Shqipëri-Turqi, bashkëpunim në fushat e sigurisë, kulturës, arsimit, sportit e rinisë deri te mbrojtja e përbashkët civile! Report tv zbardh 7 marrëveshjet e firmosura dje

18 Janar 2022, 14:42| Përditesimi: 18 Janar 2022, 16:57

  • Share

Shqipëria dhe Turqia firmosën dje 7 marrëveshje mes institucioneve të tyre, që nënvizojnë intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Report Tv zbardh përmbajtjen e tyre dhe duket se përfituesit më të mëdhenj janë njerëzit e sigurisë të të dy vendeve. Oficerë të policisë, ushtrisë, por edhe studentë të Akademisë do të kenë mundësi të marrin bursa studime në doktoraturë dhe master nga shteti turk dhe anasjelltas.  Ata që do të shkojnë në Turqi krahas përmbushjes së kritereve të edukimit dhe përgatitjes fizike duhet të zotërojnë edhe gjuhën turke pasi të gjitha programet zhvillohen vetëm në këtë gjuhë. Studentët që e përfundojnë me sukses do të pajisen me diploma e njohur nga të dy shtetet.  Do të ketë edhe certifikata që verifikojnë dështimin në rast të mos përmbylljes me sukses të kësaj eksperience. Të gjitha shpenzimet do jenë të mbuluara nga pala pritëse. Marrëveshja për personelin ushtarak është 1 vjeçare dhe do të rinovohet automatikisht vit pas viti nëse një nga palët nuk e kërkon ndërprerjen.

Një tjetër marrëveshje është ajo mes drejtorive të arkivave të të dy vendeve. Shqipëria dhe Turqia do mund të shkëmbejnë botime mbi arkivat ndërsa nuk duhet të shpërndajnë materialet në palë të treta. Kjo marrëveshje është një vjeçare dhe rinovohet automatikisht vit pas viti nëse nuk e kërkon asnjë palë shkëputjen. Por edhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit do të organizojë evente të përbashkëta kulturore e kinematografike duke pasur mundësinë edhe të shkëmbimit të stafit duke promovuar të dyja vendet.  Po ashtu do të ketë edhe mes Ministrive të Arsimit dhe Sportit ku të rinjtë do të kenë mundësi shkëmbimesh ndërsa do të jetë edhe një betejë e përbashkët për të luftuar dopingun e sportistëve.

Marrëveshja e firmosur mes Turqisë dhe Shqipërisë për mbrojtjen civile synon krijimin e një kuadri efektiv për bashkëpunim në fushën e menaxhimit të fatkeqësive dhe emergjencave. Marrëveshja është 3 vjeçare dhe konsiston ne shkëmbim eksperience dhe ndihme konkrete. 

Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Anadolu Agency do të mund të marrin materiale nga njëra tjetra në funksion të informimit të qytetarëve të të dy vendeve. Agjencitë mund të marrin artikuj të njëra tjetrës dhe materialet që do të shkëmbejnë përmes internetit nuk mund të ia dërgojnë palëve të treta.  Anadolu Agency do të pajisë Agjencinë Telegrafike Shqiptare me një fjalëkalim ku do të ketë akses në rrjet në artikujt në gjuhën shqipe dhe angleze  me kushtin që nuk do t’i jepen palëve të treta. Kjo marrëveshje ka vlefshmëri 1 vjeçare dhe do të rinovohet çdo 12 muaj automatikisht. Rinovimi nuk do të realizohet në qoftë se njëra nga palët kërkon ndalimin e saj. Edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme nënshkroi një protokoll bashkëpunimi për bashkëpunim bilateral të të dy institucioneve të Shqipërisë dhe Turqisë. Me anë të kësaj marrëveshjeje dy vendet mund të shkëmbejnë materiale të protokollit dhe të shkëmbejnë informacione nga protokollet përkatëse me anë të të dyja praktikave, me anë dixhitale dhe fizike.

Informacioni i zgjeruar për 7 Marrëveshjet

Bashkëpunimi dhe trajnime për çështjet e sigurisë dhe zbatimit të ligjit

Një marrëveshje e firmosur mes qeverive të Shqipërisë dhe Turqisë është ajo për bashkëpunimin në fushën e trajnimit dhe arsimimit për zbatimin e ligjit. Marrëveshja konsiston në forcimin dhe zhvillimin më tej të marrëdhënieve që të nxisin mirëqenien dhe stabilitetin në një mjedis paqësor në të dyja Shtetet, në kuadër të parimit të respektimit të ndërsjellë të sovranitetit, barazisë dhe interesit të të dyja palëve.  Sipas këtij memorandumi palët do të kryejnë aktivitete bashkëpunimi trajnimi dhe arsimimi në disa fusha. Do të ketë shkëmbim personeli dhe arsimime pas diplomimit në institutet përkatëse në Akademinë Kombëtare të Policisë apo në Xhandarmërinë dhe Akademinë e Rojës Bregdetare të Turqisë, sipas fushës, numrit dhe kërkesave që do të shpallen në faqet e internetit të Akademive përkatëse para periudhës së arsimimit. Gjithashtu do të ketë programe master në fushën e sigurisë publike; programet Master pa-tezë në fushën e sigurisë publike si dhe programet e doktoraturës në fushën e sigurisë publike.

