Masakra me dy të vrarë dhe dy të plagosur mëngjesin e së hënës në Shkodër ka tronditur opinionin publik. 29-vjeçari Ragip Gila hyri në një lokal pranë bashkisë dhe vrau me armë zjarri Armando Palin, Liridon Krajën (Lushin), dhe plagosi Erogen Brajoviçin ( shënjestra e atentatit) dhe kamarieren Meri Kaceri.
Punonjës social, Klaudio Pulaha, në një intervistë për Andi Kapxhiun në Report TV shprehu shqetësimin se këto ngjarje të rënda kanë ndikim të madh tek të rinjtë, pasi kanë filluar të normalizojnë dhunën.
“Na shqetëson fakti që fëmijët, adoleshentët po rriten me një model që po normalizojnë pjesën e dhunës. Kur rritet duke parë situata dhune apo vepra të ndryshme penale e kriminale. Nuk po them se nuk ndodhin në shtete të tjera por le të shqetësohemi për vendin ku jetojmë. Të kesh çdo ditë nga këto kronika të zeza, duhet të shqetësohemi. Fëmijët, të rinjtë dhe adoleshentët, kur shikojnë këto situata dhune, janë duke pranuar dhe normalizuar faktin se një situatë momentale është duke u zgjidhur krejt natyrshëm përpos dhunës që mund të ushtrohet. Rasti konkret i Shkodrës kishte të bënte me të rritur por modelet transferohen edhe te të rinjtë.”, u shpreh ai.
Duke u ndalur te kërkesa gjithnjë e më e shumtë e qytetarëve që kërkojnë dënimet me vdekje, punonjësi social tha se kjo vjen për shkak se kanë humbur besimin te institucionet. Duke komentuar faktin se autori sapo kishte dalë nga burgu, ai shprehu gjithashtu edhe nevojën e të punuarit më shumë me persona të tillë për të mos lejuar raste të përsëritura.
“Unë mendoj që kjo kërkesë vjen se është humbur besimi te institucionet dhe te reagimi i tyre. Nuk duhet thjesht një reagim formal dhe momental. Ne shpeshherë në këto raste shikojmë policinë që shfaqet për pak ditë dhe më pas sikur nuk ka ndodhur gjë. Sa i përket rastit të Shkodrës, kemi dëgjuar nga media autori ka qenë i dënuar. Fakti që nuk kemi të bëjmë me rikuperim apo korigjim të sjelljes së këtij personi paçka se mund të jenë marrë shërbimet psiko-sociale brenda këtij institucioni, dua të theksoj se çfarë po ndodh. A kemi të bëjmë me shërbim të mirëfilltë dhe cilësor në këto institucione? Persona që dalin nga këto institucione a monitorohen, a integrohen. Duhet të evidentohen familjet e brishta dhe me strukturë të dëmtuar, të ketë më tepër programe dhe punë komunitare me qëllim që të parandalojmë. Nuk shkohet direkt te vrasja por kemi ato sherret momentale.”, shtoi ai.
Komente

Kta kriminela ne Shkoder me emra Bajram njani e Bajram tjetri mas vrasjeve shkojne e falen ne xhami tmerr!!
Përgjigju