Masakra e 4 shkurtit 1944: Dëshmia e panjohur e sekretarit të Xhafer Devës

5 Shkurt 2023, 20:49| Përditesimi: 5 Shkurt 2023, 20:53

  • Share

Vazhdimisht vrasjet masive të kryera nën pushtetin e urrejtjes e hakmarrjes, mbartin në kohë dhimbje pa fund dhe ndjenja e hakmarrjes dhe e shpagimit, nuk shuhet kurrë. Fatkeqësisht, politika këto data të zeza i ka manipuluar për interesat e saja të pa arsyeshme e vulgare. Ne shqiptarët në këto 50-60 vjet, kemi disa shembuj të tillë vrasjesh masive, të tipit “ndëshkimor” të bëra në situata të tensionuara politike, si: “4 shkurti 1944”, “Vrasjet e Shefqet Peçit në Lumë të Kukësit”, në vitin 1944, “Vrasjet e Shefqet Peçit në Lumë të Kukësit”, në vitin 1944, “Vrasjet në Gurëz të Kurbinit për Rexhë Deliun”, në vitin 1946, “Vrasjet në Mirditë për Bardhok Bibën”, në vitin 1949, “Bomba e ambasadës sovjetike” në vitin 1951, etj. 

Duke i bërë publike shkaqet, motivet, personazhet që kanë marrë pjesë në këto vrasje, si viktimat ashtu dhe vrasësit, besojmë se ndërgjegjësojmë njerëzit dhe mundohemi t’i japim mendësinë se këto vrasje masive, në fund të fundit, janë shprehje e një qytetërimi që s’ka vlerë dhe që ka nevojë të rishikojë vlerat e veta. Duke i shpjeguar këto ngjarje, larg pragmatizmit banal të politikës, unë shpresoj se, duke i ditur ngjarjet ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë, do të ndërgjegjësojmë te qytetërimi ynë një logjik veprimi, më të arsyeshëm e më të kontrollueshëm. Në këtë mendësi, po japim një studim modest për vrasjet e 4 shkurtit 1944.

Po për këtë ngjarje, po japim rrëfimet e dy personave që, kanë qenë aktiv në politikën shqiptare të kohës dhe mjaft të besueshëm në rrëfimet e tyre, për vetë formimin e integritetin e tyre personal dhe funksionet që ata kanë pasur në atë kohë të turbullt politike për Shqipërinë.

Rrëfime e Isuf Shaban Deva, për vrasjet e 4 shkurti 1944

Ky shkrim është bazuar në rrëfimet e zotit Isuf Shaban Deva i cili, në vitin 1943-’44, ka qenë me funksionin e sekretarit të Xhafer Devës, Ministër i Mbrendshem i Qeverisë se Rexhep Mitrovicës. (Dosja Nr.2064/A (Arkivi i Ministrisë se Brendshme).

“Pak ditë mbas kapitullimit të Italisë, Xhafer Deva ndodhej në Prizren ku, më thërret dhe mua. Unë shkova në Prizren së bashku me një delegacion prej Mitrovice, Vuçiterne, Peje dhe vendeve të tjera të Kosmetit (Kosovë e Metohi). Në Prizren u themelua Lidhja e Dytë e Prizrenit. Në krye të Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishin Bedri Pejani, Xhafer Deva, Profesor Mark Gjini etj.

Kryetar i Lidhjes u zgjodh Bedri Pejani. Lidhja e Dytë e Prizrenit, kishte karakter politik. Ajo synonte në organizimin administrativ të Kosmetit, bashkimin e forcave të armatosura dhe së bashku me gjermanët me rujt ketë vend. Armiku kryesor i Kosovës në ketë kohë, ishin çetnikët serbë dhe komunistët. Unë Isuf Deva kamë qenë Sekretar i Lidhjes së Dytë me kuptimin e Administratorit.

