Fran Marashi ka kërkuar pafajësi gjatë mbrojtjes së tij në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ai pretendoi se nuk ka gisht në masakrën e Urës Vajgurore të 17 qershorit 1997, ku u vranë 4 efektivë policie dhe u plagosën 6 të tjerë.
Vendimi për fajësinë ose jo të tij do të merret më 26 shtator, teksa SPAK ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë që e dënoi përjetë.
Marashi mbahet prej kohësh në regjimin e posaçëm 41-bis.
Ngjarja e rëndë, për të cilën akuzohet, u rigjykua sërish në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion pas rikthimit të çështjes nga Gjykata e Lartë. Përveç Fran Marashit, me burg përjetë janë dënuar edhe Musa Protoduari si dhe Shkëlqim Protoduari, si dhe disa persona të tjerë me 25 vite burg.
“I bëj thirrje organit hetues të thellohet në hetimin e kësaj ngjarjeje dhe të zbulojë autorët e vërtetë. Nuk kam gisht në këtë ngjarje”,- është shprehur Fran Marashi në sallën e gjyqit.
Në seancë, mbrojtja kërkoi që në rast fajësie, të aplikohet gjykimi i shkurtuar. Të pranishëm ishin edhe familjarë të viktimave, ku pati edhe një dialog mes njërit prej tyre dhe Fran Marashit.
Familjari: Jam rritur jetim.
Marashi: Ti ke të drejtë të kërkosh drejtësi, por nuk kam gisht në ngjarje.
Kur ndodhi masakra?
Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e policisë ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur janë qëlluar me armë 150-200 metra larg vilës së Protoduarëve. Autoblinda e policisë ka ulur kapakët dhe është nisur në drejtim të sheshit në qendër të qytetit, por pa bërë 50-60 m rrugë, është goditur nga një predhë antitank nga vila e Protoduarëve.
Dëshmitari okular Lulzim Nexhipi ka thënë se në këtë moment mbi blindin e policisë janë hedhur shishe me lëndë djegëse si dhe është parë Lek Lorja e Fran Marashi që kanë hipur në tank. Pas kësaj janë dëgjuar dy gjuajtje të fuqishme dhe blindi ka marrë zjarr, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen duke u djegur brenda në blind policët Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami dhe Ilia Bano si dhe janë plagosur dy policë Thimi Tanku dhe Ylli Dhamo.
Nga të shtënat u vra edhe një qytetar Ilir Bani, i cili ndodhej në atë moment rastësisht. Sipas prokurorisë, autorë të krimit ishin anëtarët e bandës së drejtuar nga familja Protoduari.
Që prej 13 dhjetorit të 2024-ës Fran Marshi ishte i izoluar në regjimin 41 Bis.
Komente
