Masat që do merren gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, afati dhe mënyra e kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti

27 Nëntor 2019, 11:01| Përditesimi: 27 Nëntor 2019, 11:03

  • Share

TIRANE- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës pas tërmetit të së martës, i cili ka shkarkuar deri më tani 28 viktima, disa të humbur dhe mbi 600 të plagosur. Po sa do të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme, çfarë masash do ndërmerren nga strukturat shtetërore dhe cila është kostoja financiare? Në korrik të vitit 2019, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin e ri për mbrojtjen civile, i cili parashikon edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria në rastet e fatkeqësive natyre. 

1. Afati 
Qeveria mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit. Në rastin konkret qeveria do të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore (gjendjen e jashtëzakonshme) në Tiranë dhe Durrës. Por, sipas ligjit për mbrojtjen civile, zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore përtej afatit 30-ditor mund të bëhet vetëm me miratimin e Kuvendit. 
2. Masat e jashtëzakonshme nga shteti 
Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore vendosen dhe të zbatohen disa masa të jashtëzakonshme për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë. Ndër masat që parashikohen janë detyrimi për përdorimin e burimeve financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe rivlerësimin e buxhetit vjetor për përballimin e fatkeqësisë, detyrimi për vënien në dispozicion të burimeve njerëzore dhe logjistike si dhe caktimi i objekteve shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar. Ndërkaq, strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civil duhet të bëjnë evakuimin e detyruar për popullsinë e rrezikuar si dhe detyrimin për organizimin e kontrollit të njëanshëm ose në bashkëpunim me komunitetin të banesave dhe objekteve private për gjetjen e të mbijetuarve dhe të viktimave të fatkeqësisë, si dhe procedurat e detyruara për kryerjen e shërbimeve funerale. 

3. Detyrat për subjektet private 
Sipas ligjit, gjatë situatës së jashtëzakonshme, subjektet private janë të detyruara të respektojnë procedurat për evakuimin e detyruar dhe strehimin e të evakuuarve, janë të detyruara për të informuar lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet dhe strukturat
e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë. Gjithashtu subjektet private duhet përfshihen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Subjektet private, sipas rastit dhe rrethanave, duhet mbyllin përkohësisht veprimtaritë e tyre si dhe të kryejnë shërbime në funksion të përballimit të fatkeqësive, detyrimin për prodhimin e artikujve të emergjencës. 

4. Detyrat për individët 
Edhe qytetarët janë të detyruar të zbatojnë urdhrat, masat dhe udhëzimet e autoriteteve të mbrojtjes civile, si dhe të ndjekin procedurat e kërkuara, në mënyrë të veçantë për evakuimin
e detyruar. Janë të detyruar të ndihmojnë me të dhënat që ndihmojnë institucionet publike dhe
strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë si dhe të përfshihen në detyra të veçanta për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

5. Kompensimi financiar 
Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, të gjithë personat dhe familjet e prekura nga fatkeqësia natyre kanë të drejtë të kompensohen nga strukturat shtetërore, për të gjitha dëmet e shkaktuara, në rastin konkret nga tërmeti i së martës. Si rregull dëmet përballohen nga vetë bashkitë e prekura nga fatkeqësia, nëpërmjet fondit të dedikuar për mbrojtjen civile. Por, në rast se bashkitë nuk kanë fonde të mjaftueshme për kompensimin, atëherë i planifikojnë ato për vitin pasardhës, deri në masën e kompensimit të subjekteve të dëmtuara. Ndërkaq, në rast se vlera e kompensimit tejkalon 8 % të buxhetit të bashkisë, Komiteti i Mbrojtjes Civile që vendos që kompensimi të kryhet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?