Tiranë- Gjykata e Posaçme po zhvillon sot seancën e radhës për masakrën e Gërdecit, ku shpërthimi katastrofik i fabrikës së demontimit vrau 26 njerëz të pafajshëm dhe plagosi qindra të tjerë.
I pandehur është ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë “Berisha” në atë kohë, deputeti republikan Fatmir Mediu, i cili prej kohësh ndodhej në SHBA dhe bëri herë pas here postime për pastrim imazhi, duke e përdorur edhe si justifikim për zvarritje proceduriale.
Por pas paralajmërimeve të gjyqtares Irena Gjoka, ai sot ka qenë i pranishëm në seancë.
Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi, informon nga seanca se Mediu kundërshtoi vetë sot para gjyqtares Irena Gjoka dhe prokurorit të SPAK Arben Kraja, ekspertizën tekniko-ushtarake.
“Mihal Deliorgji ka punuar në Gërdec për tanket, në kohën e Majkos. Shefi i shtabit i Forcave të Armatosura Luan Hoxha kishte 300 telefonata me Delijorgjin, ministri zero të tilla. Sipas urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm, del qartë që shpenzimet për transportin e municioneve nuk kanë qenë pjesë e kompetencave të ministrit të Mbrojtjes.
Sipas ligjit për buxhetin, fondet e donatorëve për demontim, konsiderohen si pjesë e buxhetit të Ministrisë se Mbrojtjes, qoftë grante, qoftë kredi. Në çdo rast tjetër, transporti është bërë nga Forcat e Armatosura”, është shprehur Mediu mes të tjerash.
Seanca u shty për në datën 22 prill, ku ish-ministri do vijojë kundërshtimet e ekspertimit. Sot ai lexoi 80 faqe, nga 150 që janë në total.
pas daljes nga GJKKO, Mediu u shpreh se po akuzohej për kalibrat e municioneve, të cilat nuk janë kompetencë ministrore, pasi janë përcaktuar me rregullore, urdhra ushtarakë dhe marrëveshje ndërkombëtare, përfshi SHBA dhe NATO.
Madje ai tha se akuza e Prokurorisë ishte absurde, nuk lidhej me ligjin dhe detyrën e tij, teksa nënvizoi se po akuzohej për një libër rus dhe Traktatin e Varshavës.
"Unë nuk kam qenë ministër në Traktatin e Varshavës, por jam përpjekur për Shqipërinë për t’u bërë vend anëtar i NATO-s. Në 1956 as nuk kisha lindur, as e kisha lexuar atë librin rus që kanë lexuar ekspertët, sepse unë nuk di rusisht siç e kanë lexuar ekspertët, unë di anglisht dhe gjuha e NATO-s është ajo angleze", tha Mediu mes të tjerash.
Në seancat e mëparshme ish-ministri dhe avokatët e tij Ardian Visha e Henrik Ligori, i drejtuan dhjetëra pyetje ekspertëve, ndërsa këta të fundit i paraqitën përgjigjet me shkrim. Disa nga këto përgjigje po kundërshtohen nga ish-ministri.
Disa prej seancave të fundit janë shtyrë për shkak se ai ka qenë jashtë vendit dhe nëpërmjet avokatëve ishte shprehur se do i paraqiste vetë konkluzionet mbrojtëse. Edhe seanca e fundit e parashikuar e 7 prillit u shty dhe gjyqtarja Irena Gjoka paralajmëroi avokatët e deputetit që akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me atë ngjarje, se nuk do tolerojë më. Edhe SPAK ka kërkuar që të mos shtyheshin seancat pa fund,
Edhe në këtë proces po ndiqej e njëjta praktikë si me dosjen e aferës “Partizani”, ku të pandehur janë kreu i PD-së Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, bashkë me 3 të tjerë. Ky proces në seancë paraprake u shty sërish sot për të martën e ardhshme nga GJKKO, pasi mungoi avokati i Xhimi Begejas, që kishte dorëzuar raport mjekësor si i sëmurë.
Sipas avokatit Henrik Ligori, Mediu duhet të ishte vetë i pranishëm për të paraqitur komentet mbi akt ekspertimin tekniko ushtarak. Ndërkohë, avokati i familjarëve Dorian Matlia kërkoi që pretendimet të paraqiten njëherë me shkrim për ekonomi gjyqësore.
Prokurori Klodian Braho e quajti të pajustifikuar mungesën e Fatmir Mediut dhe kërkoi seancën e kaluar që të vazhdonte seanca në prani të mbrojtësit të tij ligjor, gjë që u kundërshtua nga ky i fundit.
Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të shtyjë seancën e kaluar, duke i tërhequr vëmendjen Mediut, që mungesa të kësaj natyre nuk do të konsiderohen më në seancat e ardhshme.
Kur janë shënuar 17 vite nga masakra e Gërdecit, ky proces është ende i papërfunduar juridikisht dhe ligjërisht, teksa familjarët e viktimave dhe veçanërisht Zamira Durda, këmbëngulin për drejtësi dhe dënimin e përgjegjësve që urdhëruan ndërtimin e fabrikës së vdekjes në mes të një fshati të banuar.
