Armando Lamaj, 46 vjeç dhe Andon Tefi, 48 vjeç, dy shqiptarët të cilët mbetën të vrarë, bashkë me një 23-vjeçar, mbrëmjen e së shtunës pas përplasjes mes bandave shqiptare në Athinë, rezultonin se ishin shpërndarës kokaine në shtetin fqinj.
Dy shqiptarët rezultonin se kishin mosmarrëveshje me njëri-tjetrin pas arrestimit të fundit, ku më pas të dy u lanë të lirë. Ata u akuzuan nga prokuroria për shitje kokainë, në Athinë, madje arrestimi i tyre u krye në flagrancë. Por pas lirimit në fillim të qershorit, Armando Lamaj, dyshonte se Andon Tefi ishte “spiuni”, që i kishte dhënë informacione policisë.
Mëngjesin e së shtunës (2 korrik) ata janë takuar për t'u sqaruar, duke lënë takim në mbrëmje. Lamaj bashkë me miq e familjarë të tij i kishin zënë pritë Tefit. Ky i fundit mbërriti në takim me një “Mercedes-Benz”, ku ndodhej bashkë me një femër, ndërsa pala tjetër mbërriti me 2 automjete dhe 1 motor. Tefi duke menduar se do kishte rënë në pritë për t’u rrahur ose vrarë, hapi zjarr i pari duke qëlluar drejtuesin e motorit, Armando Lamaj.
Pastaj qëlloi në drejtim të një prej automjeteve, duke plagosur dy persona. Një nga të plagosurit, pikërisht 23-vjecari shqiptar, tentoi të largohej, por Tefi e goditi me makinë. Në këtë moment Tefi largohet dhe drejtimin e mjetit e merr 43-vjecarja shqiptare, e cila i hipën sipër me makinë të riut shqiptar. Pas arrestimit nga policia, në çantën e 43-vjecares u gjet një pistoletë “Zastava”.
Pasi largohet me këmbë, Tefi, i cili dyshohet se ishte nën efektin e lëndëve narkotike, rrëmben nga një kalimtar një automjet tip “Toyota Yaris”, ngjyrë e zezë, dhe drejtohet për Agious Anargirous.
Aty hyn në një karburant dhe grabit disa euro, e më pas hipën në makinë dhe i drejtohet një bari në zonë, ku edhe aty grabit 20 euro. Sapo del nga bari, pikaset nga policia, e cila i bën thirrje për t’u dorëzuar, por ai hap zjarr ndaj tyre. Aty ndodh shkëmbimi, ku plagosen dy policët dhe vritet Andon Tefi. Pranë tij u gjet një pistoletë e llojit “CZ”.
Sipas mediave greke, nga 9 persona të tjerë që morën pjesë në masakrën në qendër të Athinës, 3 persona janë arratisur dhe 6 të tjerë janë arrestuar. 46-vjeçari Armando Lamaj, ishte arrestuar 7 herë për krime të ndryshme, nga trafiku i drogë e deri te grabitja dhe posedimi i armëve. Gjithashtu edhe Andon Tefi, ishte pjesëtar i një organizate kriminale. Gjithashtu, policia po kërkon të gjejë kokat e mëdha që komandojnë bandat shqiptare të drogës që po pushtojnë Athinën dhe së fundmi po hakmerren duke vrarë njëri-tjetrin.