Mashtrimet online që kanë si qëllim vjedhjen dhe shitjen e të dhënave të përdoruesve të rrjeteve sociale, por edhe zhvatjen ekonomike të tyre është kthyer në një problem serioz dhe që po haset çdo ditë e më shumë.
Rasti më i fundit që raportoi Report Tv, është ai me mashtrimin, ku përdorej emri dhe logoja e postës shqiptare, ku përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” të hapur me emrin “Posta Shqiptare” shfaqej një super ofertë ndaj qytetarëve, por ishte një mashtrim.
Në një intervistë televizive për “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu, eksperti i IT-së, Said Duleviç tregon ‘truket’ që njerëzit duhet të dinë që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla. Duleviç thotë se përpara se përdoruesit e rrjeteve sociale të klikojnë një link që u dërgohet nga profile të panjohura, duhet të kryejnë disa verifikime.
Ai tha se një nga testet e vërtetësisë së një profili original apo jo, është shikimi i numrit të ndjekësve dhe data e hapjes së atij profili, pasi sipas tij një profil i hapur sëfundmi lë vend për të dyshuar.
Gjithashtu ai tha se tregues i një faqeje origjinale janë dhe komentet dhe aktiviteti i faqes.
“Janë njerëzit që para se të klikojnë duhet të bëjnë verifikime. Shikohet nëse faqja është zyrtare, shikon numrin e ndjekësve dhe se kur është hapur faqja. Komentet, shiko nëse është person që poston rregullisht apo jo. Nga këto rrengje zakonisht preken moshat e mëdha dhe përdoruesit e rinj që nuk kanë dijeni.”-nënvizon Duleviç.
Personat që fshiheshin pas faqes me logon ‘Posta Shqiptare’, reklamonin disa kuti të mbyllura kartoni me mbishkrimin “Posta Shqiptare”, duke deklaruar se janë pako të porosive që për arsye të ndryshme kanë mbetur në magazinat e postës pa shkuar në destinacion dhe ua ofronin qytetarëve këto pako t’i blenin me çmimin 236 lekë.