Tiranë- Ka nisur sot (4 Tetor) seanca në Apelin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për Laert Haxhiun, i dënuar me burgim të përjetshëm (24 Prill 2024) për “Masakrën e Lushnjës”, e ndodhur në vitin 2017, me bilanc 2 të vrarë dhe 2 të plagosur, në një përplasje mes grupeve kriminale rivale.
Haxhiu, i ekstraduar nga Greqia tre muaj më parë, (3 Korrik 2024), ku ishte arrestuar në një operacion policor në Athinë, ka apeluar vendimin e shkallës së parë të GJKKO, që vendosi burg përjetë në mungesë për 32-vjeçarin, i akuzuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe për plagosjen e Marjus Xhepexhiut dhe të Bujar Turkut.
Në trupën gjykuese kanë qenë magjistratët Florjan Kalaja, Saida Dollani dhe Ingert Pëllumbi. Seanca u shty pasi mungonte gjyqtari Pëllumbi, për shkak të lejes vjetore. Në këto kushte, është caktuar që seanca e ardhshme të mbahet në datën 9 Tetor, ora 12:00
E pranishme në sallë ka qenë prokurorja Doloreza Musabelli, ndërsa vjen për herë të parë në këtë seancë edhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Gjithashtu gjyqi ndiqet dhe nga babai i të dënuarit.
Laert Haxhiu, përmes avokatit të tij, Detar Hysi, ka kërkuar heqjen dorë të prokurores Doloreza Musabelli, për shkak se ka konflikt interesi. Kjo për shkak se bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani ka deklaruar se do të vrasë prokuroren e çështjes. Për këtë arsye, Komisioni i Posaçëm i ka shtuar edhe sigurinë.
Laert Haxhiut ka të hapur edhe një dosje tjetër penale të bujshme si grup i strukturuar kriminal, në lidhje me organizimin e disa ngjarjeve të rënda ndër vite, si vrasje, vendosje eksplozivi, plagosje, grabkitje, shantazhe dhe të tjera, që është ende në proces hetimor nga ana e SPAK-ut.
Ka qenë i penduari Artan Tafani, i ndaluar fillimisht për grabitje, ai që rrëfeu të paktën 18 krime të ndryshme, mes tyre 6 vrasje dhe 5 atentate, duke etiketuar si kreun e bandës pikërisht Laert Haxhiun. Prokuroria e Elbasanit shpalli moskompetencën dhe ia kaloi dosjen SPAK-ut më 20 Tetor të vitit të kaluar, duke e klasifikuar si grup të strukturuar kriminal.