Palët mund të bashkëpunojnë për të shkëmbyer përvojat e tyre të fituara me anë të mobilitetit të ekspertëve për organizimin dhe zhvillimin e trajnimeve dhe programeve arsimore të ndryshme të fushave që mbulojnë institucionet zbatuese të këtij memorandumi mirëkuptimi. Palët do të bashkëpunojnë në kryerjen e aktiviteteve arsimore, brenda kuadrit të çështjeve të detajuara në nenin 4. Programet arsimore do të monitorohen, vlerësohen dhe përmirësohen vazhdimisht gjatë zbatimit. Diploma, dokumenti i kursit ose certifikata që do t'i jepet praktikantit në përfundim të arsimimit dhe trajnimit do të lëshohen nga autoritetet kompetente të Palës që ofron arsimimin dhe do t'u jepet praktikantëve në ceremoninë e diplomimit. Shteti pritës do të vendosë të ofrojë trajnime për personelin, i cili merr trajnim, me pagesë, pa pagesë ose me zbritje. Në rast trajnimi falas, ai do të jetë në gjendje të mbulojë shpenzimet e mëposhtme për studentët:  Ushqimin; akomodimin; Dietat; shpenzimet e trajnimit-arsimimit; Veshjet (Ekuivalente me dietat e Shtetit Pritës të përcaktuara për studentët e tij). Ndërkohë që për personelin praktikant që do të marrë pjesë në trajnimet e organizuara nga Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë dhe Komanda e Rojës Bregdetare do të jetë e përfshirë edhe paga mujore. Edhe ky Memorandum Mirëkuptimi lidhet për një periudhë 1 (një) vjeçare.

Marrëveshja mes 2 ministrive të Jashtme

Edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme nënshkroi një protokoll bashkëpunimi për bashkëpunim bilateral të të dy institucioneve të Shqipërisë dhe Turqisë.  Me anë të kësaj marrëveshjeje dy vendet mund të shkëmbejnë materiale të protokollit dhe të shkëmbejnë informacione nga protokollet përkatëse me anë të të dyja praktikave, me anë dixhitale dhe fizike. Gjithashtu të dyja palët do të realizojnë programe tyë ndërsjellta trajnimi, duke marrë pjesë edhe drejtuesit e lartë të drejtorisë së Protokollit të të dy vendeve pjesëmarrëse. Marrëveshjet u nënshkruan me takimin e Presidentit turk Erdogan në vendin tonë me kryeministrin Edi Rama. Pavarësisht se dy krerët e shteteve kanë bashkëpunuar gjatë, veçanërisht pas tërmetit të 26 nëntor  2019, kjo ishte vizita e parë e Erdogan në vendin tonë që kur Rama është në krye të qeverisë. Ky protokoll bashkëpunimi nuk konsiderohet një marrëveshje ndërkombëtare mes dy vendeve pjesëmarrëse. Asnjë e dhënë e kësaj marrëveshjeje në rast të shkeljes së saj nuk do të konsiderohet si shkelje ligjore dhe nuk do t’i nënshtrohet dispozitave ndërkombëtare. Secila palë do të plotësojë detyrat e saj sipas kësaj marrëveshjeje duke respektuar dhe zbatuar ligjet e shtetit përkatës.

