Dosje

Masakra e Qafë Barit 1984, zbulohet dosja e Sigurimit të Shtetit: Donin të arratiseshin, ndaj i vramë! ‘DOSJA K’ sjell dëshmitë tronditëse të të burgosurve (VIDEO)

8 Korrik, 20:14| Përditesimi: 8 Korrik, 21:10

  • Share

Një dosje sekrete e Sigurimit të Shtetit zbulon prapaskenat e masakrës me 3 të vrarë, në majin e 1983, në burgun e Qafë Barit, i quajtur zyrtarisht si Kampi i Riedukimit nr. 311. Brenda saj gjendet një dokument mjaft interesant, sipas të cilit, shumë kohë përpara se të shpërthente Revolta në kamp, planifikoheshin arratisje në grupe. Kjo ishte zbuluar pasi shumë të burgosur politik në kamp ishin vënë nën ndjekje intensive 2/A nga Sigurimi i Shtetit, dhe sipas këtyre përgjimeve, galeria 796 ishte studiuar si “rruga e shpëtimit”.

Dokumenti i nënshkruar nga operativi i këtij kampi, Miti Kuriçi, më 20 shkurt 1985 — pra, nëntë muaj pas revoltës — analizon me detaje punën e Sigurimit të Shtetit për t’i nënshtruar të burgosurit politik, të cilët nuk donin t’i nënshtroheshin dhunës në kamp dhe punës skllavëruese në minierë, dhe ëndërronin të arratiseshin për të fituar lirinë.

Dëshmitë e dhjetëra të burgosurve që kanë përjetuar dhunën psikologjike dhe fizike e plotësojnë shumë mirë tablonë që ky raport-analizë bën për mënyrën se si nënshtroheshin me dhunë këta të burgosur të ndërgjegjes, duke paraqitur si diçka normale edhe pushkatimin e dy të rinjve: Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli.

Por si ishte krijuar ky kamp me punë të detyruar për të burgosurit politikë dhe pse gjendja  aty ishte aq e nderë? Hazir Vukaj dhe Ahmet Tufa janë dy prej të burgosurve të parë që shkuan në burgun e Qafë Barit, të transferuar nga burgu i Spaçit. Ata kanë lënë dëshmi të vyera për “Dosjen k”  se si e gjetën këtë kamp dhe lidhur me kushtet aty.

“Na hoqën neve të gjithë ata që ishin të punës, rreth 1.500 veta, lanë pak këta që ishin të paaftë. E lanë ata me ata të vjetrit aty, kurse neve na çuan në Fushë Arrëz, në Qafën e Barit.

Kur shkuam ne në Qafën e Barit, vendi ishte pak më i rrafshët, nuk ishte grykë kështu si është atje, por ishin male me pisha aty. Aty policinë e patëm shumë, shumë, as ata esesët e Hitlerit s’kanë qenë më të zinj.

Neve na shikonin ata sikur ne me gjithë mend jemi armiq, jo të popullit siç na quanin neve, por armiqtë e tyre të familjes. D.m.th. rrihnin të burgosur, futnin në biruca, d.m.th. edhe ai shefi i policisë që ishte ai Mond Caja, ai u bë edhe më i zi se këta. Këta e ndihmonin atë, i rrihnin të burgosurit  çfarë s’u bënin, s’i mbaj mend. Njërin e patën qorruar fare, e kam harruar emrin, duke e rrahur në birucë. Thoshin këta janë rrugaçë, vagabondë, filluan të rrihnin mbarë atëherë….”, tregon Hazir Vukaj.

Ndërsa Ahmet Tufa, thotë se e kujton me detaje ditën që e çuan në burgun e Qafë Barit nga Spaçi, ku ishin më parë. 

