Edhe pse kishte marrë në dorëzim çështjen, edhe Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit e ka mbyllur përfundimisht hetimet mbi Masakrën e Peshkëpisë, e ndodhur më 10 prill 1994, ku u vranë dy ushtarët shqiptarë, Arsen Gjini dhe Fatmir Shehu, nga një sulm terrorist i paramilitarëve grekë. Kjo ngjarje do të mbetet pa autor.
Pas 3 dekada arkivim hetim nga prokuroria e Gjirokastrës, më pas e krimeve të rënda dhe tani nga SPAK mbyllet përfundimisht. Ka rënë në Bie akuza ndaj të akuzuarit Fredi Bejleri dhe dy të dyshuarve të tjerë. Bejlerit në zgjedhjet e vitit 2019 nuk iu lejua që të kandidonte për kreun e Bashkisë Himarë pikërisht për shkak të këtij procesi.
Arsyeja kryesore e mbylljes së dosjes është mosdokumentimi i plotë me prova si dhe parashkrimi për disa nga veprat penale. Për këtë dosje SPAK kërkoi të dhëna edhe nga Greqia, por asnjëherë nuk u provua akuza.
Prokuroria rihapi në mars të vitit 2019, pas afro 25 vitesh hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë të 10 prillit 1994, të njohur si “Masakra e Peshkëpisë”.
Dy “Dëshmorët e Atdheut”, komandanti i repartit Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini
Hetime për veprime terroriste
Kjo çështje ishte regjistruar për akuzën e “Veprime për qëllime terroriste” me pasojë vrasjen e dy ushtarakëve dhe plagosjen e katër të tjerëve. Ndërkohë të gjitha aktet hetimore janë marrë në studim. Nga sa mësohet dy ushtarakët e vrarë dhe ushtarët e tjerë të plagosur, janë qëlluar nga komandoja qe erdhi nga territori grek. Autorët e masakrës kanë qëlluar plot nëntë herë me fishekë të armëve të gjahut të kalibrit te madh. Sipas burimeve të prokurorisë ato janë qitur nga tre armë të tipit “Shogun”, kalibër 12 mm.
Si u sulmua posta kufitare shqiptare nga ekstremistët grekë
Sulmi ndaj postës kufitare të Peshkëpisë, në Gjirokastër ka ndodhur në 10 prill 1994. Një komando special e organizatës terroriste greke “Mavi” (Fronti për çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, duke ju drejtuar postës ushtarake të kufirit, ku dhe ekzekutoi komandantin e postës Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe plagosur ushtarët e tjerë Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi. Gjatë sulmit komandoja terroriste mori peng dhe një nga ish-nënoficerët e këtij reparti kufitar Qemal Stroka, i cili më pas u la i lirë në kufi. Gjatë rrugës ndaj Strokës është ushtruar dhunë fizike çka solli dhe tronditjen e fortë psiqike.
Gjatë largimit komando greke mori me vete edhe armët luftarake që ishin në depon e repartit. Pasi u ngjitën në qafën sipër repartit dhe kaluan shpatin e malit Bureto, autorët e sulmit e liruan nënoficerin shqiptar dhe e lanë atë të kthehet pas. Brenda pak minutash komando, me emrin e koduar të mbretit të lavdishëm të Epirit, “Pirro i Parë” u rikthye serish në territorin grek për të humbur në errësirën e natës. Ndërsa rekrutët e rinj të repartit të Peshkëpisë shpejtuan t’i jepnin ndihmën e parë shokut të tyre Arsen Gjini dhe komandantit Fatmir Shehu, por gjithçka ishte e kotë. Komando e frontit për çlirimin e Vorio Epirit ia kishte arritur qëllimit.
