Një video e rëndë është publikuar nga mediat e huaja, ku thuhet se tregon momentin ku studentët shihen duke u strukur në tavolina, pasi 15-vjeçari i armatosur, i cili e identifikoi veten si zëvendës i një sherifi, qëlloi për vdekje tre nxënës në një shkollë të mesme në Miçigan, duke plagosur tetë të tjerë, përfshirë një mësues.
Sipas ‘Daily Mail’, në video paraqiten pamjet e rrëqethëse të kapura nga një student, ku shihen shokët e një klase të grumbulluar nën tavolina, të cilën kishin kyçur derën, ndërsa vrasësi i armatosur, kishte filluar ‘aksionin’ e tij, dhe endej nëpër korridoret e shkollës, duke u përpjekur të bindë viktimat e mundshme se ishin të sigurt dhe të dilnin nga aty, ku ishin fshehur.
"Zyra e Sherifit," tha vrasësi. "Mund të dilni".
Studentët shkëmbyen shikime ndërmjet tyre, ndërsa njëri pëshpëriti “ai tha se është e sigurt të dalim...”. Por një shok klase skeptik nuk pranoi të hapte derën, duke thënë: ‘Ne nuk jemi të gatshëm ta marrim atë rrezik tani’.
Ndërkohë, sulmuesi i dyshuar, u arrestua brenda pesë minutave nga telefonata fillestare, tha policia dhe shtoi se një oficer në vendngjarje ndihmoi në kapjen e tij.
Policia tha të martën pasdite se adoleshenti mund të gjykohet si i rritur për vdekjen e një djali 16-vjeçar dhe dy vajzave, 14 dhe 17 vjeçe. Mbi 20 të shtëna u qëlluan nga adoleshenti.
Autori, nxënës i gjimnazit të Oksfordit, u arrestua, por nuk dha asnjë shpjegim për aktin e tij, tha Michael Mccabe, një zëdhënës i policisë lokale.
"Mund t'ju them se ai qëlloi disa herë" tha polici, duke shtuar se autori përdori një pistoletë gjysmë automatike.