“Ka qenë viti 1982. Binte një borë e madhe, ishte një i ftohtë i madh. Ashtu me duar të ngrira, sipër njëri-tjetrit na kanë futur, nuk e di sesa zinte ai autoburg, rreth 30 veta, duke na futur mbi njëri-tjetrin se rrinim në kokat e njëri-tjetrit dhe të vjellat nga rruga e keqe që ishte, binin mbi kokat tona. Tmerr i vërtetë. Kur kemi arritur në Qafën e Barit pashë një lukuni policësh, pashë dhe një oficer që na ra në sy, djalë simpatik, i gjatë, por me sy të llahtarshëm, me sy tamam krimineli, që me atë kapelen e ulte këtu te sytë dhe e bënte, me një fjalë, për të treguar një farë autoriteti, presioni. Ky quhej Edmond Caja, njeriu krokodil, njeriu që ia vumë emrin ne të burgosurit politikë, kaubojsi i Qafës së Barit dhe ai e ndiente krenari këtë...

Ne kemi pasur emrat në listë dhe emrat tanë ishin të shënuar me kryq, Ahmet Tufa p.sh., filani, filani, te zyra e oficerit të rojes, që merrte shërbimin dhe ishte vendosur me kryq. Dhe programohej se kush do të rrihej sot. Torturat kanë qenë nga më çnjerëzoret”, rrëfen Tufa.

Në dokumentin sekret të hartuar nga operativi i kampit të Qafë-Barit, Miti Kuriçi, thuhet se pas ardhjes së grupit të madh të të burgosurve nga Spaçi, Sigurimi kishte shtuar në maksimum vigjilencën. Ishte viti 1983, dhe sipas dokumentit, gjendja në kamp ishte tepër e tensionuar, ndërsa shumë të burgosur kishin shfaqur dëshirën për t’u arratisur. Sipas dëshmive të të burgosurve, kjo gjendje ishte pasojë e dhunës sistematike, kushteve të rënda në kamp dhe normave të larta të punës në minierë, përtej kapaciteteve njerëzore, të vendosura nga drejtuesit e burgut.

Në dokumentin e operativit të kampit shkruhet, ndër të tjera: "Gjatë viteve 1983–1984, veprimtaria armiqësore e elementit armik të dënuar në Repartin e Riedukimit nr. 311, Qafë-Bar, erdhi duke u ashpërsuar gjithnjë e më shumë. Kjo del në pah nga tendencat për arratisje – shpesh të organizuara në grupe – dhe nga komentet e ndryshme armiqësore në lidhje me situatat që ka kaluar vendi ynë.

Me ndryshimin e kritereve për dërgimin e të dënuarve në repartin tonë, fillimisht erdhën të dënuar nga Reparti nr. 309, Ballsh, dhe më vonë, vazhdimisht, nga Reparti i Riedukimit nr. 303, Spaç. Kjo solli si rezultat grumbullimin në repartin tonë të të dënuarve që ishin dënuar në grup dhe kishin lidhje miqësore ose familjare. Me këtë grumbullim, ata nisën të ndjekin qëllimet e tyre armiqësore. Kështu, në muajt mars–prill, u shfaqën në masë të konsiderueshme tendencat për arratisje nga reparti i riedukimit.

Për të parandaluar këto tendenca të mprehta për arratisje, u bë një punë e mirë nga ana jonë për evidentimin e këtyre të dënuarve, informimin e komandës për moshën e tyre, personat me të cilët do ta realizonin arratisjen, vendet e mundshme nga ku mendohej se do të kryhej, dhe brigadat ku ata punonin.

U bë shpërndarja e tyre në brigada të ndryshme për t’u hequr mundësinë e veprimit, si dhe u patën parasysh që të punonin në brigadat e prodhimit, ku kontrolloheshin më mirë nga personeli i shërbimit, rojet dhe punonjësit në galeri."

Ndërkohë, i burgosuri Bedri Blloshmi, në dëshminë e tij dhënë për emisionin “Dosja K”, rrëfen: “Atje ishte një terror i vërtetë. Të gjitha këto i shkaktonte puna, vuajtjet, i ftohti. Kemi kaluar një dimër të tmerrshëm atje dhe të gjitha këto i bënte komandanti i togës së policisë Edmond Caja, që sot ndodhet në shtetin më të fuqishëm të Evropës, në Gjermani. Ka marrë strehim politik, është i punësuar, i rregulluar atje.

