Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha, me të cilën firmosi një marrëveshje bashkëpunimi për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve pranë bashkisë. Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të jetë një derë e hapur për studentët, sidomos këtë vit kur Tirana mban titullin “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”.
“Ne duam që Bashkia e Tiranës të jetë edhe një mundësi integrimi për studentët. Shumë prej tyre vijnë nga qytete të tjera. Tirana është akoma në zhvillim e sipër. Do të donim që, duke pasur në krah Bashkinë e Tiranës, edhe integrimi i tyre në Tiranë, sot si studentë, po nesër si profesionistë, pastaj si familjarë, pastaj për një kredi të butë, pastaj për t’u martuar në tarracën e bashkisë, pastaj për çekun e bebes, e kështu me radhë - ta fillojnë këtë stacion të parë duke qenë studentë, të përfshirë në praktikat e Bashkisë së Tiranës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku tha se marrëveshja me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është një mundësi e re për studentët.
“Hapim një faqe të re dhe një mundësi të re për studentët tanë. Studentët janë patjetër një aset për shkollën, por mbi të gjitha janë një aset për qytetin. Unë besoj se dobia, sidomos e studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, që dinë të komunikojnë, që janë shumë më të rrahur me trendet botërore, janë shumë më fleksibël për të kuptuar kulturat e tjera, janë posaçërisht të dobishëm për Bashkinë e Tiranës, sidomos në këtë vit kur ne do të jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë”, nënvizoi Veliaj.
Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Esmeralda Kromidha falenderoi Bashkinë e Tiranës për firmosjen e marrëveshjes, të cilën e cilësoi shumë domethënëse për studentët.
“Shumë domethënëse për studentët e Fakultetit e Gjuhëve të Huaja për t’u ndjekur në nismat tuaja për rininë dhe kryesisht edhe këtë vit me Tiranën, Kryeqytetin Evropian te Rinise. Është kënaqësi që të ndajmë së bashku projektet tona me ta, projekte bashkëpunimi edhe në projekte kërkimore, në konferenca, praktika profesionale të studentëve me qëllim që studentët tanë të jenë me të vërtetë në qendër të universitetit, të mësimit, të kërkimit, por edhe të komunitetit në të cilin ata jetojnë me veprimtarinë e tyre”, përfundoi Kromidha.