Britania e Madhe ndërmerr një tjetër hap për të frenuar emigracionin në vend, i kthyer në shqetësim kryesor për qeverinë. Përmes një plani të prezantuar nga Sekretari i Brendshëm James Cleverly, përforcohen kriteret për dhënien e vizave të punës. Në planin me 5 pika përcaktohet qytetarët britanikë tani do të lejohen të sponsorizojnë anëtarët e familjes për të lëvizur në Mbretërinë e Bashkuar vetëm nëse personi që jeton në MB fiton 38,700 £, nga 18,600 £ aktualisht.
"Migrimi është shumë i lartë dhe duhet të ulet mjaft është mjaft", tha Cleverly në Parlament.
Analistët thonë se kjo lëvizje e re që sipas qeverisë do të ulë me gati 300.000 persona në vit numrin emigrantëve, shihet si një përpjekje e kryeministrit Rishi Sunak për të shpëtuar reputacionin e partisë Konservatore për kontrollin e emigracionit.
Një zëdhënës i Downing Street e quajti paketën "shtrëngimin më të madh të emigracionit legal të ndodhur ndonjëherë".
Por ekspertët paralajmërojnë se plani i ri i qeverisë rrezikon të shkaktojë kaos të mëtejshëm në sektorin e shëndetësisë. Janë rreth 152 mijë vende të lira pune për punonjësit e kujdesit në Angli dhe gjatë kontrolleve në këto qendra është konstatuar se banorët që jetojnë në to nuk marrin shërbimin e duhur, dhe ndonjëherë pa standarde e të rrzikshme. Christina McAnea, sekretarja e përgjithshme e Unison, tha se:“Qeveria po luan ruletë me shërbimet thelbësore vetëm për të qetësuar mbështetësit e saj dhe të djathtën ekstreme.”
Së fundi, qeveria i ka kërkuar Komitetit Këshillimor të Migracionit të rishikojë rregullat për ata që përfundojnë studimet universitare në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndryshimet u paraqitën në parlament nga sekretari i shtetit për çështjet e brendshme James Cleverly i cili deklaruar se është koha të themi “boll është boll” kur flasim për emigracionin në Angli.