Kur na çonin në punë na thoshin: o normën, o shpirtin, askush të mos mendojë të dalë nga galeria pa bërë normën. Ata që nuk bënin normën dilnin 1 turn, 2 turne, 3 turne, i kthenin sërish në minierë”.

Në dokumente tregohet më tej për disa plane arratisjeje, vetëm pak muaj para se të shpërthente revolta. Galeria 796 përmendet shpesh si “rruga e shpëtimit”, por në fakt u kthye në “varrin” e një prej të burgosurve që po organizonte një arratisje. Kjo galeri nuk arriti kurrë t’i nxirrte në dritë ata që kishin thurur ëndrra për lirinë. Sigurimi i burgut, me ushtarë, policë dhe tela me gjemba, si dhe puna e zgjatur e sigurimit me agjentë dhe informatorë brenda vetë radhëve të të burgosurve — 35 bashkëpunëtorë sipas dosjes — bënë që askush të mos mund ta realizonte këtë ëndërr.

“Tendenca e arratisjes” – shkruhet në këtë dokument – “si një formë e ashpër dhe cinike e veprimtarisë armiqësore, është zhvilluar në mënyrë intensive gjatë vitit 1983. Konkretisht: I dënuari Nimet Gjini, nga rrethi i Durrësit, kur erdhi në repartin tonë kishte të dhëna për tendencë arratisjeje. Edhe këtu ai filloi të aktivizohej në këtë drejtim dhe, fillimisht, nisi të bashkëpunonte me të dënuarin Fejzulla Çapi, i cili, gjatë një tentative për t’u arratisur nëpërmjet galerisë pranë horizontit 796, u ngjit në një furnel të vjetër rreth 40–50 metra, por ra prej andej dhe gjeti vdekjen.

Pas dështimit të këtij të dënuari, në atë dhe në vende të tjera ku dyshohej se mund të realizohej arratisja, në bazë të një studimi të kryer mbi galeritë nga personeli inxhiniero-teknik, u përcaktuan masat për bllokimin e tyre. U ndërtuan mure kontrolli, si tek motori i brendshëm, në horizontin 796, dhe u bë bllokimi i galerisë sipër vendrojes nr. 4, e cila kishte një dalje në sipërfaqe, por distanca nga dalja deri tek horizonti 796 ishte e mbushur me materiale inerte, duke sjellë shembjen e saj pas shfrytëzimit."

Këtë situatë e dëshmon edhe i burgosuri i këtij kampi, Ahmet Tufa.

“Më patën çuar, se neve që na konsideronin armiq të përbetuar na çonin nëpër galeri që ishin jashtë çdo norme të sigurimit teknik, vetëm e vetëm të nxjerrin çfarë të nxjerrin material dhe uronin të na zinte brenda galeria, siç ka zënë të tjerët, të na eliminojnë. Me këtë lloj mënyre kërkonin të më eliminonin.

Aty më zuri galeria. Galeria ishte rreth në atë vend që ishte rreth 15 metra, në mos gaboj, por di këtë që 8 vagona, se 4 i merrja unë përpara, 4 i merrte ai shoku im, se ishim dublantë, 2 punëtorë dhe 1 minator. I pata çuar aty 8 vagona.. Duke mbushur vagonin vjen një presion i madh, kaq kam ndier, dhe mua më fluturoi, më futi brenda presioni.

Unë mbeta aty në errësirë. Por, bashkëvuajtësit e mi të vjetër na patën thënë, kur ka raste të tilla që ngelesh pa ndriçim, ose të zë ndonjë gjë, ec nëpërmjet tubave të ajrimit ose shinave që ishin shtruar se ajo të çon në rrugë ku do ti”. Edhe unë fillova duke ecur këmbadoras. E kam bërë atë rrugë për 2-3 orë.

