Bota

Masakër në burgun e Republikës Demokratike të Kongos: Më shumë se 150 gra të burgosura përdhunohen dhe digjen për vdekje

6 Shkurt, 16:50| Përditesimi: 6 Shkurt, 16:56

  • Share

Më shumë se 150 gra të burgosura u përdhunuan dhe më pas u dogjën për vdekje gjatë një arratisjeje masive nga burgu në Goma, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos (RDK). Sipas një zëdhënësi të Kombeve të Bashkuara, të burgosurit meshkuj, gjatë arratisjes, i vunë zjarrin burgut, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë.

Zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Seif Magango, deklaroi për CNN se shumica e 165 grave të dhunuara vdiqën në zjarr, ndërsa nga 9 deri në 13 gra, të gjitha viktima të përdhunimit, arritën të mbijetonin.

“Ne nuk e kemi verifikuar në mënyrë të pavarur raportin e zyrtarit gjyqësor, por e konsiderojmë rrëfimin e tij si të besueshëm,” tha ai.

Ngjarja ndodhi më 27 janar, kur të burgosurit organizuan një arratisje masive, ndërkohë që forcat rebele të grupit M23 po luftonin me ushtrinë kongoleze për kontrollin e qytetit. Disa nga të burgosurit meshkuj u vranë nga rojet e burgut, ndërsa shumica arritën të largoheshin.

Ministri i Komunikimit i RDK-së, Patrick Muyaya, konfirmoi përdhunimin e 165 grave dhe e dënoi ngjarjen si një "krim barbar". Ai u shpreh se qeveria do të marrë masa për të hetuar dhe ndëshkuar autorët e këtij akti të tmerrshëm.

Dhuna seksuale, një plagë e hapur në RDK

Masakra në burgun e Gomas është vetëm një shembull i dhunës seksuale që ka pllakosur Republikën Demokratike të Kongos për dekada. Sipas Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, janë raportuar edhe raste të tjera të përdhunimeve nga forcat qeveritare.

“Të paktën 52 gra janë përdhunuar nga trupat kongoleze në provincën e Kivu Jugor, përfshirë disa raste të përdhunimeve në grup,” deklaroi zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Jeremy Laurence. OKB është duke verifikuar këto raporte dhe ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga autoritetet e RDK-së.

M23 kërkon armëpushim pas mijëra viktimave

Ndërkohë, grupi rebel M23, i cili pretendon se ka marrë kontrollin e qytetit të Gomas, ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Përplasjet mes forcave qeveritare dhe rebelëve kanë shkaktuar gati 3,000 viktima, duke thelluar krizën humanitare në rajon.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar veprime të menjëhershme për të ndalur dhunën dhe për të mbrojtur civilët, veçanërisht gratë dhe vajzat, të cilat vazhdojnë të jenë viktima të krimeve mizore në konfliktin e përgjakshëm në RDK.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?