Komando greke pasi kaloi me kujdes vijën e kufirit u vendos në një kodër përballë repartit nga ku mund të mbante nën kontroll çdo lëvizje. Pasi u siguruan për numrin e rojeve dhe vend ndodhjen e saktë komando u vu në lëvizje. Sulmi nisi në mesnatë, orë kur reparti i ushtrisë shqiptare me 130 rekrutë të rinj 18-20 vjeçarë kishte rënë në qetësi të plotë. Dëshmori i atdheut 20 vjeçari Arsen Gjini nga fshati Seman i Fierit, i ndjeu lëvizjet e terroristëve që vinin nga përtej kufirit, por arma tip kallashnikov që ai mbante në duar ishte pa fishekë. Paralajmërimi i ushtarit shqiptar nuk i trembi aspak të pa njohut që e dinin shumë mirë se ai s’kishte fishekë. Arsen Gjini u bë viktima e parë e breshërive të komandos greke. Brenda pak çastesh komando greke vërshoi në godinën dykatëshe, dhe me saktësinë më të madhe bllokoi fjetinën e ushtarëve si dhe depon ku ruhej armatimi për të parandaluar çdo kundërpërgjigje. Brenda dy minutash i gjithë reparti me mbi 130 ushtarë dhe oficerë, gjendej i çarmatosur dhe i nxjerrë jashtë luftimit. Oficeri i stërvitjes kapiteni Fatmir Shehu, që natën e ngjarjes ishte oficeri më i rëndësishëm i repartit në detyrë, gjendej në katin e dytë të godinës. Sapo dëgjoi të shtënat dhe rrëmujën në godinë, u vesh nxitimthi dhe u sul drejt shkallëve me një pistoletë tip Tokarev në dorë. Tentativa e tij për të rezistuar mori përgjigje tragjike nga terroristët e komandos. Kapiteni i parë Fatmir Shehu, baba i dy fëmijëve, u qëllua me breshëri automatiku në sheshpushimin e shkallëve midis katit të dytë dhe katit të parë.
Skuadra e identifikuar me emrin e koduar “Pirro 1”, iu afrua kufirit shqiptar dy ditë përpara sulmit. Komando që mori përsipër goditjen përbëhej nga 7 persona, të veshur me uniforma ushtarake kamoflazhi dhe të pajisur me armatim këmbësorie të prodhimit perëndimor, i njëjtë me atë që përdorte ushtria greke. Ndërsa pjesa tjetër e skuadrës që kishte për detyrë mbështetjen dhe transportin e terroristëve, qëndroi në gatishmëri për çdo të papritur në brendësi të territorit grek, në një zonë mes fshatrave Orino-Pontikates dhe Argirohori. Sigurisht lëvizja e komandos së Frontit për Çlirimin e Epirit të Veriut nuk mund të kryhej pa mbështetjen apo së paku dijeninë e shërbimeve sekrete fqinje. Lëvizja lirisht e mjeteve dhe personave të armatosur në afërsi të kufirit me Shqipërinë, pikërisht në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve ishin acaruar së tepërmi dëshmon se autorët e sulmit kishin marrë garanci të plotë nga përtej kufirit se do ta kishin të sigurt shpinën.
Do të duhej gati një vit që të zbuloheshin emrat e autorëve të masakrës së 10 prillit 1994. Komando e njohur me emrin ‘Pirro i Parë’ organizoi një sulm të dytë në jug të Shqipërisë, këtë radhë për të goditur në të njëjtën mënyrë repartin e mbrojtjes së kufirit në fshatin Llongo të Gjirokastrës. Celula e armatosur e organizatës ultra nacionaliste greke “MAVI” tentoi sulmin e dytë ndaj një poste kufitare shqiptare, pasi kishin marrë informacionin e duhur për vend ndodhjen e pikës kufitare në fshatin Llongo, për personelin, armatimin, mënyrën e shërbimit të rojës u hodhën në veprim. Paraditen e 18 marsit 1995 pjesëtarët e kësaj komandoje iu afruan kufirit greko-shqiptar me dy automjete. Të armatosur me armë këmbësorie, me mjete komunikimi në distancë, dylbi për natën dhe uniforma ushtarake kamuflazhi ata iu afruan brezit të gjelbër në pritje të natës për të kryer sulmin e dytë ndaj rojeve kufitare shqiptare.
Grupi i armatosur i terroristëve grekë u pikasën në kohë nga trupat kufitare shqiptare, të cilat ishin informuar qysh më parë për ardhjen e tyre nga shërbimet inteligjente. Pas ngjarjes së Peshkëpisë ishte rritur në mënyrë të ndjeshme gatishmëria dhe vigjilenca për çdo lëvizje në kufirin me Greqinë. Autoritetet shqiptare të kapura gafil në Peshkëpi kishin marrë masa të rrepta për të parandaluar një sulm të dytë që do të kishte pasoja të rënda. Sapo rojet shqiptare të kufirit pikasën në lëvizjen e personave të dyshimtë me uniforma ushtarake hapën zjarr. Si rezultat i zjarrit nga ushtarët shqiptarë, komando e frontit për Çlirimin e Vorio Epirit u tërhoq me shpejtësi në drejtim të territorit grek për të mos lënë pas viktima. Komando u kthye në vendin ku kishin lënë mjetet e transportit, në afërsi të fshatit Kostani.