Atje kishte filluar skuadra e shpëtimit, që e quanin këta, duke hequr material për të nxjerrë kufomën time. Unë duke ecur ngadalë-ngadalë kam dalë, më ka nxjerrë zoti se vetë as nuk e di, s’kisha as ndriçim, asgjë. Kam dalë në një vend tjetër që ishte i papunueshëm, i mbyllur krejtësisht edhe ishte trupi, si trupi im i madh, me dorë e kapja kështu, ishte komplet myk. Edhe e hapa atë. Duke ecur dëgjoj zëra njerëzish. U them: ju kërkoj ndihmë, hajde se jam Met Tufa, kam ngelur këtu, më bëni ndriçim. Ata kishin frikë të afroheshin se Met Tufën e dinin se e ka zënë atje. Se ç’donte Met Tufa, me një fjalë, në një distancë shumë të largët. Më në fund mori njëri guximin, vjen edhe më bën ndriçim, vjen aty: po ti këtu? Se aty ishte e ndaluar, po të kapte policia të dënonte, se quhej tentativë arratisje, se kishin vënë edhe tabelë që nuk kishte të drejtë: ndal, mos kalo….”, rrëfen Tufa.

Dokumenti i Sigurimit zbulon më tej se vigjilenca e tyre nuk ishte përqendruar vetëm te rrugët e arratisjes përmes galerive, por, duke shfrytëzuar denoncimet e bashkëpunëtorëve, drejtuesit e burgut kishin marrë masa që “as miza të mos fluturonte” jashtë atij rrethimi.

“Pas këtij dështimi,” – shkruhet më tej në dokument – “i dënuari Nimet Gjini fillon të kërkojë shokë të tjerë dhe gjen më të përshtatshëm të dënuarit Ferdinand Vushaj dhe Myslim Hysenaj. Së bashku me ta vihet në kërkim të një rruge shpëtimi përmes galerisë. Gjatë kontrollit të kësaj veprimtarie armiqësore, një i dënuar denoncon se i dënuari Nimet Gjini, përveç se kishte shprehur dëshirën për arratisje që kur ndodheshin në repartin 303 Spaç, së bashku me të dënuarin Agim Karameta, edhe këtu, në repartin 311 Qafë-Bar, kishte deklaruar se mund të realizonte arratisjen me anë të makinave të transportit të mineralit.

Sipas planit, në kohën që makina do të ngarkohej me mineral, Nimeti do të futej në karrocerinë e saj dhe denoncuesi nuk do ta raportonte këtë. Fakti që armiku ëndërron dhe vepron kundër nesh vërtetohet qartë nga përvoja e repartit tonë: si rasti i dështuar i të dënuarit Fejzulla Çapi në 2/A për tendencë arratisjeje, i cili gjeti vdekjen duke rënë nga furneli, ashtu edhe rasti i dytë i të dënuarit Nimet Gjini në 2/A, i cili më 6 shkurt 1984, pas një kohe përgatitjesh dhe studimi, kishte vendosur të arratisej duke u futur në karrocerinë e një makine me mineral, ku do të fshihej nën ngarkesë.

Ky i dënuar kishte bërë përgatitje të plota: ishte veshur me rroba civile poshtë rrobave të komandës, kishte caktuar ditën dhe orën e arratisjes dhe ishte larguar nga fronti i punës, duke iu shmangur rojes së punës dhe të transportit.”

Siç mësohet nga dokumenti, edhe kjo tentativë kishte dështuar. Të burgosurit e këtij kampi dëshmojnë se pas çdo përpjekjeje për arratisje, masat ndëshkimore në kamp ashpërsoheshin, duke e bërë jetën të papërballueshme. Survejimi i tyre intensifikohej në çdo ambient, si në kamp ashtu edhe në minierë. Nga këto survejime, mësohej se të tjerë guximtarë po përgatiteshin për të shpëtuar nga ai “ferr”.

