Kronikë

Masakra e 2 prillit 1991 në Shkodër, Basha: Kjo ditë i jep kuptim të veçantë edhe lëvizjes tonë sot, lavdi martirëve

2 Prill 2021, 09:00| Përditesimi: 2 Prill 2021, 14:48

  • Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përkujtuar sot 30-vjetorin e Masakrës së 2 prillit, kur në Shkodër u vranë 4 djem të rinj nga sistemi komunist.  

Basha shkruan se 'kjo ditë i jep një kuptim të veçantë dhe lëvizjes që ne kemi nisur sot'.

"Si sot 30 vjet më parë, më 2 prill 1991, regjimi gjakatar i Partisë së Punës vrau pa mëshirë dhe qëllimisht 4 djem të rinj, bij të Shkodrës dhe pishtarë të demokracisë. Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka u qëlluan nga falangat e regjimit që po jepte shpirt, sepse guxuan t'ia thonë në sy dhe publikisht diktaturës në panik se koha e saj kishte përfunduar dhe shqiptarët kishin zgjedhur lirinë dhe Europën.

Ai lumë njerëzish të lirë që vërshoi në rrugët dhe sheshet e Shkodrës dëshmoi se edhe në momentet më të vështira dhe përballë tiranisë më të pashpirt, shqiptarët janë të gatshëm të përqafojnë lirinë me çdo çmim.  Heronjtë e 2 prillit janë heronjtë e gjithë Shqipërisë. Dëshira, guximi dhe përpjekja për ta bërë Shqipërinë një vend të lirë, ngritën themelet e ndërtimit të një shteti demokratik. Përpjekje nga e cila ne nuk kemi hequr dorë asnjëherë dhe për të cilën punojmë çdo ditë.

Kjo ditë i jep një kuptim të veçantë dhe lëvizjes që ne kemi nisur sot.  30 vite më pas, 2 prilli, emrat e 4 martirëve të asaj dite të zymtë kumbojnë fort në ndërgjegjen tonë dhe na japin sigurinë se jemi në rrugën e drejtë dhe në rrugën e fitores mbi të keqen, të ndryshimit që po vjen për çdo shqiptar, në rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa. Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit", shkruan Basha.


Lajmi kryesor:

30 vite nga masakra e 2 Prillit/ Basha: Kjo ditë i jep kuptim të veçantë lëvizjes tonë sot! Meta: 4 të rinjtë u vranë pabesisht, Shqipëria vuan ende fenomenin e partisë-shtet


K.T.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?