Në 24 orët e fundit në vendin tonë u gjobitën 413 qytetarë të cilët u konstatuan në rrugë pa maska në kundërshtim me masat COVID.
Policia e Shtetit ka gjobitur qytetarët me 3000 lekë, shifër e cila do të vendoset në faturën e energjisë elektrike.
Gjithashtu gjatë kësaj kohe janë ndëshkuar 5 qytetarë të cilët lëviznin pas orarit të kufizimit, 22:00. Ata u gjobitën me 10.000 lekë secili.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në biznese të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 1 biznes në të cilin ushtrohej aktiviteti në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.
Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin.