Pas takimit me ministrin e Jashtëm të Austrisë të hënën në Vjenë, komisionerja evropiane, Marta Kos, ka folur për zhvillimet aktuale në Serbi, duke e përshkruar situatën atje si problematike për raportet midis Beogradit dhe Brukselit.
“Në Beograd kemi një problem”, deklaroi Kos në konferencë, duke iu referuar gjuhës së udhëheqësve më të lartë të Serbisë kundër Bashkimit Evropian. Ajo reagoi veçanërisht ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për të cilin paralajmëroi se “retorika anti-BE” nuk ndihmon aspak në përmirësimin e imazhit të Serbisë në Evropë.
Kos kritikoi ashpër fyerjet ndaj deputetëve të Parlamentit Evropian, të cilët morën pjesë në një prej protestave në Beograd, duke theksuar se “kur eurodeputetët quhen ‘plehra’, kjo tregon një keqkuptim të thellë për parimet bazike të demokracisë”.
Ajo kërkoi përmbushje të angazhimeve që Serbia i ka marrë së fundmi ndaj Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe ndaj saj personalisht. Kos skicoi edhe një “plan” për të dalë nga kjo krizë, duke përmendur tri shtylla kryesore.
“Ngritja e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe efektiv në luftën kundër korrupsionit; funksionimi i lirë dhe i pavarur i mediave; dhe ndryshimi i ligjit zgjedhor që garanton se vetëm vullneti i popullit do të vendosë shumicën në parlamentin e Serbisë”, tha Kos.
Kos shtoi gjithashtu se respektimi i të drejtave themelore të njeriut, përfshirë të drejtën për protesta paqësore, është thelbësor për një shoqëri demokratike. Ajo bëri thirrje që autoritetet serbe të sigurojnë që forcat e rendit të ushtrojnë detyrtën e tyre në mënyrë proporcionale dhe të drejtë, duke shmangur përdorimin e forcës së tepërt policore.
Komente
