Selia e PD-së

Masat disiplinore për anëtarët, kompetenca e Bashës

9 Gusht 2018, 07:39| Përditesimi: 9 Gusht 2018, 07:42

  • Share

Ndryshimet në statut parashikojnë që thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH.

Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit. Ato mund të bëhen publike.

Sipas ndryshimeve, në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje.

Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit dhe Zbatimit të Statutit brenda 5 ditëve nga marrja e ankimit. Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga kryesitë e rretheve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga kryesia e partisë për të gjitha rastet e tjera. Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm.

Kjo kompetencë mund të jetë e rrezikshme për demokracinë dhe mendimin ndryshe në Partinë Demokratike, pasi kryetari i partisë mund ta ushtrojë këtë të drejtë ndaj çdo anëtari, i cili mund të jenë edhe funksionar apo ish-funksionar i lartë i partisë, që pozicionohen kundër linjës së kryetarit.

Sipas këtij parashikimi, kryetari mund të paralajmërojë, pezullojë dhe përjashtojë çdo anëtar të PD, për të cilin mendon se po dëmton interesat e partisë. Në kushte normale, masat disiplinore ndaj një anëtari të Partisë Demokratike merren sipas rastit nga Kryesia e degës së PD, nga Kryesia e Partisë Demokratike. Këto masa konfirmohen ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit. Por, për i gjithë ky proces, në raste urgjente, sidomos në periudha zgjedhore, mund të ushtrohet nga kryetari i partisë, çka mund të prodhojë përjashtime arbitrare, ndëshkime dhe hakmarrje në parti.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?