Marrëveshja për mbrojtjen Civile

Marrëveshja e firmosur mes Turqisë dhe Shqipërisë për mbrojtjen civile thuhet se synohet krijimi i një kuadri efektiv për bashkëpunim në fushën e menaxhimit të fatkeqësive dhe emergjencave. Dy vendet, brenda kuadrit të kompetencës së tyre dhe legjislacionit kombëtar, deklarojnë synimet e tyre për të bashkëpunuar në fushat e mëposhtme: Bashkëpunimi vullnetar mbi bazën e një kërkese për ndihmë dhe reagim në rast fatkeqësie apo emergjence; shkëmbimi i ndërsjellë i njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e menaxhimit të fatkeqësive dhe emergjencave,; Zbatimi i shkëmbimit të ekspertëve dhe vizitave studimore; Organizimi i programeve të trajnimit në fushën e parandalimit, gatishmërisë dhe reagimit ndaj fatkeqësive dhe emergjencave. Masa specifike për implementimin e këtyre fushave bashkëpunimi do të ndërmerren mbi bazën e negociatave ndërmjet Pjesëmarrësve. Ky Memorandum Mirëkuptimi është lidhur me synimin për të rritur dhe zhvilluar bashkëpunimin ndërmjet pjesëmarrësit dhe nuk përbën një marrëveshje ndërkombëtare të detyrueshme për shtetet pjesëmarrëse sipas ligjit ndërkombëtar. Çdo informacion dhe material i klasifikuar i shkëmbyer ose i krijuar sipas këtij Memorandumi Mirëkuptimi do të përdoret, transmetohet, ruhet, trajtohet dhe ruhet me konfidencialitetin e duhur ndërmjet Pjesëmarrësve që i nënshtrohen legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave. Kjo marrëveshje qëndron në fuqi për 3 vitet e ardhshme duke filluar nga dje, por në tekst parashikohen edhe rastet kur prishen.

Bashkëpunim edhe në fushën e gazetarisë dhe informacionit

Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Anadolu Agency do të mund të marrin materiale nga njëra tjetra në funksion të informimit të qytetarëve të të dy vendeve. Agjencitë mund të marrin artikuj të njëra tjetrës dhe materialet që do të shkëmbejnë përmes internetit nuk mund të ia dërgojnë palëve të treta.   Anadolu Agency do të pajisë Agjencinë Telegrafike Shqiptare me një fjalëkalim ku do të ketë akses në rrjet në artikujt në gjuhën shqipe dhe angleze  me kushtin që nuk do t’i jepen palëve të treta. Kjo marrëveshje ka vlefshmëri 1 vjeçare dhe do të rinovohet çdo 12 muaj automatikisht. Rinovimi nuk do të realizohet në qoftë se njëra nga palët kërkon ndalimin e saj.

Marrëveshje mes TKOB dhe Operas e Ministrisë së Kulturës turke

Një protokoll bashkëpunimi është firmosur mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Operas dhe Baletit Shtetëror të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë. Palët kanë nënshkruar këtë marrëveshje për të zgjeruar bashkëpunimin artistik dhe kulturor.

Qëllimi i këtij protokolli bashkëpunimi është krijimi i kushteve për realizimin e përbashkët të performancave midis dy institucioneve kulturore.  Palët marrin pjesë në produksione të përbashkëta të performancave, shkëmbime autorësh, artistësh dhe profesionistësh të ndryshëm dhe në firma të tjera bashkëpunimi në punët e teatrit të cilat janë në interes të dy palëve. Palët angazhohen mbi bazën e bashkëpunimit të ndërsjellët të promovojnë njëra–tjetrën në lidhje më shfaqjet e trupave në festivale apo projekte të tjera teatrore, në kuadër të realizimit të programeve dhe veprimtarive të tyre. Çdo aktivitet i kryer sipas këtij protokolli, nga cilado nga Palët, do të bëhet në përputhje me ligjet rregulloret dhe procedurat e brendshme të palës përkatëse. Ky Protokoll Bashkëpunimi hyri në fuqi në momentin e nënshkrimit dhe do të mbetet i vlefshëm për një periudhë 1 vjeçare.  Secila Palë mund të përfundojë këtë Protokoll Bashkëpunimi në çdo kohë duke njoftuar me shkrim Palën tjetër për këtë qëllim. Në këtë rast, Protokolli i Bashkëpunimit do të ndërpritet gjashtë (6) muaj pas datës së marrjes së njoftimit.

Bashkëpunim në fushën e arkivave, marrëveshja e 2 drejtorive

Në marrëveshjen e firmosur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe asaj të Turqisë,  thuhet se qëllimi është promovimi i bashkëpunimin midis institucioneve të tyre në bazë të reciprocitetit dhe në përputhje me legjislacionin e tyre kombëtar në fuqi. Pjesëmarrësit do të kryejnë kërkime në përputhje me legjislacionin e tyre kombëtar, do të shkëmbejnë shembuj të dokumenteve arkivore, gjithashtu edhe guida, inventarë dhe mjete të ngjashme kërkimore të botuara për dokumentet arkivore me qëllim pasurimin e arkivave. Shqipëria dhe Turqia angazhohen në marrëveshje se do të shkëmbejnë ekspertë në fushën e arkivave, në mënyrë që të ndajnë njohuritë e teknologjive elektronike dhe moderne dhe aktivitet e kryera në arkivat e tyre mbi restaurimin.  Palët do të shkëmbejnë botime mbi arkivat, do të organizojnë takime shkencore dhe ekspozita në arkiva dhe do të marrin pjesë në këto ekspozita me dokumentet që ruhen në arkivat. Çdo informacion (dokument, program kompjuterik, të dhëna, etj.) dhe pajisje e shkëmbyer që do të kryhet sipas këtij protokolli nuk do të ndahet me palët e treta pa miratimin me shkrim të të dy palëve.

Marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e Rinisë dhe Sporteve

Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë dhe ajo e Rinisë dhe Sporteve të Turqisë kanë firmosur marrëveshjen për bashkëpunim në fushat e rinisë dhe sporteve, bashkëpunim i cili sipas marrëveshjes do të kontribuojë në promovimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe popujve.

Palët inkurajojnë bashkëpunimin në çështjet vijuese brenda kuadrit të reciprocitetit, me qëllim promovimin dhe forcimin e marrëdhënieve të ndërsjella midis të rinjve, organizatave rinore dhe sportive të të dy vendeve. Për rininë parashikohen vizita të ndërsjella nga autoritetet përkatëse dhe ekspertët që punojnë në fushën e rinisë, me qëllim bashkëpunimin në politikën rinore dhe punët e të rinjve. Gjithashtu shkëmbim i përvojës dhe njohurive rreth zhvillimit të udhëheqjes së të rinjve, sipërmarrjes, inovacionit dhe kampeve rinore dhe garantimi i pjesëmarrjes së ndërsjellë të të rinjve në kurse, konferenca rinore, seminare mësimore për të rinjtë, simpoziume dhe programe të organizuara në të dy vendet; Mbështetja e shkëmbimit të ndërsjellë të njohurive, dokumenteve dhe botimeve ku të rinjtë janë drejtpërdrejt përfitues ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave joqeveritare që punojnë në fushën e rinisë dhe inkurajimi i bashkëpunimit të tyre;  Zhvillimi dhe promovimi i aktiviteteve të përbashkëta që do të mundësojnë të rinjtë e secilit vend të jenë të vetëdijshëm për trashëgiminë kombëtare, shpirtërore, kulturore dhe jomateriale që i përket njërës prej Palëve apo të dy Palëve, duke nxitur punën për  zhvillimin e tolerancës, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe heqjes dorë nga paragjykimet për të rinjtë; Shkëmbimi i përvojave për mësimdhënien e sportit në shkolla, kurrikulën e edukimit fizik dhe trajnimin e mësuesve të edukimit fizik; Zhvillimi i politikave në mbështetje të zhvillimit individual, shoqëror, kulturor dhe artistik dhe mbështetja e aktiviteteve artistike dhe lidhjeve kulturore; Rritja e ndërgjegjësimit të të rinjve për një stil të shëndetshëm të jetesës dhe zhvillimi i programeve në këtë drejtim, duke mbështetur zhvillimin e tyre fizik, psikologjik dhe shoqëror; Organizimi i programeve të shkëmbimit të të rinjve dhe popullarizimi i projekteve vullnetare të ndërsjella dhe dhënia e rëndësisë aktiviteteve që do të rrisin ndërgjegjësimin kundër varësisë nga droga dhe varësisë nga sjellja e keqe; Zhvillimi i projekteve dhe programeve që parandalojnë varësinë dhe shkëmbimi i përvojave; Mbështetja e organizimit të programeve të praktikës mësimore midis organeve përkatëse në fushën e të rinjve dhe fusha të ngjashme, brenda mundësive.

Për sportin parashikohet shkëmbimi i vizitave të zyrtarëve të lartë dhe ekspertëve; nxitja e bashkëpunimit midis organizatave sportive të të dy vendeve për të lehtësuar në organizimin e seminareve shkencore, konferencave dhe hulumtimeve reciproke; Shkëmbimi i informacionit, publikimit, të dhënave dhe materialeve mësimore në fushën e sportit dhe edukimit fizik; bashkëpunimi që synon të përmirësojë arritjet sportive të dy vendeve fqinje, duke përfshirë kampin stërvitor, ndeshjet miqësore dhe trajnimet e ndërsjella në funksion të afërsisë së të dy vendeve; Bashkëpunimi në luftën kundër dopingut në sport; Promovimi dhe zhvillimi i sporteve tradicionale mbi baza të ndërsjella; shkëmbimi i njohurive dhe informacionit në lidhje me sportin me rezultate të larta dhe edukimin fizik, duke përfshirë rezultatet e studimeve shkencore, si dhe teknologjitë më të fundit, të cilat përfshijnë sportet olimpike dhe paraolimpike; shkëmbimi i informacionit mbi objektet sportive, duke përfshirë informacionin në lidhje me rregullimin, zhvillimin dhe rinovimin e objekteve sportive masive; Mbështetja e reklamimit të ndërsjellë të potencialit dhe mundësive të turizmit sportiv të të dy vendeve.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?