Në këtë kohë, në Tiranë formohet Qeveria e Rexhep Mitrovicës, ku Xhafer Deva, merr funksionin e Ministrit të Brendshëm. Xhafer Deva vjen në Tiranë së bashku me Masar Sopotin, Beqir Malokun, dhe Bedri Pejanin, i shoqëruar nga njerëzit e tij besnik, si: Tefik Bekteshi nga Mitrovica, Gani Ibrahimi nga Mitrovica, Nexhip Musa nga Mitrovica, Rram Tutica nga Pazari i Ri, Riza Korashi nga Gjakova dhe Rexhep Budakova nga Prizreni.

Këta kanë qenë anëtarë të Regjimentit “Kosova” dhe na informonin për qëndrimet politike të popullsisë të Tiranës. Gjithashtu na jepnin listat emërore të familjeve dhe personave të lidhur me Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Mua, Xhafer Deva me thërret nga Kosova dhe me cakton sekretarin e tij privat

Në datën 3 shkurt 1944, komunistët i bëjnë atentat dhe vrasin nipin e Xhafer Devës, Fahri Ibrahimi, i cili kishte ardhur në Tiranë për punë dhe nuk merrej me politikë. Me rastin e atentatit që ju bë nipit të Xhafer Devës, në Hotel “Dajti”, u mblodhën së bashku, Tahir Kolgjini, Hysni Dema, Kadri Cakrani, Xhelal Staravecka, Xhelal Mitrovica, Rrok Nallbani, Mato Murati, Beqir Maloku dhe mandej, kur vdiq nipi i Xhafer Devës (Fahri Ibrahimi, u plagos rëndë dhe vdiq mbas pak kohe në spital), këta erdhën në shtëpinë e Xhafer Devës nga ora 19.00, për ngushëllim.

Ishte disa orë para mesnatës së 4 shkurtit të vitit 1944, kur u përpiluan listat e familjeve e personave te Nacionalçlirimtares, mbi të cilin do të binte hakmarrja e terrori. Si u vendos përfundimisht lista në shtëpinë e Xhafer Devës, këta u ngritën dhe shkuan në Ministrinë e Brendshme, unë shkova në shtëpi.

Lista e njerëzve, ka dalë nga arkivat e Xhafer Devës. Në orën 22.30 të kësaj nate, më thërret Xhafer Deva në Ministri ku dhe shkova.

Në zyrën e Xhafer Devës, erdhi dhe Kadri Cakrani, Qazim Mulleti dhe Hysni Dema. Xhafer Deva me urdhëroi që të shkoja te Qazim Mulleti, i cili më caktoi sektorët e veprimit për hakmarrje, mbaj mend se për këtë natë, kishim në dispozicion për të vepruar 200 deri 300 vetë të armatosur, të cilët ishin nga Regjimenti “Kosova”, të Xhandarmërisë dhe elementë besnikë të Kadri Cakranit, Qazim Mulletit etj., të cilët u ndanë në vende të ndryshme.

Drejtimet që duhej të merrnin, i dhanë Xhafer Deva dhe Qazim Mulleti, me vete, grupet e armatosura kishin të gatshëm listat e njerëzve që do arrestoheshin. Në këtë terror, u arrestuan 320 vetë të cilët, qëndronin pranë Ministrisë së Brendshme nëpër burgjet e saj. Përgjegjës për kontrollin dhe arrestimet kanë qenë këta persona: Beqir Maloku, Qazim Mulleti, Mato Murati, Xhelal Staravecka, Hysni Gradeci nga Podujeva, Qemal Mujku nga Mitrovica dhe Ibrahim Murati nga Mitrovica.

Pushkatimi i këtyre, filloi në orën 01 mbas mesnate dhe nëpër rrugët e lagjeve të ndryshme, për qëllim paniku nëpër elementë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare. Viktimat e këtij terrori, u lanë nëpër rrugët e qytetit, deri në mbrëmjen e 4 shkurtit. Në 4 shkurt, unë kam marrë vesh se janë vrarë rreth 80 vetë e, mbi 200 të tjerë u arrestuan e u burgosën. Si është bërë terrori, neve nuk kemi bërë ndonjë mbledhje për të bërë ndonjë llogari mbi veprimtarinë që ishte bërë. Nga të gjithë ata që kanë vrarë më tepër në terrorin e 4 shkurtit, ka qenë Xhelal Staravecka, por sa ka vrarë nuk ma kanë thanë.