“Në muajin tetor 1983 informohemi nga një denoncues se disa të dënuar ishin përgatitur për të realizuar arratisjen nga reparti. Konkretisht: grupi i përbërë nga të dënuarit Ferdinand Vushaj, Agim Karameta, Vllasi Koçi, Haki Omeri, Vasjar Tabaku, Sokol Sokoli, Sokol Progri dhe Gjelosh Kuraj.

Me marrjen e këtij sinjalizimi, nga ana jonë u shtua puna për kontrollin e tyre dhe të lidhjeve që kishin në repart. Realizimi i arratisjes do të bëhej në grupe të ndara si më poshtë:

Grupi i parë: Agim Karameta, Vllasi Koçi, Ferdinand Vushaj (fillimisht dhe Haki Omeri).

Grupi i dytë: Sokol Sokoli, Sokol Progri, Lush Bushgjoka, Lazër Shkëmbi, Ramadan Demiri, Tom Ndoja dhe Gjelosh Kuraj.

Ndërsa me ardhjen e disa të dënuarve nga Reparti 303 Spaç, në dhjetor u formua edhe një grup tjetër i përbërë fillimisht nga objektet Kostandin Gjordeni dhe Anastas Dhami,” – shkruhet më tej në raportin e operativit Miti Kuriçi.

Këta të dënuar, sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, ishin marrë në përpunim aktiv 2/A, që nënkuptonte përgjim intensiv ndaj tyre. Madje, ishte hapur edhe një dosje agjenturore me emrin “Mercenari”, ku përfshiheshin: Ferdinand Vushaj, Agim Karameta, Vllasi Koçi, Nimet Gjini, Kostandin Gjordeni, Anastas Dhami, Ramadan Demiri, Sokol Sokoli dhe Sokol Progri. Në dokument thuhet se pas përgjimit të tyre, Sigurimi i Shtetit kishte zbuluar të gjitha planet e detajuara për arratisje.

“Grupi i Sokol Sokolit, Sokol Progrit, Ramadan Demirit, etj., përveç studimit që u kishin bërë galerive, kishin vendosur kontakte edhe me shokët e tyre në rrethin e Tropojës, të cilët mund të ndihmonin në realizimin e arratisjes. Për këtë qëllim, shokët e tyre – si Isuf Haluçi dhe të tjerë – kishin ardhur në repartin e riedukimit dhe kishin studiuar se nga cili vend mund të hapej rrethimi për t’u arratisur së bashku me ta dhe të tjerët që Sokoli dhe Ramadani planifikonin të merrnin me vete,” – thuhet në këtë dokument.

Të gjithë këta personazhe do të përfshiheshin vetëm pak muaj më vonë në ngjarjen më të bujshme të këtij kampi: Revoltën e Qafë-Barit. Edhe në këtë dokument dëshmohet qartë se atmosfera në prag të revoltës ishte thuajse në gjendje alarmi, ndërsa Sigurimi i Shtetit kishte filluar arrestimet në burg për të ridënuar personat që dyshoheshin se planifikonin arratisjen.

“Në vitin 1984, nga ana jonë u morën një sërë masash që këto objekte të realizoheshin. Me kapjen në flagrancë të objektit Nimet Gjini në muajin shkurt dhe arrestimin e objektit Ramadan Demiri në mars, më pas u propozuan për arrestim edhe objektet Kostandin Gjordeni dhe Sandër Sokoli.

Në kohën kur ishin përcaktuar këta dy për arrestim, si dhe detyrat për ndalimin e tyre dhe të tjerëve pas tyre, më 22 maj 1984, të dënuarit organizuan revoltën kundër personelit të shërbimit. Në këtë ngjarje u implikuan 30 të dënuar, nga të cilët 24 u ndaluan dhe u dërguan menjëherë në dhomat e hetimit të Degës së Punëve të Brendshme, Pukë,” – shkruhet në dokument.

