Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim për 5 personat që akuzohen, se kishte krijuar një skemë të mirëfilltë për të zhvatur qytetarët shqiptarët cilët donin të përfitonin viza amerikane.
Renato Nasto, Klea Prifti, Klaudio Leçini, Klaus Kapedeni, Xhemal Seseri, Eduart Gjini, akuzohen për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Në dosjen hetimore te prokurorisë thuhet se zbulimi i ketij grupi mashtruesish, u bë mbi bazën e informacionit e dërguar nga Shërbimi Diplomatik i Sigurisë pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë. Ata kanë informuar autoritetet shqiptare lidhur me një rast të mundshëm mashtrimi me vizat amerikane, që dyshohet se po kryhet nga një ose dy shtetas shqiptar këtu në Tiranë.
Shërbimet e sigurisë kishin konstatuar në 13 Tetor 2023 një shtetase e rreth 50-60 vjeç, në ambientet e jashtme të Konsullatës së SHBA-ve në Tiranë, duke shpërndarë kartë-vizita me shënimet në gjuhën shqipe “Viza Amerikane Insider”. Kartë-vizita mbante shënimet në gjuhën shqipe “Viza Amerikane Insider”, me dy llogari në platformat Instagram dhe WhatsApp duke dhënë edhe një numër telefoni.
Gjithashtu, nisur nga përshkrimet fizike të gruas e cila shpërndante kartë-vizita, është identifikuar se ishte Diana NASTO nëna e Renato NASTO, dhe së bashku ata disponojnë një agjensi tranferim parash me emrin “RIA Money Transfer”, dhe Agjenci Udhëtimi” ne adresën, rruga “Ramazan Citaku”, Kamëz, Tiranë. Pas verifikimeve u arrit në konkluzionin se Renato dhe Diana NASTO (nëne e bir), mashtronin qytetarët, të cilët donin të emigrojnë në mënyrë të paligjshme në SHBA, se nëpërmjet agjencisë së tyre viza amerikane është e sigurt, dhe për këtë ata kërkonin shuma të konsiderueshme nga 5.000 gjer në 10.000 dollarë amerikanë. Sipas dosjes të pandehurit kishin përdorur se karrem një faqe në Instagram me emrin “Viza amerikane insider”.
Ajo është përdorur nga Renato Nasto, për të tërhequr qytetarë të interesuar për të marrë vizën amerikane. Për ta bërë me bindës ai ka përdorur edhe fotot e pasaportave të personave që kishin marrë më parë viza, mes të cilëve edhe të Klea Priftit, të cilat i reklamonte si sukses të garantuar se nëse bashkëpunoje me të e kishe vizën 10-vjeçare në xhep. “Ju paguani vetëm pasi viza t’ju aprovohet”, shkruhet në faqen e Instagramit përmes të cilës Nasto ka arritur të marrë kontakt me shume qytetarë, aplikantët për vizitë. Ndërsa Klea Prifti, Klaudio Leçini, Klaus Kapedani dhe Xhemal Seseri akuzohen se e kanë lejuar 30 vjecarin Nasto të manipulojë me të dhënat e tyre.
Pasi plotësonin formularin me të dhëna të rremë, ditën e intervistimit në ambasadë, Renato Nasto u shfaqej si person me njohje të brendshme në ambasadë, i shoqëronte dhe jepte udhëzime se si duhej të përgjigjeshin duke u dhënë detaje manipulative. Në rast se viza merrej me sukses, në xhepin e Nastos shkonin 10 mijë euro. Nuk dihet saktë sa është numri i shqiptarëve që mundën të marrin vizë amerikane në këtë mënyrë, por dyshohet që mes përfituesve të jetë edhe Eduart Gjini, i cili është shpallur në kërkim.