Kronikë

Vrasjet në Velipojë, zbardhet dëshmia e të plagosurit Hasan Ferracaku: Shkuam për të biseduar për shezlonget, por situata doli nga kontrolli! Ata qëlluan të parët

28 Qershor 2021, 10:24| Përditesimi: 28 Qershor 2021, 16:58

  • Share

Është zbardhur dëshmia e Hasan Ferracakut, i cili mbeti i plagosur ditën e djeshme në ngjarjen e rëndë që u regjistrua në Velipojë, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë

Hasan Ferracaku e ka dhënë dëshminë e tij për Policinë nga Spitali i Traumës, ku është shtruar pasi mbeti i plagosur, ndërsa ka rrëfyer se në hotelin e familjes Gocaj kishin shkuar për t'u sqaruar dhe për të gjetur një zgjidhje në lidhje me vendosjen e shezlongeve në plazh.

Sipas Ferracakut, ata i kishin kërkuar familjes Gocaj që të largonin shezlonget nga ajo zonë e plazhit, pasi këtë vit e kishin ata të drejtën pasi kishin aplikuar, por shton se Gocajt nuk pranuan duke kërkuar që të prisnin deri në përcaktimin e vendit të tyre.

Debati më pas është acaruar, duke shkuar deri në përdorimin e armëve. Hasan Ferracaku thotë në dëshminë e tij se kanë qenë Gocajt ata që kanë qëlluar fillimisht dhe se më pas, vëllai i tij, Kujtim Ferracaku, i cili mbeti i vrarë, është kundërpërgjigjur për vetëmbrojtje. Sipas tij, me familjen Gocaj i kishin marrëdhëniet e mira, por thekson se gjërat dolën jashtë kontrollit.

“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezlonget në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezlonget njëkohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në baze të aplikimeve.

Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezllonet, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli", mësohet të ketë thënë ai.

Ndërkohë, në deklaratën e tij një ditë më parë, Pjetër Gocaj, babai i Xhovan dhe Edmond Gocajt, tha po ashtu se me Ferracakët kishin patur marrëdhënie të mira dhe se nuk e prisnin të ndodhte një gjë e tillë. Sipas tij, Ferracakët nuk kishin shkuar për t'u sqaruar, sa kohë që kishin armë me vete.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas një konflikti mes dy familjeve për disa metra territor plazh në Velipojë. Viktima mbetën Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli vetëm 20 vjeç, ndërsa u plagosën Hasan Ferracakut dhe Elmidin Dyli, nipi i Kujtim Ferracakut. Musaen Zeneli është viktima më e pafajshme e kësaj ngjarje të rëndë, që kishte filluar vetëm dy ditë më parë punë si kamerier në hotelin Gocaj, e për të cilin dita e parë e tij e punës rezultoi tragjike dhe u bë dita e fundit e jetës, duke shokuar opinionin publik. 

Policia ka shpallur në kërkim dhe tre djemtë e Hasan Ferracakut, Abedin, Shyqyri dhe Besar Ferracaku, pasi dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorë në sherrin që përfundoi me katër të vrarë.

1624892277_HASANFERRACAKU.jpg

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 29/06/2021 01:20

    /KISTRA/ jam dakord me ju por dua te shtoj, qe shteti te mos lejoje asnje te nxjerre shezlonga e cadra,pa marre te gjithe aplikuesit per nje (X) plazh pergjigje te sakte per aplikimet e tyre.

    Përgjigju
  • Ferditi: 28/06/2021 13:02

    Ka pergjegjësi policia ,dhe gjyqësori, njerezit duhet te ndjejne frikën dhe ndryshimin e ligjit

    Përgjigju
  • Kistra: 28/06/2021 12:33

    Me kallash neper duar e kobure ne brez nuk shkohet per te biseduar por ne lufte! Dhe pasoja e tmerrshme dihet, ku nuk duhet te flitet per pale por per 4 viktima. Tmerre!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?