Mbas kryerjes së terrorit të 4 shkurtit, midis Qeverisë Mitrovica dhe Ministrit të Brendshëm Xhafer Deva, lindën kontradikta, pasi qeveritarë të ndryshëm të kësaj qeverie, e kritikonin aktin e 4 shkurtit. Në këtë kohë, Lëvizja Komuniste në Kosmet rritet dhe duke u ndodhur në një situatë grindjesh në qeveri dhe përpara rritjes të Luftës Nacionalçlirimtare në Kosovë, Xhafer Deva braktis postin e Ministrit dhe niset në Kosovë, për të shuar Lëvizjen Komuniste, së bashku me njerëzit e tij besnikë. Xhafer Deva në këtë rast, bëhet Kryetar i Lidhjes së Prizrenit.

Dëshmia e Isuf Devës, është marrë nga Ministria e Brendshme!

E para: shumë nga emrat e njerëzve që Isuf Deva implikon në rrëfimet e tij që kanë marrë pjesë në terrorin e 4 shkurtit të vitit 1944, nuk janë përmendur ndonjëherë publikisht në historiografinë komuniste për këtë çështje, gjë e cila le për të dyshuar në vërtetësinë e këtij rrëfimi, njëkohësisht duhet të marrim në konsideratë faktin se, ndaj Isuf Devës, është përdorur dhuna fizike nga organet e Ministrisë së Brendshme dhe rrëfimet janë marrë me dhunë. (Dosja 2064/a f.10.)

Theksoj se në këtë shkrim, kam shkruajtur vetëm një nga format e rrëfimit të Isuf Devës për këtë çështje, sepse hetimi i kësaj ngjarje, është bërë në një kohë relativisht të gjatë dhe ku Isufi, vazhdimisht rrëfehej për këtë çështje, jepte variante të ndryshme në nëmurin e të vrarëve dhe në emrat e pjesëmarrjes në këtë vrasje. Në këto ndryshime, ka diferenca për numrin e njerëzve të vrarë, gjithashtu dhe informacionin për numrin e viktimave e ka të marrë gojarisht nga njerëz të tjerë sepse përdorte vazhdimisht shprehjen (kam mare vesh se atë mbrëmje u ekzekutuan.)

Isuf Deva u arrestua në Zagreb në datën 11.6.1945 nga ana e forcave të U.D.B.-së Jugosllave në datën 24.11.1945, e cila e dorëzoi Isuf Devën në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme Shqiptare, sipas kërkesës së bërë më parë nga qeveria shqiptare, për shumë nga ata persona që ajo i konsideronte si: “kriminelët e luftës”, të cilët ishin larguar nga Shqipëria në nëntorin e ’44-ës dhe ndodheshin në shtete të ndryshme të Perëndimit. Në datën 30.1.1947, Isuf Deva u pushkatua nga Ministria e Brendshme.

Rrëfimi i ish-ministrit Musa Gjylbegu, për vrasjet e 4 shkurtit 1944

Ky rrëfim është bazuar në thëniet e zotit Musa Gjylbegu, me profesion agronom (me arsimim të lartë i diplomuar në Gjermani zotërues i tre gjuhëve të huaja, gjermanisht, italisht e frëngjisht. Z. Gjylbegu, në qeverinë e Rexhep Mitrovicës kishte postin e Ministrit të Botores. Ky material ka dalë nga dosja e tij gjyqësore që gjendet në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë.

“Për ngjarjen e 4 shkurtit, kam këtë dijeni: me 3 Shkurt 1944, në Tiranën e Re, Kadri Cakranit i bënë një atentat, ku ju vranë dy djem që i kishte pas vetes dhe një i plagosur nip, a kushëri, nuk e di se ç’e kish. Aty vritet dhe nipi i Xhafer Devës, djali i vëllait, që ishte me automobilin e Xhaferit, që e kishte marrë ai. Nata që do dihej si nata e 4 Shkurtit, Xhafer Deva me Kadri Cakranin, vendosën të bëjnë terrorin dhe e bënë, në mëngjesin e 4 shkurtit u gjetën 84 njerëz të vrarë.

