Qentë e rrugës teksa lëvizin kope në qendër të Lezhës përbëjnë kërcënim për qytetarët, të cilët shpesh kanë rënë pre e kafshimeve.
"Janë shumë problem, u turren fëmijëve", thotë një qytetar.
"Problem janë, unë i kam frikë", shprehet një tjetër.
Përballë këtij shqetësimi në rritje, Bashkia e Lezhës ka gjetur rrugën më të shkurtër, duke helmuar masivisht qentë, që tashmë shihen të japin shpirt në shëtitore e lulishte.
Zyrtarisht vendorët nuk prononcohen, por jashtë kamerave thanë se nuk kanë trajtuar asnjëherë kafshët e rrugëve. Burimet shprehen se në buxhetin e vitit 2022 është parashikuar një fond i posaçëm për sterilizimin dhe rehabilitimin e qenve endacakë. E deri atëherë, qytetarët do të përballen me këtë shfaqje të shëmtuar dhe mbi të gjitha të jashtëligjshme.
"Mirë është të marrë masa bashkia, se nuk vriten. Të grumbullohen diku e të rehabilitohen, por jo të vriten", shprehet një qytetar.
Kjo problematikë është hasur më herët dhe në Korçë e Vlorë, ku institucionet vendore nuk kanë asnjë strategji dhe as fonde për trajtimin e kafshëve të rrugëve ndaj përfundojnë në eliminimin e tyre. Ky veprim përveçse mizor është dhe antiligjor, pasi në kodin penal parashikohet dënimi deri në 3 vite burg për vrasjen e kafshëve.
Shpresoj shume ti ndodhe e njejta gje atij apo atyre qe i kane helmuar bastarde te pashpirt egersira
Përgjigju