella edhe Meloni. Ajo që po bën qeveria izraelite ka kaluar vijën e kuqe. Për kolonët e dhunshëm duhet të ashpërsohen sanksionet. Është absurde të qëllohet mbi një kishë ose të sulmohen fshatra të krishterë në Bregun Perëndimor. Të krishterët janë një faktor stabiliteti në të gjithë Lindjen e Mesme dhe nuk ndikohen nga Hamas. T’i përndjekësh nuk i shërben as Izraelit, përkundrazi, i jep më shumë fuqi Hamasit».
Presidenti Trump ka lëvizur nëndetëset bërthamore. Duhet të shqetësohemi?
«Është një mesazh politik për një Rusi që reagon gjithmonë në mënyrë agresive sa herë që i kërkohet të angazhohet për paqen. Trump është treguar i gatshëm për dialog, por në këmbim ka marrë deklarata agresive nga Medvedev. Shtetet e Bashkuara janë të hapura për një marrëveshje; Trump ka bërë më shumë se mjaft për të arritur paqen. Por sigurisht, nuk do të lejojnë që Putini t’i mashtrojë».
Megjithatë, tarifat doganore shkaktojnë shqetësim...
«Do të duhet kohë për të kuptuar plotësisht gjithçka. Marrëveshja kornizë do të duhet të zbatohet produkt pas produkti, një punë e detajuar që do të bëhet me SHBA-në dhe Brukselin. Është e vërtetë që 15% është shumë, por është marrëveshja më e mirë e mundshme. Shikoni edhe tarifat doganore diku tjetër: në Indi janë 25%, gjë që krijon edhe mundësi për ne. Unë jam ende i bindur se Banka Qendrore Evropiane duhet të ulë më tej koston e parasë, të zbatojë politika lehtësuese monetare dhe të injektojë para në treg. Raporti euro/dollar është krejtësisht në disfavorin tonë, me dollarin që është zhvlerësuar me 13% që nga fillimi i vitit».
Dhe si mund të veprohet?
«Nëse euro zhvlerësohet, është më mirë. Për më tepër, disa instrumente duhet të përditësohen. Për shembull, mund të rishikohet, me një vendim të përbashkët evropian, mekanizmi “SME supporting factor” i përfshirë në marrëveshjet e Bazelit. Kufiri për kreditë ndaj ndërmarrjeve të vogla është aktualisht 2.5 milionë euro; unë mendoj se mund të ngrihet në 5 milionë. Sidoqoftë, tregu i brendshëm i BE-së është pasuria jonë më e madhe. Por për të rritur fuqinë blerëse, duhet ulur presioni fiskal. Dhe unë ndodhem sot në Reggio Calabria për takimin tre-ditor të Forza Italia, nga i cili do të dalin propozimet tona për qeverinë për Jugun e vendit».
Roberto Occhiuto, presidenti i rajonit të Kalabrisë dhe përfaqësues i FI, dha dorëheqjen në mënyrë të papritur. E mbështesni këtë vendim?
«Ishte një akt guximi që i mundëson të rindezë motorët e administratës. Rritmi i drejtësisë nuk është ai i politikës: kur nis një hetim, të gjithë ndalojnë, kanë frikë të firmosin. Kjo po ndodh edhe në Milano: po bllokohen qytetet dhe rajonet. Unë jam garantist ndaj Occhiuto-s, por edhe ndaj Sala-s dhe Ricci-t: drejtësia duhet të bëjë punën e saj, por nuk mund të pranojmë paralizimin e administratës».
Kur do të mblidhet tryeza për kandidaturat në zgjedhjet rajonale?
«Ende nuk është caktuar një datë: nesër do të jemi së bashku në Ankona me Giorgia Meloni dhe Matteo Salvini, dhe ndoshta atje do të vendosim kur do të takohemi. Mbani parasysh se ne nuk kemi problemet e së majtës: e jona është një aleancë politike e strukturuar dhe jo thjesht elektorale, e tillë që nga viti 1994. Në çdo rajon do të garojmë me një kandidat të përbashkët»./Corriere Della Sera
Komente