Unë këtë çështje e mora vesh në mëngjesin e 4 shkurtit, nga një dibran nën punës, që quhej Jemin Çuçi. Ky vjen me një tjetër që i kishin marrë të vëllanë dhe erdhën të më luteshin që të interesohem, t’ja shpëtoj po të ishte gjallë, këta më thanë që na kanë marrë mbrëmë vëllanë, Profesor, kanë marrë dhe të tjerë, por me thanë që interesohemi për vëllanë tonë, mbasi shumë i kanë vrarë.

Unë telefonova në Ministrinë e Brendshme por, Ministri nuk ishte në zyrë, Sekretari privat i tij, Isuf Deva, më tha: “Atë punë e di vetë Ministri por, ai s’është aty, mbasi ka xhenaze në shtëpi, i kanë vrarë nipin”. Unë atëhere shkova te Kryeministri Rexhep Mitrovica dhe ai më foli për vrasjet që janë bërë dhe ai pastaj me tha: djemtë e Kadri Cakranit, për hakmarrje të atentatit, janë çuar e kanë bërë disa vrasje.

Ministria e Brendshme, mbasi nuk kishte forca të mjaftueshme, e pa të nevojshme që të marrë masa mbrojtëse, për ata që ishin të dyshimtë dhe për t’i siguruar i mori dhe i futi në burg, mandej e pyeta se sa të vrarë ka kjo punë, e ai me tha: pesë gjashtë vetë, por hollësi nuk kam akoma, por do t’i marr shpejt. Unë prej këndej shkova tek Mehdi Frashëri, në zyrën e Mehdiut gjeta Lef Nosin, Mihal Zallarin, Lame Karecon, dhe Sotir Kondin.

Mihal Zallari, me këto dy të fundit, kishin vajtur e ishin lut Mehdi Frashërit që, të urdhëronte lirimin nga burgu të Qirjako Haritos, mbasi Harito Harito, atë natë u vra. Ai në prezencën time, premtoi lirimin e tij. Mbasi shkuan ata, e pyeta për ngjarjen se, ç’ka ngja, sikur nuk dija gjë, dhe ai me tha: “Djemtë e Kadri Cakranit, kanë bë një reprezalje për atentatin që i është bërë mbrëmë, ku janë vrarë disa vete, por numri ekzakt nuk dihet”.

Ministria e Brendshme, ka shtirë disa persona të dyshimtë në burg që, të mos vriten dhe këta prej këtyre njerëzve. Me të qitur xhenazen e të nipit, Xhafer Deva, besoj do vijë të më japë sqarime të shkurtra, unë i thashë se, jashtë flitet se janë vrarë 70 apo 80 vetë, ai me tha: Nuk besoj të jenë kaq. Kur erdhi mbas tre katër ditëve Xhafer Deva, në Këshillin Ministrur, ku ishte dhe Këshilli i Naltë, Xhaferi tha: “Çështja e 4 Shkurtit, ngjau nga disa djem të Kadri Cakranit, që sot nuk gjenden këtu fare, këta e banë për hakmarrje për atentatin e 3 Shkurtit. Ministria e Brendshme mbasi nuk kishte forca të mjaftueshme ti siguronte jashtë (jetën), i arrestoi dhe i futi brenda një sasi njerëzish të dyshimtë. Njerëzit që janë vra janë shtatë-tetë vete, jo më shumë”.

Ju tha Xhafer Devës se, opinioni publik flet për ty dhe se janë tetëdhjetë e sa vetë dhe jo sa thua ti. Ai thoshte se këto fjalë nuk janë të vërteta. Opinioni publik dhe Këshilli i Naltë, ishte i mendimit që këtë punë, e bëri ai me Kadri Cakranin. Për këtë çështje, nuk u mor ndonjë masë as nga Këshilli Ministrur as nga Këshilli i Naltë, sepse e kishin frikë Xhafer Devën. Këshilli i Naltë, mori si masë heqjen e kompetencave në stil të gjerë të veprimeve të Ministrisë së Brendshme dhe e mori vetë komandën ushtarake, sepse me parë, e kishte Ministria e Brendshme kompetencën e Xhandarmërisë.

