Palestinezë

Bota

Marrëzia e Donald Trump, që do t'i turpërojë Shtetet e Bashkuara

6 Shkurt, 13:28| Përditesimi: 6 Shkurt, 13:32

  • Share

Më shumë se pesëqind vjet më parë, Machiavelli, filozofi i praktikës politike dhe republikanizmit modern, sugjeroi, në “Diskurset mbi Livy-in”, se “nganjëherë është veprim shumë i mençur që të bësh si i marrë”.

Richard Nixon, sipas shefit të tij të shtabit, H. R. Haldeman, me sa duket arriti në një përfundim të ngjashëm, duke thënë: “E quaj Teoria e të Çmendurit, Bob. Unë dua që vietnamezët e veriut të besojnë se kam arritur pikën ku mund të bëj gjithçka për të ndaluar luftën. Ne thjesht do t’u japim fjalën atyre se, ‘për hir të Zotit, ju e dini se Nixon është i fiksuar pas komunizmit’. Nuk e mbajmë dot kur zemërohet - dhe ai ka dorën mbi butonin bërthamor’ - dhe vetë Ho Chi Minh do të vinte në Paris pas dy ditësh duke u lutur për paqe”.

Të martën, Presidenti Trump u shfaq së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Dhomën Lindore në Shtëpinë e Bardhë dhe deklaroi se dy milionë palestinezët në Gaza duhet të dëbohen me forcë nga Rripi.

Shtetet e Bashkuara do të “marrin përsipër” Gazën dhe do ta “zotëronin” atë.

Palestinezët, pasi kishin vuajtur dhjetëra mijëra vdekje dhe shkatërrimin e shtëpive, shkollave, xhamive, spitaleve dhe aspekte të panumërta të infrastrukturës, me sa duket nuk do të kishin asgjë për të thënë për asnjë nga këto dhe do të dërgoheshin… gjetkë. Egjipt, Jordani. Kudo qoftë.

Nuk dukej se kishte rëndësi për Trump që një politikë e tillë përfaqëson spastrim etnik.Nuk ka më interes për moralin kur duhet mbyllur një marrëveshje e pasurive të paluajtshme.

“Kemi mundësinë për të bërë diçka që mund të jetë fenomenale, dhe unë nuk dua të jem tërheqës, nuk dua të jem një djalë i mençur, por Riviera e Lindjes së Mesme - mund të jetë diçka që mund të jetë kaq - mund të jetë kaq madhështore”, tha Trump.

(Riviera: “Një vend plot diell për njerëzit me hije”, siç thoshte W. Somerset Maugham.)

“Ne do të sigurohemi që kur të përfundojë të jetë e klasit botëror”, vazhdoi Trump, duke u hedhur sërish në fushën e pasurive të paluajtshme.

Siç kishte vënë në dukje më herët gjatë ditës, “nuk duhet të jetë një zonë, por merrni disa zona të caktuara dhe ndërtoni banesa të një cilësie vërtetë të mirë, si një qytet i bukur, si një vend ku ata mund të jetojnë dhe të mos vdesin, sepse Gaza është një garanci që ata do të përfundojnë duke vdekur”.

Netanyahu shprehu besimin se plani “do të sjellë paqen me Arabinë Saudite dhe me të tjerët”.

Sauditët lëshuan një deklaratë zyrtare duke refuzuar propozimin e Trump-it, por yes-men (një burrë që pajtohet me gjithçka që thotë dikush – ed.) e sapokrijuar performuan në sinkron: Sekretari i Shtetit Marco Rubio shkroi në Twitter se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të udhëheqin dhe ta bëjnë Gazën përsëri të bukur”.

Ndërsa Trump fliste, Netanyahu nuk mundi t’i rezistonte me një ngërdheshje kaq të plotë sa duhet t’i ketë dhembur pas njëfarë kohe.

Ai nuk mund të imagjinonte një dhuratë më të madhe nga presidenti amerikan apo sigurimin e një mbrojtjeje më të madhe politike në shtëpi.

