TIRANE - Gjykata e Posaçme do të rigjykojë edhe një herë masakrën e Urës Vajgurore pas kërkesës së një prej të denuarve me burgim të përjetshëm.
Fran Marashi, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për masakrën e Kuçovës, do të gjykohet nga e para, pasi Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes në shkallë të parë 26 vjet pas vrasjes së 5 policëve, për të cilën janë dhënë tri burgime të përjetshme.
Të martën Marashi mbërriti nga burgu i Peqinit, para gjyqtarit Erjon Bani ku akuza përfaqësohet nga prokurori Alfred Shehu. Seanca u shty për ti dhënë kohë njoftimit të familjarëve të viktimave për rihapjen e procesit.
Shkak për kthimin e çështjes ishte pretendimi i Marashit se është dënuar padrejtësisht dhe se në kohën kur është dhënë vendimi, nuk ka pasur dijeni madje, akuzat dhe dënimin i kishte mësuar pasi ishte ekstraduar nga Italia në Shqipëri në vitin 2007 duke i mohuar ato.
Dy vite më vonë, Marashi tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit bashkë me Preng Lleshin, anëtar tjetër i bandës së Urës Vajgurore, për të tërhequr vëmendjen që procesi ndaj tij të rihapej.
Fran Marashi akuzohet për ngjarjen e datës 17 qershor 1997, ku u vranë pesë punonjës policie dhe u plagosën 6 të tjerë. Pas një mitingu të Partisë Socialiste, forcat e policisë ktheheshin në Berat me mjetet e tyre, kur janë qëlluar me armë 150-200 metra larg vilës së Protoduarëve. Autoblinda e policisë ka ulur kapakët dhe është nisur në drejtim të sheshit në qendër të qytetit, por pa bërë 50-60 m rrugë, është goditur nga një predhë antitank nga vila e Protoduarëve.
Dëshmitari okular Lulzim Nexhipi ka thënë se në këtë moment mbi blindin e policisë janë hedhur shishe me lëndë djegëse si dhe është parë Lek Lorja e Fran Marashi që kanë hipur në tank. Pas kësaj janë dëgjuar dy gjuajtje të fuqishme dhe blindi ka marrë zjarr, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen duke u djegur brenda në blind policët Miltiadh Koçi, Arjan Shemuni, Asllan Selami dhe Ilia Bano si dhe janë plagosur dy policë Thimi Tanku dhe Ylli Dhamo.
Nga të shtënat është vrarë edhe shtetasi Ilir Bani, i cili ndodhej në atë moment rastësisht. Sipas prokurorisë, autorë të krimit ishin anëtarët e bandës së drejtuar nga familja Protoduari me bazë në vilën e kësaj të fundit në Berat. Pas hapjes së depove, kjo bandë e lidhur edhe me policinë lokale, kishte kryer vepra penale si grabitje me dhunë pasi anëtarët e saj të armatosur ngrinin postblloqe nëpër qytet duke u marrë paratë qytetarëve me kërcënimin për ti vrarë.
1. Musa Protoduari, me burgim të përjetshëm
2. Shkëlqim Protoduari, me burgim të përjetshëm
3. Fran Marashi, me burgim të përjetshëm
4. Fatbardha Protoduari, me 25 vjet burg,
5. Sokol Ndreu
6. Gjovalin Ndreu
7. Preng Miri
8. Gjelosh Miri
Lajmi ne perditesim...