Pas Revoltës, dhuna në kamp u shtua në mënyrë të shumëfishtë.

“Edhe në datën 22 maj ne kemi qenë në një turn me, në brigadën që isha unë, dhe një nga këta të burgosurit Ndue Pisha,   ishte pak i sëmurë dhe nuk e kishte realizuar normën siç thoshin këta. Ishte një vagon mallrash aty edhe kur dolëm nga galeria, erdhi turni tjetër, polici mbaroi punët, bisedoi me policin që erdhi me turnin e dytë, me turnin e parë, i tha: do të të dërgoj një të dënuar që s’ka bërë normën. Edhe na futën në kamp për të ngrënë ushqim atje, mëngjesin,

Hyn policia, vjen Mondi, se mbante një suitë prapa, edhe e marrin këtë, i thonë: do të dalësh në punë. I tha: jam sëmurë. Del, s’del. E tërhoqën zvarrë, e goditën. Atëherë të dënuarit e tjerë u revoltuan edhe vajtën ia morën policisë.

Pastaj pasi i arrestuan 20 e ca veta, hynë këta ujqërit brenda.

I futën, ishte një vend, një dhomë atje, i thoshin dhoma e takimit, edhe atje i bënë, ata e dinë. I nxorën, të gjithë nga dhimbjet, se ishin shumë afër pozicionit me ne aty, ne rrinim në këmbë si të mpirë, prunë një makinë të zbuluar dhe i kanë marrë, i kanë hedhur si thes çimentoje, kështu, se asnjë nuk qëndronte në këmbë nga ata, ishin torturuar dhe pastaj i thërrisnin grupe-grupe te dhoma e takimit. Kur kam hyrë unë se më erdhi radha, grupi i 8-të më duket, e gjithë dhoma sinqerisht ishte me gjak. Muret ishin me pika gjaku, stërkala si mund t’u thuash atje, dhe në tokë kishte drurë, se me dru i kishin torturuar. Ata drurët ishin llangosur me gjak, ishin të hedhura në tokë, dru nga ata të ahut të kuzhinës. Pasi na torturuan me shkelma, se drurët nuk i kapnin, ishin me gjak…”, kujton Bedri Blloshmi. 

Në dokumentin e operativit të kampit theksohet se shkaktarët e Revoltës ishin pikërisht të burgosurit që donin të arratiseshin.

“Pjesëmarrësit në këtë ngjarje, të cilët u ndaluan, ishin: Sokol Sokoli, Sokol Progri, Vllasi Koçi, Kostandin Gjordeni, Agim Karameta, Petrit Moriseni, Haxhi Baxhinovski, Lazër Shkëmbi, Lush Bushgjoka, Tom Ndoja, Martin Leka, Ndue Pisha, Nikoll Prenga, Kol Shkëmbi, Ndue Kola, Hysen Tabaku, Edmond Musafaraj, Ded Martini, Bajram Vuthaj, Xhelal Tota, Dedë Nimani, Mark Ndoci, Ramazan Spahiu dhe Martin Pjetri.”

Siç dëshmohet edhe në këtë dokument, arrestimet u pasuan me dënime të rënda. Dy djem të rinj u pushkatuan, vetëm mbi bazën e denoncimeve se po planifikonin të arratiseshin. Shumë të tjerë u ridënuan me dënime të gjata, që shkonin nga 11 deri në 25 vjet burg.

Lutfi Kelmendi thotë se u transferua në kampin e Qafë-Barit pas ngjarjes së revoltës dhe gjendja që gjeti aty ishte e tmerrshme:

“Kur shkuam në Qafën e Barit, mos e pyet. Bora ishte kiamet. Kampi i rrethuar. Ushtria rreth e rrotull. Kampi kishte tre rrethime. Vetë kampi ishte dënuar me 5 vite, si kamp.

