Aktivistja Evi Kokalari ka reaguar pas deklaratës së Fatmir Mediut në seancën e radhës gjyqësore për Gërdecin, se 6 kongresmenë amerikanë kanë firmosur një letër, me anë të së cilës kërkojnë lejimin e dëshmive të disa personaliteteve të huaja. Në një postim të radhës në Facebook, Kokalari i bën thirrje Mediut që të publikojë letrën ose emrat e kongresmenëve që kanë firmosur.
Aktivistja shqiptaro amerikane shkruan se do t’u dërgojë kongresmenëve fakte mbi ripaketimin e municioneve që bënë Mediu me Shkëlzen Berishën.
“Fatmir Mediu, publiko letrën ose emrat e kongresmenëve që kanë firmosur këtë letër që i ke dhënë gjykatës. E vetmja gjë që dua të bëj është t’ju dërgoj fakte mbi ripaketimin e municioneve që bëtë ti me Shkëlzenin, kur mashtruat me vetëdije të plotë Departamentin e Mbrojtjes këtu në Amerikë!!!
Po ta them, unë ty nuk të ndahem. Nuk e kupton që ti drejtësisë nuk i shpëton? Në fakt, përveç SPAK, FBI duhet të bëjë një investigim të detajuar mbi lidhjet e tua me Kongresin. Pse është Aderholt kaq afër me ty? Pse ka qenë Aderholt 64 herë në Shqipëri? Ju të gjithë që mashtroni këta këtu, do demaskoheni, derisa të mos keni zgjidhje tjetër, përveçse të dilni përpara drejtësisë shqiptare pa i bërë asnjë presion prokurorëve apo gjyqtarëve!!!”, shkruan Kokalari.
Kokalari i referohet zhvillimeve në senacën e djeshme në GJKKo për gjyqin për Gërdecin. Mediu pretendoi se 6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar Ministrisë së Drejtësisë, ku kërkojnë që dëshmitë e personaliteteve amerikane të merren parasysh në procesin “Gërdeci”.
“6 kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, ku kërkojnë që dëshmitë e personaliteteve ushtarake dhe politike të kohës të dhëna në SHBA vullnetarisht me (afidavid) që është deklarim nën betim dhe ka vlerën e provës në sistemin e drejtësisë amerikane, të merren parasysh në procesin “Gërdeci”, tha Mediu në seancë.
Postimi i Evi Kokalarit
Komente
