Raportet mjekësore për paaftësi të përkohshme nuk do të merren më me letër por do të jepen në e-Albania. Lajmi u bë i ditur nga Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj e cila njoftoi shërbimin e dedikuar në e-Albania.
“Raportet mjekësore jepen nga sot në e-Albania, pa radhë, pa kosto, pa lekë nën dorë. Prej vitesh, marrja e një raporti mjekësor ishte kthyer në problem më vete. Tashmë raportet me letër janë pjesë e së shkuarës. e-Albania mundëson marrjen e raportit mjekësor me nënshkrim elektronik, në transparencë të plotë. Dokumenti me nënshkrimin e mjekut sjell një lehtësi të madhe për punëdhënësit dhe punëmarrësit”, tha Karçanaj.
Hapat e aplikimit për një raport mjekësor janë të thjeshtë në e-Albania. Tashmë, pas vizitës, pacienti merr nga mjeku një kod që e paraqet pranë punëmarrësit. Vërtetësia e dokumentit bëhet menjëherë nga ana e punëmarrësit përmes sistemit të kontrollo.eraporte.gov.al. Me vendosjen e Kodit, punëdhënësi gjeneron të dhënat e punëmarrësit dhe periudhën e paaftësisë në punë.
Ky shërbim elektronik shmang vonesat në radha dhe padrejtësitë e mundshme në marrjen e raporteve mjekësore, që ishin një problem i trashëguar si për punëmarrësit ashtu edhe për punëdhënësit.