Mirënjohja e tij ishte e pakufishme dhe e dinte aq mirë sa të mos kursente lajkat.

“E kam thënë edhe më parë, do ta them sërish: ti je miku më i madh që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”, i tha Netanyahu - Trump-it para kamerave.

“Unë besoj, zoti President, se gatishmëria juaj për të depërtuar mënyrën konvencionale të të menduarit, e cila ka dështuar herë pas here, gatishmëria juaj për të menduar ndryshe duke sjellë ide të reja, do të na ndihmojë të arrijmë të gjitha këto qëllime”.

Mbështetësit e Netanyahu-t në shtypin izraelit, si Amit Segal, i Channel 12, e përshëndetën lajmin dhe Itamar Ben-Gvir, një nga udhëheqësit e krahut aneksionist të politikës izraelite, shkroi në Twitter: “Donald, ky duket si fillimi i një miqësie të bukur”.

Amos Harel, gazetari dhe analisti i mirënjohur për Haaretz, të përditshmen liberale, më tha: “Krahun e djathtë e ka kapur euforia këtu. Nuk e kuptojmë dot në asnjë mënyrë. Ndoshta Trump është më shumë deluzional nga sa mendoja. Ai ka më shumë energji se Biden, por… wow“.

Kjo nuk është hera e parë që familja Trump, e cila ka bërë investime të konsiderueshme financiare në rajon në vitet e fundit, ka përfytyruar në të ardhmen potencialin turistik të Gazës.

Shkurtin e kaluar, dhëndri i Trump, Jared Kushner, tha në një intervistë në Universitetin e Harvard-it se “pronat e Gazës pranë detit mund të jenë shumë të vlefshme… Është paksa fatkeqe situata atje, por nga këndvështrimi i Izraelit do të bëja çmos për t’i larguar njerëzit dhe më pas për ta pastruar atë”.

Kushner është tërhequr nga politika e Shtëpisë së Bardhë, duke mbetur për momentin në Miami, por ai e sheh veten si një strateg të madh në Lindjen e Mesme.

Në Harvard, ai tha se “njohja në mënyrë proaktive” e një shteti palestinez do të ishte një “ide super e keqe”.

Pasi pashë Trump-in dhe Netanyahu-n, fola me Mkhaimar Abusada, një shkencëtar politik në Universitetin Al-Azhar, në Gaza, i cili ka dhënë mësim këtë vit në Universitetin Northwestern.

“Jam në depresion, o burrë”, më tha ai.

“As nuk e di se çfarë do të ndodhë, por e di se palestinezët janë kundër kësaj dhe preferojnë të jetojnë në tenda dhe në rrënojat e shtëpive të tyre të shkatërruara sesa të largohen. Dhe ne të gjithë e dimë se vendet fqinje, Egjipti dhe Jordania, i kanë thënë jo kësaj ideje”.

Mbreti Abdullah II, i Jordanisë, dhe Presidenti Abdel Fattah El-Sisi, i Egjiptit, të dy e shohin një rritje të popullsisë palestineze në vendet e tyre si një kërcënim demografik dhe politik për regjimet e tyre.

Gjithashtu, edhe pse të dyja vendet kanë traktate të gjata paqeje me Izraelin, është e paqartë se si propozimi i Trump-it dhe kënaqësia e Netanyahu-t në shpalljen e tij mund të ndikojnë në këto marrëveshje.

Aaron David Miller, një diplomat dhe analist veteran i Lindjes së Mesme, më tha se “po i pëlciste koka” ndërsa shikonte Trump.

“Në njëzet e shtatë vjet që kam punuar për demokratët dhe republikanët, nuk kam dëgjuar kurrë një konferencë të tillë shtypi”, tha ai.

Miller, natyrisht, është i vetëdijshëm se qëllimi i Trump, gjithmonë, është të trondisë, të luajë rolin e të çmendurit, dhe në këtë mënyrë të frikësojë rivalët e tij dhe të ndryshojë kushtet e diskutimit.

