Politikë

'Berisha në arrest vetëm se nuk respektoi detyrimin e paraqitjes', Kushtetuesja zbardh vendimin, konfirmon dopio standardin e SPAK për të akuzuarit me korrupsion: "Provat ruhen edhe me arrest shtëpie”

7 Mars, 10:11| Përditesimi: 7 Mars, 15:15

  • Share

TIRANE-  Arrestimi i Sali Berishës dhe mbyllja e tij në shtëpi në fund dhjetorin e vitit 2023 është bërë për arsyen kryesore se nuk respektoi masën e parë të vendosur ndaj tij, atë të detyrimit të paraqitjes. Argumenti është certifikuar edhe nga institucioni më i rëndësishëm i drejtësisë në vend, Gjykata Kushtetuese, e cila ka zbardhur vendimin këtë të premte.

Vendimi është i rëndësishëm, duke pasur parasysh se vetë Berisha por edhe shumë drejtues në PD dhe analistë afër Berishës kanë tentuar të mos e lidhin masën e arrestit ndaj Berishës me masën e parë ndaj tij, detyrimin e paraqitjes, një masë goxha e lehtë edhe pse i rëndonte akuza e korrupsionit pasiv. Me të njëjtën akuzë të rëndë janë në burg edhe politikanë të tjerë të rëndësishëm në vend, si Ilir Meta apo edhe së fundmi rasti i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ky standard i dyfishtë i SPAK vërtetohet tashmë edhe në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese, që e thotë qartë në pikën 56 të tij, ku i jep përgjigje të drejtpërdrejt pretendimit të Berishës se procedura e zhvilluar në Kuvend ka qenë e paragjykuar politikisht. Gjykata Kushtetuese thotë e zeza në të bardhë se

“Procedura parlamentare për dhënien e autorizimit për heqjen e lirisë së kërkuesit është vënë në lëvizje për shkak të mospërmbushjes nga kërkuesi të detyrimeve të vendosura më parë nga gjykatat, konkretisht për zbatimin e masës së sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, është një tjetër tregues i rëndësishëm i faktit që ajo (procedura) nuk ka qenë e ndikuar politikisht”.

Për rrjedhojë në vendimin e arsyetuar thuhet qartë se ndryshe nga sa pretendon Berisha, Kushtetuesja çmon se procedura e zhvilluar nga Kuvendi për dhënien e autorizimit nuk ka qenë e paragjykuar politikisht dhe pretendimi i tij në këtë drejtim nuk është i bazuar.

Me argumente të ngjashme Gjykata Kushtetuese I rrëzon Berishës edhe pretendimin se aktet e paraqitura nga SPAK nuk kishin prova të mjaftueshme. Sipas Gjykatës ato ishin të mjaftueshëm për të ngritur dyshimin e arsyeshëm, që janë të domosdoshme që Kuvendi t’i heqë imunitetin.

Gjykata Kushtetuese gjithashtu e thotë qartë se të gjitha vendimet e gjykatave të themelit, GJKKO e shkallës së pare e ajo e Apelit dhe Gjykata e Lartë, e kanë të argumentuar qartë se ndryshimi i masës së sigurisë vjen për shkak se Sali Berisha ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme detyrimet lidhur me zbatimin e masave të mëparshme të sigurimit personal të caktuara, ajo e detyrimit të paraqitjes. (Pika 74).

Në vendim Gjykata Kushtetuese e jep edhe arsyen e mundësisë së prishjes së provave nga ana e Sali Berishës, ku thotë se si ish Kryeministër ai kishte mundësinë të ndikonte.

Kujtojmë se ky është vendimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese për Sali Berishën. Në të parën, atë për marrjen e masës së parë “detyrim paraqitje”, ku Berisha thoshte se duhej marrë leja e Kuvendit Kushtetuesja e rrëzoi unanimisht duke argumentuar se autorizimi nga Kuvendi ishte i panevojshëm.

Aktualisht Sali Berisha, i pandehur për dosjen Partizani akuzohet se ndikoi me pushtetin e tij që dhëndri të privatizonte ish kompleksin Partizani, është në masën e detyrimit të paraqitjes, të cilën po e zbaton, i vetëdijshëm edhe vetë se mund të rikthehet në arrest.

Masa e sigurisë 'arrest shtëpie' u dha Berishës nga GJKKO më 30 dhjetor 2023 po me kërkesë të SPAK, dy muaj pasi Berisha refuzonte të zbatonte 'detyrimin me paraqitje para prokurorisë',për këtë kërkesë SPAK fillimisht kërkoi autorizimin e Kuvendit. Masa iu  hoq më 27 nëntor 2024  po nga GJKKO. 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

 

S.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se SPAK po e heton siç duhet masakrën e Gërdecit?