“Ndoshta i erdhi fundi edhe turizmit me ndryshimet dhe masat e reja që po merren”, pohon Besnik Vathi operator turistik, kur flet për masat e Komitetit të Ekspertëve. Shtrëngimi i masave për të mos lejuar përhapjen e virusit COVID-19, vë në rrezik rezervimet e bëra për turizmin e vjeshtës dhe të dimrit.
Operatorët turistik Besnik Vathi dhe Xhimi Lamaj thonë se edhe pse qytetarët ishin të përgatitur për kufizimet, rezervimet nuk kanë munguar. Megjithatë, me detyrimin për të paraqitur dokumente për Covid, lëvizja bëhet më e vështirë dhe e kushtueshme.
“Të gjitha informacionet që kemi nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të paktën për shtatorin dhe tetorin rezervimet janë anuluar. Do funksionoi turizmi individual jo i grupeve”, tha Xhimi Lamaj.
“E rëndësishme është se janë vetëm masa dhe kërkesa teknike teste dhe vaksina, dhe nuk është mbyllje apo kushtëzime për të mos udhëtuar për arsye turistike. Në total një udhëtim bëhet më i shtrenjtë për ata që ikin dhe vijnë pasi në shumicën e rasteve do ju duhet të bëjnë dy teste, një në hyrje dhe një në dalje, dhe do të eliminohen udhëtimet e shkurtra në rajon”, shprehet Vathi.
Ndërkohë sa i takon sezonit veror operatorët e konsiderojnë të suksesshëm, dhe për këtë, rol sipas tyre ka luajtur fluksi i emigrantëve.
“Turizmi i plazheve pati një ecuri të mirë gjatë muajve të verës së këtij viti, përsëri nuk besoj se kemi arritur rezultatet e vitit 2019, besoj se jemi në 70% të realizimit në krahasim me 2019”, tha Vathi.
“Po ta krahasojmë turizmin e 2021 me atë të 2020 ndryshimi është drastik. Këtë vit kishte një fluks të paparë gjatë periudhës së verës nga 15 korriku deri në 25 gusht, kishte dyndje më shumë se 2019 që ne e marrim si referencë. Këtë vit ka ndryshuar tërësisht mënyra e udhëtimit, pasi trendi këtë vit ishte turisti individual, dhe më shumë prurje nga Dubai dhe Abu Dabi. Po ashtu këtë vit ka pasur shumë fluks nga emigracioni që vitin e kaluar ishin të bllokuara”, pohoi Lamaj.
Por sezoni nuk kaloi pa problematika, pasi menaxhimi i mbetjeve, dëmtoi imazhin e vendit thotë eksperti Lamaj.
“Problematika kryesore e sezonit ishte pastërtia. Para dy vitesh ishim shumë mirë krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa tani jemi kthyer mbi 5 vite mbrapa, edhe pandemi edhe plehra kudo është e papranueshme. Shumë bashki janë inekzistente dhe nuk e menaxhojnë territorin”, tha Lamaj.
Nga janari në korrik në vend kanë hyrë mbi 2.8 milionë shtetas të huaj, 1.7 milionë prej të cilëve kanë hyrë vetëm në muajit qershor e korrik.