Prokuroria e Tiranës ka shtyre me 3 muaj të tjerë hetimet për ngjarjen e ndodhur në zonën e ish-bllokut në 4 tetor 2018, ku mbeti i vdekur në vend Fabian Gaxha, dhe u plagosën biznesmeni Ervis Martinaj e Eljo Hato. Vendimi për shtyrjen e hetimeve është marrë nga dy prokurorët e çështjes Artan Lulaj dhe Anisa Qilimi, të cilët kanë kërkuar kohë të njihen me të dhënat financiare që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të sjellë për bizneset e biznesmenit, Martinaj.
Kjo pasi ndaj Martinaj prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim paralel me ngjarjen e masakrës në ish-bllok, për akuzën e "Pastrimit të produkteve të veprës penale". Në fakt vetë Martinaj, në këtë ngjarje të rëndë, të ndodhur në ambjentet e brendshme të lokal "Monopol" në pronësi të Redi Popeskut, mbeti i plagosur me një plumb në qafë. Ndërsa personi kryesor që shkaktoi këtë masakër me një të vrarë dhe dy të plagosur, është një oficer i trupave komando në Tiranë, i quajtur Merviol Bllo.
Që ka dita e ngjarjes e deri më sot Merviol Bilo, është shpallur në kërkim dhe sot e kësaj dite ende nuk është arrestuar nga policia e Tiranës. Bilo, është kushëriri i parë i këngëtares Elvana Gjata, dhe se ditën e ngjarjes Bilo, ka qenë nën shoqërinë e të dashurit të Elvanës, Ervin Mata. Për këtë ngjarje që la të vdekur një person dhe dy të plagosur rëndë, momentalisht nuk ka asnjë person në burg.