Ndërtesa e ish-repartit ushtarak të Peshkëpisë që u sulmua nga terroristët grekë
Pasi heqin nga trupi uniformat ushtarake greke, hipën në automjetet e tyre dhe u drejtuan në aksin rrugor Kakavijë – Kallpaqi. Por pa dalë nga zona e Delvinaqit, ata u ndeshën me një patrullë të përforcuar ushtarake – policore, e cila kishte bllokuar tërësisht këtë rrugë për një kontroll të rreptë. Automjeti i parë ndaloi. Gjatë kontrollit nga policia u gjetën 9 copë uniformat ushtarake, por dokumentacioni i mjetit dhe personal i personave që udhëtonin në të ishte i rregullt. Në këto kushte ata u lanë të lirë. Pak minuta më vonë në të njëjtin postbllok u afrua automjeti i dytë, në të cilin ndodhej armatimi. Duke e parë rrezikun drejtuesi i mjetit thyen postbllokun dhe u largua me shpejtësi në drejtim të qytetit të Janinës. Menjëherë u dha alarmi për të bllokuar të gjitha akset rrugore të zonës, ndërsa mjete të policisë greke u vunë në ndjekje të makinës së dytë. Duke parë se nuk kishin rrugë tjetër terroristët grekë u detyruan të dorëzohen. Pas ndalimit të tyre u kërkua dhe bllokimi i automjetit të parë që kishte kaluar postbllokun pas kontrollit të policisë. Personat e ndaluar u shoqëruan në rajonin policor të Delvinaqit, pranë kufirit me Shqipërinë. Ata u munduan të kamufloheshin si një grup gjuetarësh, por policia i ndaloi për armëmbajtje pa leje. Gjatë marrjes në pyetje u zbulua dhe identiteti i tyre. Komando e njohur me emrin Pirro i Parë përbëhej nga Jorgo Anastasulis, 34 vjeç, oficer i ushtrisë greke me gradën toger. Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke zëvendës komandant i grupit. Mario Kutulla, 25 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, punëtor. Fredi Bejleri, 23 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, me profesion hidraulik. Jorgo Kristo, 26 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë. Harallamb Papa, 21 vjeç, shtetas shqiptar, banues në Athinë, punëtor ngarkim – shkarkimi dhe vëllai i tij Jorgo Papa, 30 vjeç me profesion teknik frigoriferësh, të dy shtetas shqiptarë nga zona e minoritetit.
Në kontrollin që iu bë dy makinave, të cilat drejtoheshin nga oficeri grek Jorgo Anastasulis dhe polici Apostolos Karvelas u gjetën armët e sulmit. Sipas raport-shërbimit me numër 1057/9 të datës 19 mars 1995 të rajonit policor të Delvinaqit: thuhet se janë kapur 6 automatik “Kallashnikov”, 878 fishekë të kalibrit 7.62 mm, dy pistoleta, një palë dylbi për natën, aparat fotografik, radio marrëse-dhënëse, gërshërë për të prerë tela etj, etj. I gjithë inventari kishte 32 pajisje, të gjitha për qëllime ushtarake. Arrestimi i autorëve të sulmit ndaj postës së Peshkëpisë u mbajt në fshehtësi nga autoritetet greke, por mediat e vendit fqinj edhe pse e mësuan lajmin me pak vonesë nxituan që ta publikonin atë si një ngjarje të bujshme.
NOTE DEUTERONOMI 32:35-36= /Vengance is MINE and retribution,In due time their foot will slip;For the day of their calamity is near;And the impending things are hastening upon them;"For the Lord will vindicate His people,And will have compassion on His servants./
PërgjigjuPer keta te shkretet nuk qan njeri, le te beje ca te doje SPAK. As Kim ska thene ndonje llaf per kete pune. Keshtu qe jeni ok.
PërgjigjuE dîne ata kurthen e kan nga brendea t kerkoj po te ishin grek do gjeni kto artista ton plerha skan gjak