'Marubit', i dhurohen rreth 20 mijë negativë të Safetit e Gjylzades, i biri dhe nipi Namik Dokle rrëfejnë historinë e rrallë të çiftit që jetoi me pasionin për fotografinë

13 Maj 2022, 19:11| Përditesimi: 14 Maj 2022, 09:38

  • Share

Etnografia, momente me peshë historike, apo përditshmëria, janë me mijëra imazhet që mbajnë firmën e çiftit të fotografëve Safet e Gjylzade Dokle e të shtrira në kohë, prej fundit të viteve ’30 e fillimit të viteve ’80.

“Një nga fotografitë e para që ka bërë Safeti është fotografia e një vajze që më vonë u bë gruaja e tij dhe bashkëpunëtorja e tij gjatë 50 viteve të fotografimit. Ai kurrë nuk e ndante aparatin nga trupi, e kishte pjesë të tij, i pëlqente të realizonte fotografi artistike. ”, thotë nipi i Safetit, shkrimtari Namik Dokle.

 Arkivi gjysmëshekullor i çiftit nga Kukësi përbën një nga koleksionet më të mëdha fotografike, ku nuk mungojnë as personazhe të njohur.

Trashëgimtarët mendojnë se kjo pasuri duhet t’i përkasë të gjithë shqiptarëve, ndaj ia dhurojnë këtë të premte Muzeut Kombëtar të Fotografisë “MARUBI”.

“Janë dhuruar 841 filma që kanë 19 mijë e 458 negativë, janë mbi 9 mijë fotografi të stampuara”, tregon i biri Ramadan Dokle. 

Është e rrallë historia e Safetit, që siç tregojnë të afërmit e mori aparatin në dorë  që në vitet ’30, kur ishte në të trembëdhjetat e tij. Në pamundësi zgjedhjesh, zhvillonte fotografinë me dritën e diellit, e i tregonte të gjithëve  përmes imazhit jo vetëm Kukësin ku jetonte, por të gjithë verilindjen e madje edhe ç’ndodhte përtej saj.

“Kemi pasur tek shtëpia edhe laboratorin e ndërtuar nga im atë, dhoma e errët siç e quante ai. Ai e ndërtoi çdo gjë në të vetë, bashkë me pajisjet dhe 33 nga ato objekte po ashtu ia dhuruam ‘Marubit’”, shton më tej Ramadani.

Bashkudhëtarë të këtij rrëfimi përmes imazhit që u zgjat më tej në diktaturë, u bë edhe bashkëshortja e tij prej vitit 1952.

“Dy elementë e kanë mbajtur gjallë këtë fototekë, pasioni i Safetit  për fotografinë dhe puna e palodhur e Gjylzades”, thotë shkrimtari.

Nuk ka qenë e lehtë për fëmijët, që këtë trashëgimi ta ruanin deri në ditët e sotme.

“Kjo fototekë fillimisht, që në vitin 1984 iu dhurua Muzeut të Kukësit, por atje u keqtrajtua dhe shumë filma humbën”, thotë Dokle. 

E megjithatë, ky koleksion tanimë duket se ka gjetur udhën e vet, e Safeti me Gjylzaden prehen të qetë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?