ELBASAN- Ramis Mici, i cili u arrestua një ditë më parë pasi qëlloi për vdekje me thikë bashkëjetuesen e tij Jetlira Elezi mëngjesin e së shtunës, nuk ka shprehur pendesë për krimin e kryer. Krejtësisht i ftohtë ka pranuar para policisë dhe prokurorit të çështjes autorësinë e krimit, por nuk ka dhënë shpjegime të qarta mbi motivet. Kjo bën që organi i akuzës të vijoj të ketë dyshime se ngjarja e rëndë ka ndodhur për motive xhelozie.
Jetlira Elezi, 37-vjeçe mbeti e vdekur në vend pasi u godit me thikë nga bashkëshorti i saj. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (30 korrik), në Elbasan në një banesë që çifti kishte marrë me qira në lagjen ‘Skëndërbej’. Pronarët e banesës ishin të parët që gjetën gruan e pajetë në mes të dhomës. Sipas pronarit Xhafer Zdrava, dhoma e gjumit ishte e mbushur me gjak, ndërsa 37-vjeçarja ishte gjetur e vdekur në afërsi të dhomës së ndenjës.
Vrasja dyshohet se ka ndodhur për shkaqe xhelozie, ndërsa 37-vjeçari e kishte dhunuar të ndjerën para disa ditësh dhe i kishte thyer telefonin. Në një reagim, policia sqaroi se i ishte kërkuar që të bënte kallëzim, por Elezi kishte kërkuar vetëm urdhrin e mbrojtjes pasi donte të qëndronte larg tij. Kur janë larguar nga komisariati, kanë qëndruar në apartamente të ndara. Të dy vinin nga martesa të cilat kishin përfunduar në divorc dhe kishin nga dy fëmijë nga lidhjet e mëparshme. Jetlira mbante një nga fëmijët e saj, vajzën, ndërsa fëmijët e Ramisit mbahen nga ish e shoqja.