Komandanti i këtij terrori ishte Mond Caja. Ishte edhe një instruktor partie nga Pogradeci, një copë injorant. Thjesht komunist. Kishte qenë instruktor i patentave atje, kishte bërë kërkesën dhe e kishin sjellë në Qafën e Barit — por ishte kriminel. Ky dhe Mondi.

Përdornin dhunë psikologjike dhe fizike. Ne që punonim më shumë, na donin për në minierë. Ata që rrinin në kamp, e kishin më të rëndë. Ushqimin e kishin të dobët. I thoshim ‘600’, sepse vetëm 600 gramë bukë merrnim. Kapanoni ishte i tmerrshëm, me dërrasa nga brenda dhe jashtë, njësoj si në dimër ashtu edhe në verë. Qafa e Barit dhe Korça janë rekord për temperaturat nën zero. Qafa e Barit -18, -20°C. Nga tetori deri në mars ecnim në borë. Lumturia jonë ishte kur hynim në galeri, sepse aty nuk kishte borë. Por edhe aty kishte vetëm dhunë. Dhunë e terror për të nxjerrë vagonët. Dhe çdo vit e ngrinin planin e punës", thotë Kelmendi.

Gjergj Hani mbërriti në këtë kamp një vit pas Revoltës. I dënuar në moshën 16-vjeçare, pasi kishte tentuar të arratisej nga liqeni i Pogradecit.

“Kishte kaluar një vit nga revolta dhe masat e represionit ishin të jashtëzakonshme. U rreshtuan në të dy anët policë me bishta kazme. Na hoqën zinxhirin e madh, pastaj zinxhirin e dytë, dhe polici i autoburgut mori veglat dhe i futi brenda. Dy policë të kampit filluan të bërtisnin, me ulërima e shkelma na shtynin si bagëtinë në thertore. Duhej të kalonim në mes të atij rreshti me policë, që filluan të na godisnin verbërisht.

Unë shpesh e kam pyetur veten: pse gjithë ajo urrejtje? Një njeri mund të urrejë dikë për një arsye, por këta nuk na njihnin fare. Ishte urrejtje inpersonale, e verbër. Fillimisht ndjemë goditjet, pastaj u mpimë. Trupi reagon në mënyrë automatike, lëshon adrenalinë dhe nuk ndien më. Dhimbjet vinin pas një dite ose më vonë.

Na çuan në një godinë të vogël midis fjetoreve dhe sallës së televizorit — një burg i vogël brenda kampit, që quhej ‘reparti i karantinës’. E dinin që vinim me morra, ndaj na dezinfektonin aty. Na mbajtën një javë. Dhe gjatë asaj jave na rrihnin tri herë në ditë – sa herë na sillnin bukën, na rrihnin,” – rrëfen Gjergj Hani.

Nën këtë terror rridhte jeta në burgun e Qafë-Barit. Edhe një herë, diktatura shtypte me dhunë ëndrrat për liri të djemve të rinj. Me forcë dhe terror, drejtuesit e kampit përpiqeshin të vendosnin rendin, duke u mburrur se kishin mundur të nënshtronin të burgosurit rebelë. Dy prej tyre — Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli — u pushkatuan. U nxorën sytë dhe trupat e tyre u fshehën në një varr sekret.

Dokumenti i operativit Miti Kuriçi mbyllet me këto fraza, ku bie në sy krenaria për këtë “arritje”: “Pas ngjarjes së ndodhur, intensiteti i veprimtarisë armiqësore u ul ndjeshëm dhe tendencat për arratisje nga reparti janë thuajse të papërfillshme. Edhe veprimtaria armiqësore në formën e agjitacionit dhe propagandës ka një frekuencë të ulët.

Aktualisht kemi në ndjekje 10 objekte 2/A, ku 6 ndiqen si agjentë të zbulimeve të huaja dhe 4 për agjitacion e propagandë, nga 27 objektet që kishim para ndodhjes së ngjarjes.”

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Raporti i KE, si e vlerësoni punën e drejtësisë në Shqipëri?