Ministri Malaj në portin e Durrësit

Politikë

Masat për skanimin e mjeteve, ministri Malaj inspektim në portin e Durrësit: Shkojmë drejt modernizimit të administratës doganore

11 Gusht, 14:45| Përditesimi: 11 Gusht, 14:52

  • Share

Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, zhvilluan një vizitë inspektuese pranë skanerit të Portit të Durrësit, ku gjatë tre muajve të fundit është shënuar një ulje e ndjeshme e numrit të skanimeve.

Ky zhvillim ka sjellë lehtësim të dukshëm të procesit për operatorët ekonomikë dhe është mirëpritur nga shoqëritë e transportit, të cilat kanë vlerësuar reduktimin e kohës së pritjes dhe trajtimin më efikas të fluksit.

Agron Jaku, Drejtor i Përgjithshëm i S2 Albania, u shpreh:

“Masat shtesë e kanë lehtësuar dhe përshpejtuar procesin e transportit si për turizmin, ashtu edhe për mjetet e tjera. Aktualisht kemi rreth 200 skanime në ditë dhe i gjithë procesi, nga hyrja në dalje, zgjat vetëm 3 minuta.”

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, theksoi:

Rritja e volumeve të mallrave ka sjellë edhe rritje të ritmit të zhdoganimeve. Në çdo vit, Porti i Durrësit përpunon rreth 15% të volumit total të import–eksporteve, duke qenë pika më e rëndësishme kufitare në këtë drejtim. Kemi arritur të ulim kohën e përpunimit dhe qëndrimit në port, si dhe të reduktojmë me mbi 10% kohën e skanimit për subjektet që e përdorin si pikë hyrëse dhe dalëse.”

Nga ana e tij, Ministri i Financave, Petrit Malaj, u shpreh:

“Këto janë masa të domosdoshme, që shkojnë drejt modernizimit të administratës doganore dhe përputhjes së proceseve të punës me standardet e Bashkimit Europian. Një doganë e shpejtë, transparente dhe e besueshme është thelbësore për të arritur objektivat tona dhe për t’u afruar më shpejt me standardet e BE-së.”

Ky përmirësim është rezultat i marrëveshjes së firmosur në muajin prill, në prani të Kryeministrit Edi Rama, e cila garanton një qasje të koordinuar mes Doganës dhe Policisë së Shtetit, me kontrolle të targetuara vetëm mbi bazën e riskut.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, po punohet për të reduktuar edhe më tej numrin e skanimeve, duke siguruar balancën e duhur mes sigurisë dhe lehtësive për biznesin.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?