Në seancën e kaluar ishte e pranishme edhe vetë Zamira Durda, e cila tha që ka 17 vjet që pret drejtësi dhe procesi po zvarritet. Gruaja e cila humbi djalin e vogël, vijon të endet dyerve të drejtësisë për dënimin e përgjegjësve, me vlerësimin sipas saj të një krimi shtetëror.
Në një rrëfim ekskluziv për Report Tv më 15 mars, kur ushënuan 17 vite nga masakra e Gërdecit, ajo tha se ndihet e pambrojtur në sallën e Gjykatës së Posaçme, pasi ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu e ka kërcënuar, dhe askush nuk ka reaguar, as SPAK e as gjyqtarja.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dha një prononcim për mediat pas daljes nga Gjykata e Posaçme dhe përfundimit të seancës që u shty për në datën 22 prill, kur do lexohen edhe pjesa tjetër e kundërshtimeve të tij, 70 faqet e mbetura nga 150 në total.
Mediu pretendoi se po akuzohet nga Prokuroria për një gjë absurde që nuk lidhet me kompetencat e ministrit, por me një rregullore ushtarake të FA-ve e përcaktuar që më para se ai të bëhej ministër nga paraardhës dhe shefa shtabi.
Reagimi i plotë i Fatmir Mediut:
“Jemi në vlerësimin e ekspertimit ushtarak, me pretendimin e Prokurorisë se ka të bëjë me rritjen e kalibrave, nga të vegjël në të mëdhenj. Ndërkohë që vetë ekspertët ushtarakë e kanë theksuar se nuk ka dokument ligjor që përcakton apo klasifikon kalimin nga kalibrat e vegjël te të mëdhenjtë. Nga ana tjetër solla disa dokumente që duheshin vlerësuar, janë 7 urdhra të shefave të Shtabit të Përgjithshëm para se unë të bëhesha Ministër i Mbrojtjes dhe 3 urdhra të ministrit të Mbrojtjes, të cilët kanë përcaktuar kalibrat bashkë me NATO-n dhe Departamentin Amerikan të Shtetit dhe partnerë ndërkombëtarë, edhe me Anglinë e Irlandën, ku këto cilësohen kalibra të vegjël, pra marrëveshje ligjore që ka bazë logjike, si dhe nga ana juridike, me ekspertizë ushtarake, janë zbatuar dhe nuk ka pasur asnjëherë një gjykim ndryshe. Kjo tregon se sa e pabazë është pretendimi i prokurorisë, që ka thënë edhe vetë se nuk e di se çfarë janë kalibrat, por bazohet në një analizë në dëshirën e shtuar të ekspertëve, që këta thonë librat rusë.
Unë nuk kam qenë ministër në Traktatin e Varshavës, por jam përpjekur për Shqipërinë për t’u bërë vend anëtar i NATO-s. Në 1956 as nuk kisha lindur, as e kisha lexuar atë librin rus që kanë lexuar ekspertët, sepse unë nuk di rusisht siç e kanë lexuar ekspertët, unë di anglisht dhe gjuha e NATO-s është ajo angleze.
Në Shqipëri nuk ka rastësi, do ishim naiv po ta thoshim. Kjo është një situatë pak absurde, e kam në pikëpamjen e akuzës, apo ngarkesave që janë vendosur, të gjitha nuk kanë të bëjnë as me respektim ligji apo kushtetute, apo që kanë të bëjnë me atë çështje të zotit Berisha, por me rastin tim dhe detyrave që ka ministri i Mbrojtjes. Shpërdorim detyre ka të bëjë me rastin tim për mosrespektimin e ligjeve dhe akteve ligjore të barazvlefshme me ligjin. Dhe aktet ligjore janë Kushtetuta, marrëveshjet ndërkombëtare, Këshilli i Ministrave, ligjet apo VKM-të. Pra nëse thuhet se aktet ligjore janë rregulloret ushtarake apo të FA-ve, nuk jemi në një demokraci kushtetuese apo funksionimit të drejtësisë sipas konceptit të ligjit dhe Kodit të Procedurës, por sipas dëshirave për të çmuar për mirë apo për keq, dhe qasjeve të momentit, interesave të momentit, qofshin edhe ato politike".
Komente

Ky Mediu kur nuk dinte çfar bënte pse rrinte ministër mbrojtje,se dyti Xen Berisha c'ne me zyrë në ministrinë e mbrojtjes,apo dhe këtë nuk e dinte se treti Kosta Trebicka bëri publike gjithçka që po gatuhej nga ky,Saliu,Xeni këtij dhe departamentit amerikan të shtetit e pastaj këta e çuan për gjah në Voskopojë... Medi,medi ke shume kusure ti,keni marrë 26 jetë njerëzore ju jeni felliqsira që si do t'ju dënojë ligji kurrë nuk mund të thuhet se drejtësia u Vu në vend.
Përgjigjuky mediu me zenin e te atin sali portupapa duhen para ligjit per shkaterrimin vjedhjen pa mase
PërgjigjuKeshtu eshte kur firmos pa lexuar. Pasojat vijne nga pas.mjer ato njerez qe zvarriten dyerve t egjykates ne kerkim te nje frejtesie te munguar. Histori alla Shqiptarce...