Martini dhe Cungu ishin favorit, Plori: Përse zgjodhëm Memellin trajner? Është i ri dhe entuziast

7 Qershor 2023, 12:24| Përditesimi: 7 Qershor 2023, 13:11

  • Share

Migen Memelli, ish-trajner i Skënderbeut dhe futbollist i disa skuadrave në Superligë, është trajneri i ri i Vllaznisë. 43-vjeçari nga Lushnja gjatë prezantimit të tij thotë se drejtimi i Vllaznisë është një përgjegjësi e madhe.

“E di që është një punë shumë e vështirë të jesh trajner i Vllaznisë. Unë do ta bej edhe pse ka një përgjegjësi shumë të madhe. Do mundohem të jem një njeri i ndershëm, një njeri sa më punëtorë, që të përligj besimin që më dha Vllaznia,”-u shpreh Migen Memelli, trajner i Vllaznisë.

Vllaznia do të nisë me 12 qershor grumbullimin për Kupat e Europës, ndërsa Memelli zbuloi edhe objektivat që ka për ekipin.

“Të formojmë një skuadër sa më konkuruese. Të hedhim hapa të vegjël dhe të sigurtë. Nisur nga kjo, që është edhe detyrë e jonë, nga nesër të nisim punën për të formuar një ekip sa më prestigjoz për qytetin, tifozët dhe vetë klubin,”-tha Migen Memelli, trajner i Vllaznisë.

Ndihmësi i Memellit te Vllaznia do jetë ish-kapiteni Ndriçim Shtubina, i cili pasi la rolin e drejtorit te Egnatia tani do jetë zëvendës trajneri i shkodranëve.

“Jam shumë i lumtur sepse është një ëndërr e imja të bëhem realitet. Të kthehesh te Vllaznia duke marrë një rol të rëndësishëm është përgjegjësi por edhe një shpërblim për punën që kam bërë ndër vite. Gjithsesi gjërat duhen marrë me rradhë dhe të fillojmë punën sa më shpejt,”-deklaroi Ndriçim Shtubina, zv/trajner i Vllaznisë.

Sakaq drejtori sportiv i Vllaznisë tregoi se përse zgjodhën Memellin në një kohë kur fliteshin shumë emra.

“Është një strategji dhe një model i ri që ne kërkojmë të kemi në klub. Të kemi entuziazëm, trajner të ri, ambicioz, i cili punon fort dhe të marrë më të mirën e të gjithë lojtarëve,”-tha Elvis Plori, drejtor sportiv i Vllaznisë.

Emërimi i Memellit te Vllaznia ishte surprizë, pasi për këtë rol ishin përfolur emrat e Edi Martinit dhe Armando Cungut, dy shkodranë të cilët kanë edhe shumë eksperiencë në drejtimin e klubeve të Superligës.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?