Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky

Bota

Marrëveshja për tarifat doganore dhe shpenzimet ushtarake, si e bindi Evropa Trumpin të mbrojë Kievin?

19 Gusht, 08:54| Përditesimi: 19 Gusht, 10:40

  • Share

Lajmi ishte në ajër, ai e konfirmoi. Trump pranon që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol garantues për sigurinë e ardhshme të Ukrainës. "Evropa është në vijën e parë për mbrojtjen tuaj, por ne do ta mbështesim", tha presidenti amerikan para gazetarëve, përkrah Zelenskyt. I pyetur disa herë nga mediat për këtë çështje, ai nuk e përjashtoi as mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në terren. Por ajo që ka më shumë rëndësi — siç e dinë mirë Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, dy vendet më të gatshme për të dërguar ushtarë — është mbrojtja ajrore, kontrolli i qiellit dhe inteligjenca satelitore: aty Amerika ka një epërsi mbi të gjithë, përfshirë Rusinë. Trump bën një devijim nga linja e tij e shkëputjes nga përgjegjësitë ushtarake në Evropë. Kjo është thelbësore që evropianët të marrin përsipër një rol me rreziqe.

Shkëmbimi

Pika e nisjes është gjithmonë shkëmbimi "tokë për paqe": koncesione territoriale, vetëm e vetëm që të ndalet lufta. Është një çmim i lartë për popullin ukrainas, një provë se "krimi shpërblehet" sepse Putini do ta shihte të shpërblyer agresionin e tij. Por ta shtysh mbrapsht ushtrinë ruse me forcën e armëve është një ëndërr në të cilën nuk beson më askush. Për të kufizuar dëmet, duhet të evitohet që një marrëveshje për fundin e armiqësive të ngjasojë me vitin 2014: Putini pushtoi Krimenë dhe Perëndimi nuk deshi ta kuptojë se ishte vetëm fillimi.

Shmangia i gabimeve të së shkuarës

Evropianët vazhduan të bënin biznes me Moskën, Merkel vazhdoi përpara gazsjellësin Nord Stream 2. Administrata Obama-Biden shpalli sanksione aq të buta sa i ngjanin një amnistie. Nuk pati një strategji serioze për ta mbrojtur Ukrainën nga agresione të mëtejshme.

Për të mos përsëritur gabimet e para 11 viteve, Zelensky ka thënë se çfarë i duhet: ruajtja e një ushtrie të fortë ukrainase, vazhdimi i furnizimit me armë nga Perëndimi dhe një ndihmë nga miqtë edhe në formën e angazhimit ushtarak të drejtpërdrejtë. Këto janë gjëra që Putini i kishte refuzuar kategorikisht deri para pak kohe. Nuk është e qartë në çfarë mase ai ka ndryshuar pozicion. Nëse e ka bërë, atëherë samiti në Alaskë nuk ishte një dështim i plotë. Në çdo rast, ekziston kjo gatishmëri e re e Trump, që nuk ishte dhënë as nga Biden. Përveç përjashtimit kategorik të "këmbëve amerikane në terren", Biden kishte refuzuar gjithmonë edhe hipoteza të tjera për përfshirjen e SHBA, si një zonë ndalim-fluturimi.

Pushtimi i tretë

Sigurisht, gatishmëria e Trump për të mbështetur forcat e armatosura evropiane në Ukrainë supozohet të jetë e lidhur me një armëpushim të vërtetë, por gjithsesi është një "ndryshim rrënjësor", ndryshon rregullat e lojës sepse u jep mundësi Londrës, Parisit, Berlinit, Varshavës dhe shpresohet Romës, të vendosin një mekanizëm sigurie për garantimin e përhershëm të asaj marrëveshjeje. Që armëpushimi të bëhet i qëndrueshëm, një paqe e vërtetë, jo një pauzë gjatë së cilës Putini riarmatoset dhe përgatit një pushtim të tretë.

Mes dy brigjeve të Atlantikut

Çfarë ndodhi që e bindi Trump të ofronte mbështetje për evropianët në mbrojtjen e tyre të Ukrainës? Të lëmë mënjanë Nobelin për Paqe: me siguri Trump e shpreson, por kjo nuk e shpjegon ndryshimin e strategjisë. Krahasuar me shkurtin, kur Zelensky u zu pritë në Zyrën Ovale, kanë ndodhur dy zhvillime kyçe. Marrëveshja në kuadër të NATO-s për rritjen e shpenzimeve ushtarake të vendeve anëtare në 3,5% të produktit të brendshëm bruto, në të ardhmen deri në 5%. Dhe marrëveshja mbi tarifat doganore, e vështirë dhe kontroverse por në fund më shumë përfituese sesa shkatërruese (sidomos krahasuar me alternativat). Kjo e ka qetësuar marrëdhënien mes dy brigjeve të Atlantikut.

"Miqtë e mi"

Mjaftonte ta dëgjoje Trump dje, duke lavdëruar vazhdimisht "shtatë liderët e fuqishëm evropianë, miqtë e mi". Në sfond të dy marrëveshjeve në kuadër të NATO-s dhe mbi tregtinë e jashtme: Gjermania e Merzit, me planet e saj të shpenzimeve prej trilion dollarësh, është gati të transformohet nga një ekonomi parazitare (e cila u rrit duke u nxitur nga eksportet në tregjet e huaja) në një model të drejtuar nga brenda vendit, e drejtuar nga kërkesa e vet. Shtojmë edhe propozimin e Italisë për llojin e garancive të sigurisë që duhet t’i ofrohen Ukrainës "në modelin e nenit 5 të NATO-s", që anashkalon pamundësinë e një anëtarësimi të Kievit në Aleancë (që ishte përjashtuar edhe nga Biden). Të gjitha këto i paketoi Trump në një gjuhë 100% sovraniste: "Unë armët Ukrainës ia shes, nuk ia dhuroj". Por deri para pak kohësh ai kishte kërcënuar me diçka shumë më të rëndë, një braktisje totale të Ukrainës dhe Evropës në fatin e tyre./Corriere della sera

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?