Ndoshta, po e them kot, gjithçka do të davaritet, sugjeroi Miller.

Trump zakonisht thotë gjëra fyese, vëzhgon se si priten ato dhe, shpeshherë, distancohet nga provokimet e tij.

(A do të pushtojë Groenlandën? Kanalin e Panamasë? Apo ta bëjë Kanadanë shtetin e 51-të?)

Ndoshta Trump mendon se do të jetë në gjendje të mbështesë Netanyahu-n në shtëpi dhe të alarmojë aq thellë liderët e tjerë të Lindjes së Mesme, saqë do të jetë në gjendje të shtyjë Iranin drejt një marrëveshje që i jep fund ambicieve të tij bërthamore dhe të përfundojë një zgjidhje më të gjerë rajonale me bashkëpunimin saudit.

Ose ndoshta performanca e fundit e Trump është në vazhdën e strategjisë së “përmbytjes së zonës” me kaq shumë kaos dhe retorikë mashtruese, dhe me kaq shumë propozime dhe emërime për të cilat ndryshon mendjen, saqë, ndërsa kryesia kolektive e establishment-it pëlcet çdo orë, ai realizon të paktën disa nga ambiciet e tij më të dashura.

E megjithatë, duket e pashmangshme që e gjithë kjo marrëzi do ta ketë një çmim.

Miller paralajmëroi se, megjithëse Trump mund të tërhiqet nga propozimi i tij për spastrim etnik dhe krijimin e Rivierës, një performancë e tillë dërgon një mesazh veçanërisht të rrezikshëm: “Është një shenjë për Putin-in që ai mund të mbajë territorin që ka marrë në Ukrainë, dhe për Xi (Jinping), i cili tani mund të ketë më shumë besim për vendosjen e një bllokade të Tajvanit në përgatitje për një pushtim. E gjithë kjo pasqyron mendësinë e një burrështetasi joserioz”.

Nixon e konsideronte veten një mendimtar të thellë mbi strategjinë globale.

E megjithatë, është e rëndësishme të kujtojmë se, edhe pse mund ta kishte bindur veten se veprimi i tij do t’i jepte fund udhëheqjen e Vietnamit të Veriut, ajo luftë e jashtëligjshme përfundoi me disfatën amerikane.

Në mënyrë të ngjashme, kërcënimet e fshehura bërthamore të Putin-it gjatë luftës së tij kundër Ukrainës, dhe kërcënimet e Trump për “zjarr dhe tërbim” kundër Koresë së Veriut, në vitin 2017, vështirë se rezultuan vendimtare, aq më pak konstruktive.

Vendimi i presidentit për të vendosur, përsëri, një shfaqje kaotike kapadaillëku – një zbatim i Teorisë së të Çmendurit, nëse ishte e tillë – jo vetëm që nuk do të sjellë një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme por do t’i turpërojë Shtetet e Bashkuara./New Yorker

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shkodrani: 06/02/2025 14:10

    Napoletanet kane nje shprehje dialekti interesante, qe thote: "Faje ‘o scemo pe’ nun ghji’ a’ guerra" (Fai lo scemo per non andare in guerra / ben rolin e te cmendurit per te mos shkuar te luftoje). Rasti i Trump eshte sui generis, sepse Trump "Fa 'o scemo pe' ghji' a' guerra" (ben rolin e te cmendurit per te shkuar ne lufte). Dmth. ai po vepron si i cmendur, por pjesa me e madhe e njerezimit, perfshire edhe amerikanet (nga pervoja e pare presidenciale) e dine realisht qe ai eshte i cmendur dhe ketu nuk ka dileme. Amerikanet kane zgjedhur te drejtohen nga nje i cmendur, sepse drejtuesit e zgjuar nuk ia zgjidhen problemet e veta! Ka filluar shkaterrimi i botes, o njerez!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?