Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie për Gjuljo Vuksani personi i vetëm që mbahej i arrestuar për masakrën e Dobraçit, nën dyshimin se ai siguroi automjetin tip Range Rover që u përdor nga autorët për të vrarë dy të rinj.
Vendimi u dha nga gjyqytari i Posaçëm Erjon Çela, i cili pranoi kërkesën e SPAK për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Vuksani u arrestua nëntorin e vitit të kaluar me urdhër të prokurores Elida Kackini, si person i përfshirë në masakrën e Dobracit, ku u ekzekutuan Arlind Bushati dhe Hamza Lici si dhe humbën jetën cifti i bashkëshortëve Bashkim dhe Flutura Basha.
Ngjarja e rëndë u shënua në 30 tetor të vitit 2024 në zonën e Dobraçit, ku persona të paidentifikuar qëlluan nga një automjet drejt makinës ku udhëtonin dy të rinjtë, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Nga breshëria e plumbave, automjeti ku udhëtonin dy viktimat humbi kontrollin, për pasojë u përplas me një motor ku udhëtonin Flutura dhe Bashkim Basha, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen. Në automjetin e viktimave, dyshohet se ndodhej një person i tretë, i ulur në sediljen e pasme, por prokuroria nuk ka folur zyrtarisht mbi këtë dyshim.
Pasi prokuroria e Shkodrës nisi hetimet për këtë çështje, pak ditë më pas shpalli moskompetencë duke ia referuar dosjen Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për grup të strukturuarar kriminal, vepër penale që është kompetencë e SPAK. Për ngjarjen e Dobraçit janë kryer disa veprime nga prokurorja Elida Kackini, teksa çështja është ende nën hetim.
Njoftimi i plotë:
1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 12.05.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: "Zëvendësim i masës së sigurimit personal "Arrest në burg", e caktuar ndaj personit nën hetim Gjuljo Vuksani me vendimin nr. 139, datë 17.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me masën e sigurimit personal "Arrest në shtëpi", e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale".
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 237 dhe 260/2 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 306, datë 14.05.2025, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së kërkuesit Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues "Arrest në burg", e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar ndaj personit nën hetim Gjuljo Vuksani me vendimin nr. 139, datë 17.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me masën e sigurimit personal "Arrest në shtëpi", e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
3. Urdhërohet personi nën hetim Gjuljo Vuksani që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në ****
4. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Gjuljo Vuksani nga ambjentet e paraburgimit nëse ai nuk mbahet i arrestuar me ndonjë masë tjetër sigurimi "Arrest në burg", si i dyshuar për kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale apo me ndonjë vendim dënimi me burgim.
5. Urdhërohet policia gjyqësore dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi.
6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, afat ky që fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
Komente