Për ngjarjen e 27 shkurtit, siç ma ka shpjeguar Kryeministri Mitrovica, ka ngjarë në këtë mënyrë: Disa njerëz i bënë atentat një trupe patrulluese të Prefektit Mulleti, ku u vra një polic. Policia i gjeti këta persona dhe i ekzekutoi në vendin ku ishte vrarë polici, të vrarët ishin tre katër vetë. Kur i kërkuam llogari Xhafer Devës, për këtë çështje, ai na e paraqiti ndryshe, pati përpjekje me policët ku u vranë një polic dhe tre civilë.

Dëshmia e Musa Gjylbegut, e marrë nga Ministria e Brendshme!

Në këtë rrëfim te Zotit Musa Gjylbegu, për vrasjet e 4 shkurtit 1944, ka shumë pika të përbashkët me rrëfimin e zotit Isuf Deva, ashtu siç ka dhe mospërputhje, si p.sh., një nga mospërputhjet është se, në këtë rrëfim implikohen si autorë te vrasjeve, vetëm Kadri Cakrani dhe Xhafer Deva, megjithëse ky i fundit e mohon këtë akuzë dhe shprehet se vrasjet i ka bërë për hakmarrje Kadri Cakrani, kurse në rrëfimin e Isuf Devës, implikohen shumë vetë në këtë vrasje.

Ajo që i përafron këto dy dëshmi që paraqitëm këtu, (nga Isuf Deva dhe Musa Gjylbegu), është fakti se ato janë treguar në formën e të dëgjuarit nga të tjerët dhe të dy rrëfimet, japin versionin se janë vrarë mbi 70 apo 80 vetë, gjë e cilën ne e kemi dokumentuar më sipër dhe shifrat nuk përputhen. Xhafer Deva, i përfoluri kryesor i implikuar në këtë ngjarje, pohon vetëm për 7 apo 8 vetë të vrarë.

Me të drejtë shtrohet pyetja: Sa veta janë vrarë në datën e 4 shkurtit 1944? Shifrat e dhënë nga propaganda komuniste, është tejet e rrejshëm, edhe shifra e dhënë nga Xhafer Deva, po ashtu është e rrejshme. Unë nuk di që të jenë publikuar ndonjëherë emrat e viktimave (të 84 vetëve) që pretendohet të jenë vrarë në 4 shkurtin e 1944, si nga historiografia zyrtare ashtu dhe nga ana e propagandës së regjimit komunist.

Në asnjë vend të Tiranës, nuk ka ndonjë pllakat përkujtimore për 84 vetët e vrarë, kur në raste të tjera, propaganda komuniste ka qenë tej mase korrekte, madje deri në abuzim, për të afishuar viktimat e saj të Luftës Nacionalçlirimtare. Lidhur sa më sipër, unë mendoj se kjo vrasje është një shprehje e hakmarrjes tipike e qytetërimit shqiptar, për këtë kohë në Shqipëri, ku të gjithë palët ndërluftuese, kanë bërë vrasje të tilla me përmasa të mëdha, nën pushtetin e instinktit primitiv.

Në përfundim të këtij shkrimi, mendoj se kam dhënë të dokumentuar një variant shumë të afërt me realitetin e asaj ngjarje të dhimbshme, për kombin Shqiptar. Qëllimi i këtij studimi modest, është që t’i vlerësojmë ngjarjet historike ashtu siç kanë qenë dhe të pa instrumentalizuar nga politika banale e ditës.

Gjithashtu besoj se ky shkrim, do të na risi shpresën se bashkëkombësit e mi, do nxjerrin përfundime të logjikshme dhe do marrin vendime të arsyeshme e të urta (jo prej frike por prej burrnie ka thanë Fishta) në raste të tilla, që vëllavrasja për motive politike apo, çfarëdo lloj motivi, të mos përsëritet. Shqipëria nuk i ka bijtë e saj për t’u vrarë me njëri tjetrin, jemi shumë të vegjël e të dobët në problemet e shumta që kemi si komb./Memorie.al

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?