TIRANË- Shtyhet sërish seanca gjyqësore për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për datën 18 mars, ora 12:00. Shkak u bë kërkesa e prokurorëve Arben Kraja dhe Klodian Braho, të cilët duhej të merrnin pjesë në procese të tjera gjyqësore.
Në seancën e sotme, Mediu kundërshtoi gjetjet e ekspertëve ushtarakë në lidhje me masat që duhej të merreshin për demontimin e municioneve në Gërdec. Ai dhe mbrojtja e tij kishin përgatitur një material prej 147 faqesh, përmes të cilit kundërshtonin gjetjet e ekspertëve.
"Sot ishim në debatin rreth aktit të ekspertimit ushtarak dhe pasi filluam. Për arsye objektive, SPAK kërkoi shtyrjen e seancës se kishin çështje të tjera ligjore që u tejkaloi afati dhe u la në një seancë tjetër në 18. Akti s’ka të bëjë me detyrat ligjore të ministrit, detyrat funksionale, por në seancat më tej unë do eci përgjigje më përgjigje për të bërë komente e mia rreth çështjes", tha Fatmir Mediu.
Më 9 tetor 2024, GJKKO rrëzoi kërkesën e Mediut për rieksperim pjesor për kostot e dëmit ekonomiko-financiar të demontimit në fabrikën e Poliçanit. Sipas SPAK, prej aktit të ekspertimit financiar, evidentohen dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e ish-ministrit Mediu, pretendim që është kundërshtruar nga ky i fundit.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Gjyqi ndaj Fatmir Mediut vijon prej prillit 2023. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar 2 kompanitë, 'SAC' dhe 'Albademil'. Për këtë çështje ai akuzohet për “shpërdorim detyre” referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Komente

Ky duhet vare I pari se eshte kiva e qeverise dhe e familjes Berisha
Përgjigju